"Amnistia e Reformës" Dosjet
VIP i hiqen Gjykatës Speciale

Partia Demokratike ka një arsye më shumë për votuar pa rezistencë projektligjin për ngritjen e organeve të reja që do të luftojnë krimin dhe korrupsionin elitar në Shqipëri. Pas tentativës së parë për të përjashtuar përgjithmonë ish-ministrat e Sali Berishës nga objekti i Gjykatës Speciale, ish-ministrat dhe zyrtarët e tjerë të lartë me dosje në prokurori apo gjykatë, kanë një tjetër mundësi, për të shpëtuar apo për t’u gjykuar me standardet e sistemit aktual të drejtësisë.

Konkretisht, dosjet e krimit dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë, të cilat janë referuar në gjykatë apo janë në proces shqyrtimi nga organi i akuzës, edhe për 300 ditë do të mbahen larg duarve të Gjykatës Speciale. Po ashtu, edhe Prokuroria e Posaçme do t’i marrë kompetencat e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për dosjet e hapura, 300 ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit.

Parashikimi 
Nëse gjykatat aktuale nuk marrin një vendim për dosjet në fjalë, ditën e 300 nga hyrja në fuqi e ligjit për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, çështje i kalojnë Gjykatës Speciale, e cila së bashku me Prokurorinë e Posaçme, do të vendosen në ndërtesën aktuale të Gjykatës për Krimet e Rënda dhe Prokurorisë për Krimet e Rënda. Larg dosjeve të hapura, për 300 ditë, do të mbahet edhe Byroja Kombëtare e Hetimit. “Në mënyrë që të respektohet e drejta e të pandehurve për një gjykim të drejtë, çështjet që do të jenë në gjykim para gjykatave për krimet e rënda në ditën e 300-të pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, mbeten nën kompetencën e gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, edhe nëse ato nuk bëjnë pjesë në kompetencën parësore apo dytësore të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar sipas këtij ligji. Në mesnatën e ditës së 300-të pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, kompetencat e parashikuara nga Nenet 10 dhe 11 u kalojnë gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe Prokurorisë së Posaçme”, thuhet në projektligj.

Kush përfiton 
Nga ky parashikim, reflektuar në ligjin për institucionet antikorrupsion, përfitojnë edhe disa ish-ministra të Sali Berishës, tre të kallëzuar në prokurori dhe njëri në proces gjykimi. Konkretisht, Ridvan Bode, Genc Ruli, Florjon Mima dhe ndoshta edhe Spiro Ksera. Ish-kryefinancieri Ridvan Bode, ish-ministri i METE, Genc Ruli dhe ish-ministri po i METE, Florjon Mima janë kallëzuar në prokurori për privatizimin e OSSH, nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, e cila pas një procesi auditimi ka konstatuar 414 milionë euro dëm. Pas ngritjes së SPAK dhe Gjykatës Speciale, ish-ministrat do të kenë 300 ditë kohë për të mundësuar pushimin e çështjes në prokurorinë aktuale ose për t’u përballuar në gjykatat aktuale. Po ashtu, do të përfitojnë të gjithë zyrtarët e pushtetit aktual që janë nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda apo në proces gjykimi nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

Fati i Kserës 
Ish-ministri i Punës Spiro Ksera, për të cilin prokuroria ka kërkuar 3 vite burg, do të ketë kohë të mjaftueshme për të evituar gjykimin e mundshëm nga Gjykata Speciale. Aktualisht Ksera po gjykatoret nga Gjykata e Tiranës, por nëse kjo e fundit nuk merr një vendim brenda afatit të përcaktuar, mbetet t’u parë dhe interpretuar nëse çështja mund t’i kalojë apo jo Gjykatës Speciale, referuar neneve 10 dhe 11 të projektligjit për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin si dhe nenit 13 të ndryshimeve kushtetuese, i cili ndryshon nenin 135 të Kushtetutës.

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Marrëdhëniet Greqi -Shqipëri, avokati Islami: Kanë bërë masakra në vendin tonë, Beleri në PE ishte goditje! Sekretari i OMONIA-s: Jemi urë komunikimi mes vendeve

Marrëdhëniet Greqi -Shqipëri, avokati Islami: Kanë bërë masakra në vendin tonë, Beleri në PE ishte goditje! Sekretari i OMONIA-s: Jemi urë komunikimi mes vendeve