Në Komisariatin e Sarandës janë ekzekutuar urdhra të rinj ndalimi në kuadër të operacionit që po zhvillohet nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Sarandës.

Burime paraprake bëjnë me dije se deri tani është ndaluar nënkomisari Edmond Ruçi, ndaj të cilit rëndojnë dyshime për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe korrupsion.

Operacioni vijon ende, ndërsa pritet që në vijim të ketë detaje të tjera lidhur me hetimin dhe persona të tjerë të përfshirë.

Pak ditë më parë, Saranda është tronditur nga një skandal që ka prekur drejtpërdrejt kupolën e policisë lokale. Zyrtarë të komisariatit të qytetit bregdetar, dyshohen se kanë mbyllur sytë përballë ndërtimeve pa leje, investime këto nga grupet kriminale, në këmbim të përfitimeve të paligjshme.

Bëhet fjalë për një beach bar dhe plazh privat pa leje në vijën bregdetare të Sarandës, në lagjen numër 1, ngjarje kjo, që pasi u zbulua nga policia, çoi në arrestimin e 8 punëtorëve dhe shpalljen në kërkim të pronares, të paktën në letra prej 2022-shit, të stacionit të plazhit, Arjola Dhrami Bajo. Objekti pa leje, u shemb nga IMT-ja.

Sot pas një seance gjyqësore që zgjati rreth shtatë orë, Gjykata e Sarandës dha vendimin për masat e sigurisë ndaj drejtuesit të Komisariatit të Policisë Sarandë dhe 3 inspektorëve, të arrestuar nën dyshimet për favorizimin e ndërtimit pa leje të beach bar-it  'Copacabana' dhe objekteve të tjera.

Gjykata caktoi masën “arrest me burg” 30 ditë ndaj Gëzim Bashllarit dhe Robert Cullajt, ndërsa për Ajdin Islamajn dhe Andi Duron u vendos masa “arrest në shtëpi”. Lidhur me ndërtimin pa leje të ‘Copacabana’ është pezulluar nga detyra edhe shefi i Krimeve në Sarandë, Blerim Tafçiu.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë