Ministri Manjani kishte planifikuar të falte dënimet deri në dy vjet, vetëm për personat që janë shpallur fajtorë nga gjykatat shqiptare me formë të prerë, por jo ata që momentalisht janë në proces hetimi nga prokuroria. Kjo ndarje nuk është pritur mirë nga deputetët e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, të cilët kanë replikuar me ministrin Ylli Manjani për këtë përjashtim të njerëzve nën hetim.
Disa nga deputetët e PS si Xhemal Qefalia, Pjerin Ndreu, dhe deputetët e tjerë të LSI, si Shkëlqim Selami apo ata demokratë si Alban Zeneli, Asllan Dogjani dhe Flamur Noka, i kanë kërkuar ministrit Manjani që nuk duhet të bënte një amnisti të tillë, kjo pasi favorizohet vetëm një kategori dhe përjashtohet kategoria tjetër, që në fakt është në të njëjtat kushte dhe kritere ligjore, por ndodhet ende në proces hetimi dhe gjykimi. Nisur nga kjo situatë, të gjithë deputetët i kërkuan ministrit Manjani ndryshimin e ligjit dhe përfshirjen në amnisti edhe të personave të proceduar nga prokuroria apo që janë ende në fazën e gjykimit. “Të përfshihen personat që janë nën hetim. Për vepra me dënim të ulët.
Kur ne amnistojmë të dënuarin që i është provuar faji, e nuk përfshijnë të akuzuarit që janë thjesht të dyshuarit,kjo nuk ka sens”-tha Ndreu. Nga ana tjetër ministri Manjani argumentoi se përjashtimi nga amnistia i personave që janë ende në proces gjykimi, do të thotë ndërprerjen e punës së prokurorisë.
Madje ai shkoi edhe më tej duke aluduar për prokurorinë se mund të abuzojë me rastin e amnistisë, duke bërë kualifikime të qëllimshme të akuzave, dhe për pasojë pushimin e hetimeve për personat që janë arrestuar dhe proceduar nga organet ligjzbatuese që ata të përfitojnë nga amnistia.
Sipas ministrit me ndryshimet ligjore për amnistimin edhe të personave që nuk janë të dënuar por që ndodhen në fazën e hetimit, do i hapte rrugë prokurorëve që të bënin ndere. Më tej Manjani shtoi se 826 persona janë sot në burgje mbi kapacitetin e mundshëm, pasi aktualisht ndodhen në qeli 6314 ndërkohë që kapacitet janë për 5488 persona.
“Amnistia ka për qëllim të tregojë pjesën humane të shtetit. Nuk jemi nisur nga rastet por nga kriteret. Ky draft parashikon përfitimin 720 persona. Kthen në normalitet burgjet. I bëj apel gjykatave dhe prokurorive: mos zgjasni afatet e paraburgimit. Të shtohet numri i gjykimeve të drejtpërdrejta.
Ndjekja penale përjashtohet nga amnistia. Kush është në paraburgim nuk fiton. Përfshihen vendimet e formës së prerë të marra deri në 30 nëntor”,-tha Manjani. Spartak Braho pranoi zgjerimin por propozoi disa kategorizime. “Jam dakord. Të përfshihen në amnisti ata që janë në gjykim e hetim deri në 18 vjeç, gratë dhe meshkujt mbi 60 vjeç,”-tha Braho. Për propozimin pa kufij moshe, dhe atë me kufij, vendos kuvendi të hënën.
Debatet në komision
Xhemal Qefalia: Personat që janë në gjykim, pse të mos përfshihen?
Ylli Manjani: Do të ndërpriste prokuroria punën.
Xhemal Qefalia: Po le ta ndërpresë.
Ylli Manjani: Do të kishte precedentë të ndryshimit të akuzës. Prokuroria mund të bëjë ndere dhe të abuzojë. Nuk jap dot garanci për këtë.
Flamur Noka: Ju fajësoni prokurorinë për mbipopullimin. Nuk ka fajtorë të tjerë?
