Banka Evropiane e Investimeve vlerëson pozitivisht ecurinë ekonomike të vendit dhe realizimin e reformave në kuadër të integrimit në BE, por thekson se Shqipëria mbetet e ekspozuar ndaj tensioneve ndërkombëtare. Për Report TV, BEI shprehet se varësia nga energjia hidrike cenon rritjen ekonomike, ndaj nevojiten më shumë investime në energjinë e rinovueshme.

Shqipëria po përparon në zhvillimin ekonomik, e udhëhequr nga reformat që duhet të përmbushë në kuadër edhe të integrimit në BE. Për Report TV, Banka Evropiane e Investimeve thotë se qëndrueshmëria ekonomike e vendit ka ndikuar në rritjen e besimit të investitorëve të huaj.

Pavarësisht progresit BEI thotë se dobësitë e ekonomisë shqiptare burojnë kryesisht nga përtej kufirit, siç është edhe rasti aktual, ku lufta në lindjen e Mesme edhe pse larg nesh, po sjell shtrenjtim të hidrokarbureve dhe ushqimeve.

“Shqipëria ende përballet me dobësi tipike të një ekonomie të vogël dhe të hapur: ekspozimi ndaj kërkesës së eurozonës, paqëndrueshmëria e tregtisë globale, tronditjet e çmimeve të mallrave dhe efektet e paqëndrueshmërisë globale”, thotë Alessandro de Concini, Shef i Përfaqësisë së BEI-t në Shqipëri.

Që Shqipëria të jetë më e fortë dhe e pavarur ekonomikisht, më shumë investime duhen në energji për të shkëputur varësinë nga reshjet, që të jetë më e mbrojtur nga krizat e çmimeve globale.

“Për të përforcuar sigurinë e saj energjetike, Shqipëria duhet të përshpejtojë diversifikimin e burimeve të gjenerimit, veçanërisht të energjisë diellore dhe të erës, duke forcuar njëkohësisht qëndrueshmërinë e rrjetit dhe ndërlidhjet rajonale, si dhe zgjidhjet e magazinimit”, bën të ditur BEI.

Problem për Shqipërinë është edhe emigrimi dhe mungesa e punonjësve thotë BEI, teksa vlerëson pozitivisht kontributin e turizmit në rritjen ekonomike të vendit.

“Në lidhje me turizmin, Shqipëria po e pozicionon veten si një destinacion i sigurt dhe i besueshëm. Investimet në infrastrukturën e transportit, ujit dhe energjisë së pastër do të jenë thelbësore për të mbështetur rritjen dhe për të përmirësuar standardet e jetesës, ndërsa Shqipëria përparon në rrugën e saj drejt BE-së”, thekson më tek BEI.

Banka Evropiane e Investimeve thekson se do të vijojë të mbështesë Shqipërinë jo vetëm në rrugën e saj drejt anëtarësimit por edhe me projekte konkrete, e sidomos në rrjetin hekurudhor.

“Së bashku me BE-në dhe partnerët e saj financues, BEI Globale po mbështet rehabilitimin e rreth 150 km të infrastrukturës hekurudhore të Shqipërisë, duke zëvendësuar linjat e vjetruara me sisteme më të sigurta, më të shpejta dhe më ekologjike, që përputhen me standardet e BE-së”, njofton BEI.

Gjatë vitit të kaluar BE dhe BEI miratuan një paketë financimi prej 90,5 milionë euro për të modernizuar linjën hekurudhore Durrës–Rrogozhinë, ku 60,5 milionë euro ishte grant dhe 30 milionë euro kredi. BEI mbështet financiarisht edhe projektet e tjera siç është modernizimi i linjës Vorë–Han i Hotit me gjatësi 120 km.