TIRANE, 28 Shkurt/ATSH/- Tregu i sigurimeve e ka nisur në rritje edhe vitin 2015. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, primet e shkruara bruto për muajin janar u rritën me afro 19% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2014. Rritja mbështetet sidomos te sigurimet e detyrueshme motorrike. Të tre klasat e sigurimit të detyrueshëm motorrik janë rritur me afro 61%, ndërsa vetëm sigurimi i brendshëm ka realizuar një rritje me afro 50%. Pavarësisht heqjes së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, çmimet e policave të sigurimit kanë ngelur pothuajse të njëjta. Gjatë muajit janar 2015, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 74,401 me një rritje prej 2.06% krahasuar me muajin janar 2014. Sigurimet vullnetare zënë më pak se 40% të totalit të primeve dhe klasa më e rëndësishme është ajo e sigurimit kundër zjarrit dhe forcave të tjera të natyrës, me rreth 16%. Vlera e dëmeve të paguara për Janarin ishte rreth 7% më e lartë ndaj Janarit 2014. Raporti mes dëmeve dhe primeve ishte përsëri mjaft i ulët, në rreth 18%./a.gjonaj/f.n/