Ylli Manjani: Nuk fajësoj prokurorinë, as gjykatat. Drejtësia penale është një dështim kolektiv.
Flamur Noka: Pse nuk i bëni thirrje qeverisë të mos bëjë reprezalie për dritat... Ndërtimet pa leje?
Ylli Manjani: Ka pasur shtesë në burgje dy vitet e fundit por fenomeni nuk lindi këto dy vjet. Nuk arreston policia. Arreston gjykata. Ndjekja penale në këtë vend kërkon reformë të thellë. Kërkon një aktivizim të prokurorisë.
Flamur Noka: 38 mijë arrestime në dy vite për çështje të energjisë elektrike apo të një tulle të ndërtuar në oborr. Ju e keni të sikletshme ta pranoni se jeni në kabinet. Thirrjet histerike …burg, burg, burg…, nga kryeministri u kanë shurdhuar veshët shqiptarëve.
Pjerin Nderu: Të përfshihen personat që janë nën hetim. Për vepra me dënim të ulët.
Alban Zeneli: Burgjet janë mbushur nga dhuna e policisë. Të përfshihen dhe ata që janë nën hetim.
Spartak Braho: Jam dakord. Të përfshihen në amnisti ata që janë në gjykim e hetim deri në 18 vjeç, gratë dhe meshkujt mbi 60 vjeç.
Pjerin Ndreu: Kur ne amnistojmë të dënuarin që i është provuar faji, e nuk përfshijnë të akuzuarit që janë thjesht të dyshuarit,kjo nuk ka sens.
Arben Isaraj:Aty mund të ketë edhe të fajshëm. Gjykata nuk është shprehur. Përfshihen dhe ndjekja penale për vepra që duhen deri në dy vjet.
Selami i LSI: Amnisti për armët, t’i dorëzojnë
Njëri nga deputetët e LSI, anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare Shkëlqim Selami i ka kërkuar disa herë ministrit Manjani që të bëjë një amnisti për armët që shqiptarët mbajnë në shtëpi. Sipas Selamit, në Shqipëri shumë njerëz janë të armatosur pasi kanë armë të fshehura në banesa. Për pasojë, ai shtoi se rrugëve të qyteteve vriten njerëzit për një fjalë goje. Nisur nga kjo situatë, Selami ka kërkuar që të bëhet një amnisti për armët për një periudhë të caktuar deri në dorëzimin e armëve.
”Amnisti për armët që kemi në shtëpi do ketë, në mënyrë që tu jepet mundësi qytetarëve ti dorëzojnë ato, pasi ka ende shumë armë të pa mbledhura”, –tha Selami. Mirëpo nga ana tjetër, Manjani i është kundërpërgjigjur që kjo nuk quhet amnisti, por ç’armatosje. “Quaje çfarë të duash, por hiqu njerëzve armët nga duart. Ka një ping-pong polici-prokurori gjykatë. Duhet parë Kodi Penal sepse njerëzit rrinë në burg kot. Duhet bërë një amnisti për armët në shtëpi. Duhet të dorëzohen armët. Të hiqen armët. Bëhet vrasja për një fjalë goje.
Po patën armet të gjithë do bëjnë vrasje. Të jepet një afat dorëzimi”,-tha Selami. Deputeti i LSI-së që e ka përsëritur edhe më parë këtë kërkesë, shtoi se pas kësaj, gjykimi dhe dënimi për armëmbajtjen pa leje, duhet të jetë i menjëhershëm.
“Pas kësaj amnistie, kush kapet me armë, të marrë dënim të menjëhershëm. Nuk ka nevojë për nja apo dy vite hetim e gjykim. Të vlerësohet për 15 minuta nëse arma është plastike apo zjarri, dhe nëse del zjarri të shkojë direkt në burg”,-tha deputeti i LSI-së, për Qarkun Vlorë, Shkëlqim Selami. Këtë kërkesë deputeti ja ka bërë edhe më herët ministrit të brendshëm.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 19 Dhjetor 2015
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)