Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë në fund të këtij viti një nismë për miratimin e një amnistie penale, e cila synon uljen e mbipopullimit në burgje, rehabilitimin e të dënuarve dhe forcimin e sigurisë afatgjatë, në përputhje me standardet evropiane të drejtësisë.

Lajmi u bë i ditur nga  kryeministri Edi Rama, i cili postoi në rrjetet sociale një video sqaruese të ministrit Besfort Lamallari ku shpjegohen specifikat e kësaj amnistie.

Sipas ministrit, amnistia vjen pas një analize të detajuar të situatës në sistemin penal shqiptar, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, dhe adreson një shqetësim të madh: përdorimin e lartë të masës së paraburgimit. Aktualisht, në sistemin penitenciar ndodhen rreth 5 mijë persona, nga të cilët më shumë se gjysma janë të paraburgosur, një situatë që sipas Lamallarit kërkon ndërhyrje të menjëhershme dhe proporcionale.

“Mbipopullimi në burgje nuk është forcë e shtetit, por dobësi e sistemit,” u shpreh ai, duke shtuar se kjo problematikë është ngritur në mënyrë të përsëritur edhe nga Këshilli i Evropës dhe partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë.

Nga zbatimi i amnistisë, do të përfitojnë lirim të menjëhershëm rreth 380 persona, ndërsa rreth 900 të tjerë do të përfitojnë ulje dënimi. Efekti i menjëhershëm i kësaj mase pritet të ulë popullimin në burgje me gati 7 për qind, duke përmirësuar kushtet e trajtimit, sigurisë dhe rehabilitimit, si dhe respektin për dinjitetin njerëzor.

Ministri sqaroi se nga kjo amnisti përjashtohen kategorikisht personat e dënuar për krime të rënda, korrupsion, vepra me rrezikshmëri të lartë shoqërore, si dhe subjektet e hetuara nga SPAK apo të gjykuara nga GJKKO. “Nuk ka amnisti selektive apo favorizime. Ka kritere ligjore të qarta dhe transparente,” theksoi Lamallari.

Ai nënvizoi se drejtësia evropiane nuk matet me numrin e personave të burgosur, por me parandalimin e veprave penale, rehabilitimin dhe uljen e përsëritjes së tyre. “Kjo amnisti nuk është falje e shkeljes së ligjit, por një shans i dytë i dhënë me përgjegjësi për ata që mund dhe duhet të rikthehen në shoqëri dhe pranë familjeve të tyre,” përfundoi ministri. 

Deklarata e plotë e Ministrit: 

"Në mbyllje të këtij viti, qeveria shqiptare ka marrë nismën për miratimin e një amnistie penale, një akt ligjor i bazuar në humanizëm, drejtësi sociale dhe standardet evropiane të drejtësisë. Ky lajm i mirë për përfituesit direkt dhe familjet e tyre përbën urimin më të mirë të fundvitit.

Kjo amnisti që ne do të miratojmë nuk është kurrsesi një lëshim politik, por një politikë penale moderne. Një shtet i fortë nuk ka nevojë të mbajë në burg njerëz pa rrezikshmëri reale, por të investojë në rehabilitim dhe siguri afatgjatë. Drejtësia evropiane nuk matet me numrin e të burgosurve, por me parandalimin, rehabilitimin dhe uljen e përsëritjes së veprave penale.

Amnistia që do të miratojmë në Këshillin e Ministrave nuk është një vendim i rastësishëm. Ajo vjen pas një analize të detajuar të situatës në sistemin e drejtësisë penale, në bashkëpunim me organet përgjegjëse, dhe adreson një shqetësim madhor: përdorimin e lartë të masës së paraburgimit dhe nevojën për një qasje më proporcionale dhe më humane.

Sot, për fat të keq, në sistemin e burgjeve ndodhen rreth 5 000 persona, nga të cilët më shumë se gjysma janë të paraburgosur. Kjo situatë kërkon ndërhyrje të përgjegjshme dhe të menjëhershme, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira evropiane. Paraburgimi i tepruar është një shqetësim i vazhdueshëm në sistemin penitenciar, i ngritur në mënyrë të përsëritur nga Këshilli i Evropës dhe partnerët tanë evropianë.

Mbipopullimi në burgje nuk është forcë e shtetit, por dobësi e sistemit. Kjo amnisti e korrigjon në një farë mënyre këtë dobësi, teksa ende kemi punë përpara për ndërtimin e një politike penale moderne që i përgjigjet stadit në të cilin Shqipëria ndodhet sot dhe nesër si vend anëtar i Bashkimit Evropian.

Përmes kësaj amnistie, qeveria po ndërmerr një tjetër akt parandalues dhe human, përpara se problemi të kthehet në krizë sistemike. Nga zbatimi i kësaj amnistie, rreth 380 persona do të përfitojnë lirim të menjëhershëm dhe rreth 900 të tjerë do të përfitojnë ulje dënimi. Numri real i përfituesve është edhe më i lartë, duke përfshirë këtu edhe ata që përfitojnë nga pushimi i ndjekjes penale, si dhe nga masat alternative.

Jam i lumtur që në këtë proces përfshihen të mitur, gra dhe persona të dënuar për vepra me rrezikshmëri të ulët shoqërore. Efekti është konkret dhe i menjëhershëm: popullimi në burgje ulet me gati 7 për qind, përmirësohen kushtet e trajtimit, sigurisë dhe rehabilitimit, si dhe garantohet më shumë respekt ndaj dinjitetit njerëzor.

Nga kjo amnisti nuk mund të përfitojnë ata që kanë kryer krime të rënda, korrupsion apo vepra me rrezikshmëri të lartë shoqërore; kurrsesi jo subjektet e hetuara nga SPAK apo të gjykuara nga GJKKO. Nuk ka amnisti selektive dhe as favorizime, por kritere ligjore të qarta dhe transparente.

Kush e sheh amnistinë si dobësi, ngatërron ndëshkimin me drejtësinë. Kjo amnisti nuk është falje e shkeljes së ligjit, por një shans i dytë i dhënë me përgjegjësi për ata që mund dhe duhet të rikthehen në shoqëri dhe pranë familjeve të tyre. Ne besojmë fort në një drejtësi të drejtë, jo për statistika dhe as në kurriz të të pamundurve, por një drejtësi që nuk humbet kurrë humanizmin dhe udhëhiqet nga standarde të larta e të panegociueshme demokratike evropiane."