Amfiteatri i Durrësit
TIRANË, 17 Shtator / ATSH / - Pastrimi dhe zhdukja me lëndë kimike e mikroorganizmave të dëmshëm  nga rreziku i infektimit i cili dëmton objektet e ekspozuara në institucionet e ndryshme kulturore, ishte një proçes shumë i rëndësishëm.
Pas Muzeut Historik Kombëtar dhe Galerisë Kombëtare të Arteve, që iu nënshtruan procesit të dezinfektimit,  edhe Amfiteatri Romak i Durrësit, ka rihapur dyert pas përfundimit të këtij procesi.
Lajm u bë i ditur nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës, e cila pasi ka publikuar edhe fotografitë e realizuara gjatë proçesit, sqaron se ky dezinfektim u bë i mundur falë bashkëpunimit me Ndërmarrjen e Pastrim Gjelbërimit të Bashkisë Durrës.
Amfiteatri Romak i qytetit të Durrësit, i nominuar dhe si "Perla e Trashëgimisë" për nga vlerat historike që mbart, është një nga monumentet më të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore shqiptare, por dhe më gjerë.
Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës kujdeset vazhdimisht për monumentin duke qënë se është një nga monumentet që ka një vizitueshmëri të lartë si nga vizitorët vendas edhe ata të huaj. Amfiteatri si një monument atraktiv bëhet shpesh objekt studimi nga studentë të ndryshëm.
Amfiteatri Romak i Durrësi është ndërtuar në fillim të shek të I të e.s gjatë sundimit të perandorit Trajan.
Ai ka vlera të veçanta arkitekturore dhe artistike dhe mund të krahasohet me monumentet e kësaj periudhe të Pompeit dhe Kapuas në Itali.
Amfiteatri ka trajtë elipsi me diametër 136 metra dhe lartësi rreth 20 m. Shkallarja për shikuesit e veshur me pllaka të bardha merrte 15-20.000 veta, ndërsa në arenë zhvilloheshin luftimet e gladiatorëve.
/k.m/ /a.g/