Ndërsa lidhur me tregun e letrave me vlerë, Shehi tha se nuk është shumë i zhvilluar, duke shtuar se “nuk lidhet me fondet e sigurimit si në BE”.
Drejtorja e AMF tha se institucioni që ajo drejton ka ushtruar kontrolle në tregun e sigurimeve për shtimin produkteve të sigurimit në sektorin bujqësor.
CANI: SIGURIMI I DEPOZITAVE BANKARE SIPAS DIREKTIVAVE TË BE
Ministria e Financave dhe Agjencia e Sigurimit të Depozitave kanë çuar sot në komisionet kuvendore projektligjin e ri "Për sigurimin e depozitave bankare", i cili mbron kursimet e qytetarëve në bankat private. Ligji i ri, parashikon ndryshime rrënjësore në mënyrën se si do të funksionojë, si dhe përcakton mbrojtje për depozitat deri në 2.5 mln lekë brenda sistemit bankar dhe deri në 1 mln për depozitat në Shoqëritë e Kursim-Kreditit.
Gjatë prezantimit të ligjit të ri nga ministri i Financave, Shkëlqim Cani, opozita ngriti shqetësimin se, midis sistemit bankar dhe shoqërive të kursim-kreditit ka konkurrencë të pandershme, përsa i përket nivelit të sigurimit të depozitave.
Gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë. Sipas ministrit Cani, ligji i ri përfshin edhe shoqëritë e kursim-kreditit.
“Përmirësimi i ligjit lidhet me mënyrën e kompensimit të depozitave. Agjencisë i jepen më shumë kompetenca. Ligji i ri shlyen depozitat në rast falimenti të bankave dhe mbulon depozitat bankare deri në 2.5 mln Lekë”,- tha ministri Cani gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë.
37 mijë depozitues që kanë investuar paratë e tyre në shoqëritë e kursim-kreditit do të jenë më të sigurt për paratë e tyre. Qeveria ka parashikuar që të garantojë 1 milion lekë për çdo depozitë në këto shoqëri, ndërkohë që në bankat e nivelit të dytë shuma e garancisë arrin në 2.5 mln lekë. Ky diferencim ka shkaktuar edhe pakënaqësinë e unionit të kursim-kredive, qe në total përmbledh 120 shoqëri në të gjithë vendin.
Gjatë diskutimit të këtij projektligji në komisionin e Ekonomisë, përfaqësues të Agjencisë së sigurimit të depozitave argumentojnë se me këtë masë kompensimi shoqëritë njësohen me sistemin bankar, pasi arrihet të sigurohen 90 % e depozituesve.
Agjencitë e kursim-kreditit funksionojnë kryesisht në zonat rurale, aty ku nuk ka filial bankash. Ato ofrojnë interesa të leverdishme, konkretisht për depozitat arrijnë deri në 5.7 %. Ndaj edhe deputet e këtij komisioni kërkuan njësim të shumës së sigurimit të depozitave. Shuma e depozitave në këto shoqëri për 37 mijë qytetarë arrin në 20 milionë dollarë.
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)