Amnistia fiskale/ Gjokutaj: Nuk sjell zhvillim ekonomik! Soko: Nuk duhet të falen ata që janë dënuar për evazion! Hoxha: Po punohet për të diferencuar të drejtin me të padrejtin

Nisma e qeverisë për amnistinë fiskale është shoqëruar me kritika nga ndërkombëtarët dhe ekspertët ekonomikë, por ka edhe prej atyre që thonë se vlen për t’u kaluar si ligj. Eskperti Eduard Gjokutaj është shprehur në Report Tv, në emisionin ‘Sot, live në Shqipëri’ me gazetarët Migena Sotiri dhe Nertil Agalliu se amnistia nuk do të sjellë zhvillimin ekonomik. Po ashtu nuk beson se qeveria do ia dalë ta realizojë për shkak të aspektit ndërkombëtar.

Amnistia fiskale duhet për të furnizuar të gjithë projektet që kanë nisur në 4-5 vitet e fundit në infrastrukturë dhe në aktivitete të tjera që lidhen me shërbime të karakterit financiar. Natyrshëm që buxheti i shtetit përballon vetëm 20-25% të gjithë investimeve infrastrukturore që ndodhin në vend dhe kjo është shumë pak në nevojën për kreditim që mund të ofrohet fare mirë përmes Bankave. Nuk besoj se do të bëhet amnistia fiskale prej marrëdhënieve në aspektin ndërkombëtar. Ndërkohë edhe gjithë ekonomistët me mendje të shëndoshë dhe që besojnë në një shtet ligjor që bazohet mbi një konkurrencë të ndershme nuk e pranojnë dot si logjikë që amnistia fiskale do të sjellë zhvillimin ekonomik”, tha Gjokutaj.

Ndërsa eksperti Pano Soko përmend faktin që qeveria nuk i ka 84 vota për të kaluar ligjin dhe duhet të kërkojë nga opozita. Po ashtu shprehet se ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë dhe jo të pranojë paratë e personave që kanë bërë evazion fiskal ndërsa të tjerë janë dënuar.

“Kryeministrit i duhen 84 vota që sot nuk i ka. Pavarësisht vullnetit e dëshirës, sot që flasim nuk i ka votat për ta kaluar. Do të duhet të marrë borxh nga opozita, të cilat janë shprehur kundër. Qëllimi i amnistisë fiskale nuk është miratimi i ligjit, por hapja e diskutimit. Krijon atmosferën e duhur që perceptimi popullor të shkojë drejt faktit që këtu duket se qeveria mban një sy mbyllur për paranë e errët që vjen nga aktivitete të ndryshme. Gjatë gjithë këtyre kohëve kemi pasur njerëz që janë ndëshkuar për evazion fiskal me skema TVSH. Praktikisht ligji është i barabartë për të gjithë. Nëse ti ke pasur qytetar që janë dënuar, nuk mund të ketë të tjerë që falen. Është gjykata e Strasburgut që e dënon. Nëse do falësh disa qytetarë që kanë bërë evazion fiskal duhet t’ia kthesh paratë dhe atyre që ia ke marrë përmes gjobave apo viteve të burgut”, tha Soko.

Ekspertja Eriola Hoxha tha se ende ka pika që duhet të përmirësohen në draft paketë që bëjnë diferencën mes të drejtit dhe të padrejtit.

“Si çdo nismë, ndeshet me opinionet, grupet e interesit, mendimet pro dhe kundër të ekspertëve por theksoj se projekti i amnistisë penale është pjesë e Këshillimit Kombëtar. Sa i takon opinionit të ndërkombëtarëve, të BE, të ekspertëve të huaj që ushtrojnë aktivitetin dhe mbi këtë çështje, nuk janë shprehur kundër. Draft paketa duhet ende të përmirësohet që të mos kemi mbivendosje të fondeve të denja për legalizimin e emigrantëve që prej vitesh punojnë jashtë vendit. Po punohet me mekanizma që bëjnë diferencën mes të drejtit dhe të padrejtit”, tha Hoxha.   

Kujtojmë se në projektligj thuhet se çdo qytetar shqiptar, rezidentë në Shqipëri, por edhe emigrantët do të mund të përfitojnë nga amnistia fiskale deri në shumën 2 milionë euro. Projektligji për amnistinë fiskale dhe penale për deklarimin vullnetar të pasurisë është hedhur për konsultim publik, për të marrë mendimin e individëve dhe grupin e interesit. Qëllimi është për të kuptuar nëse publiku është dakord që një person të deklarojë deri në 2 milionë euro pasuri, që deri më tani e ka pasur të padeklaruar dhe t’i njihet kjo si një pasuri e ligjshme pavarësisht burimit të këtyre të ardhurave. Në faqen zyrtare të BE-së nënvizohet si problem pasi rezidentët jotatimorë, do të importonin para për të përfituar nga amnistia.

Ndryshimet në projektligjin e amnistisë fiskale kanë nxitur një reagim negativ nga Komisioni Evropian ku thuhet se do të dobësonte kontrollet e vendit kundër pastrimit të parave. 

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    14 Dhjetor, 13:13

    Berisha boton foton e gruas së Dumanit duke i rrezikuar jetën! Si e gjykoni?



×

Lajmi i fundit

Fundoset anija me migrantë në brigjet greke, pesë persona të vdekur

Fundoset anija me migrantë në brigjet greke, pesë persona të vdekur