Amnistia, Alibeaj prezanton amendamentin e PD: Të përfitojnë qytetarët që protestuan në periudhën 1 tetor 2018-31 dhjetor 2020

 

Ndryshe nga grupi i deputetëve Bardhi-Berisha të cilët kanë deklaruar se nuk do të votojnë Amnistinë Penale për të burgosurit pa u kthyer normaliteti në Kuvend, PD e Bashës ka mbajtur një qëndrim tjetër duke u shprehur se do ta votojë por duke iu bashkangjitur edhe amendamenti prej 3 nenesh.

Amendamenti i prezantuar nga Alibeaj në komisionin e Ligjeve, përmban 3 nene ku kërkohet që nga kjo Amnisti Penale të përfitojnë të gjithë qytetarët që kanë marrë pjesë në protesta politike apo qytetare të zhvilluara nga periudha 1 tetor 2018 deri në 31 dhjetor 2020. Pra kërkohet amnistia e qytetarëve që kanë marrë dënim të formës së prerë, apo që janë në ndjekje penale si pasojë e veprimeve të kryera në protesta politike apo qytetare të periudhës së përmendur më lart.

"Fillimisht theksoj se amnistia përbën një akt parlamentar mëshire për qytetarët që dyshohen ose janë dënuar për shkelje të ligjit penal, që passjell edhe përfitime për uljen e mbipopullimit në burgje, reduktimin e ngarkesës së punës në prokurori dhe gjykata. Në këtë kuadër, amendamenti i paraqitur synon të rregullojë situatën e një kategorie specifike qytetarësh, të cilët kanë hyrë në konflikt me ligjin për arsye politike. Bëhet fjalë për qytetarët të cilët kanë marrë pjesë në protestat e organizuara nga Partia Demokratike dhe aleatët politikë të saj në periudhën 01.10.2018 – 31.12.2020. Në të njëjtën periudhë janë organizuar edhe disa protesta qytetare, midis të cilave vlejnë të përmenden e gjithë seria e protestave të banorëve të zonës së Astirit në Tiranë, seria e protestave kundër shembjes së Teatrit Kombëtar në Tiranë, seria e protestave të banorëve të Bregut të Lumit, seria e protestave të banorëve të zonës së Shkozës, seria e protestave të studentëve apo protestat kundër vrasjes policore të të riut Klodian Rasha.
 
Sipas të dhënave të mbledhura nga strukturat e Partisë Demokratike, që shpesh kanë ofruar edhe mbrojtje juridike falas, rezulton se gjatë protestave të kësaj periudhe dhe për shkak të revoltimit për të drejtat politike, ekonomike dhe sociale, disa prej protestuesve kanë hyrë në konflikt me ligjin. Edhe pse ka pasur një debat të nxehtë politik mbi politizimin dhe padrejtësinë e veprimeve të organeve ligjzbatuese të ngarkuara për ndjekjen penale, mbetet fakt se një numër i lartë qytetarësh janë proceduar penalisht për veprat penale të shkatërrimit të pronës, shkatërrimit të pronës me zjarr, kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik, të kundërshtimit të punonjësit të policisë, të goditjes për shkak të detyrës dhe të shkeljes së rregullave për lëndët plasëse dhe djegëse, të parashikuara respektivisht nga nenet 150, 151, 235 236, 237 dhe 282 i Kodit Penal. Disa prej këtyre procedimeve penale janë përfunduar me dënimin e protestuesve, ndërsa një pjesë tjetër janë në shqyrtim e sipër nga prokuroria dhe gjykata"- tha Alibeaj.

Më tej ai sqaroi përmbajtjen e 3 neneve të amendamentit të PD-së. 

"Duke mbajtur në konsideratë këtë situatë, amendamenti është formuluar me tre nene. Neni 1 i referohet protestuesve që tashmë kanë marrë cilësinë e të dënuarit. Neni 2 ka saktësuar formulimin ekzistues të projektligjit që flet për kriteret ndaluese të amnistisë dhe për ta përputhur me qëllimin e amendamentit. Ndërsa neni 3 rregullon amnistinë e protestuesve, për të cilët ndjekja penale është në proces e sipër në prokurori dhe gjykatë. Duhet vënë re se për këtë kategori të fundit propozohet një nen më vete, pra pa u përfshirë në rregullimet e nenit 6, me qëllim që kushtet ndaluese të këtij të fundit (personat që i janë shmangur ndjekjes penale dhe subjektet e cilësuara) të mos gjejnë zbatim gjatë amnistisë së ndjekjes penale të protestuesve"- shtoi ai. 

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)


Lajmi kryesor:

Duhen 84 vota për amnistinë penale, PS gati të pranojë propozimin e PD-së së Bashës: Falim protestuesit e opozitës nëse votoni Pro


B.V/r.k./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Basha: T’i japim fund tangos personale, kush voton Berishën merr dhe Ramën në paketë dhe anasjelltas! Jo interesave të Trekëndëshit të Bermudës

Basha: T’i japim fund tangos personale, kush voton Berishën merr dhe Ramën në paketë dhe anasjelltas! Jo interesave të Trekëndëshit të Bermudës