Pas një seance gjyqësore që zgjati rreth shtatë orë, Gjykata e Sarandës ka dhënë vendimin për masat e sigurisë ndaj drejtuesit të Komisariatit të Policisë Sarandë dhe 3 inspektorëve, të arrestuar nën dyshimet për favorizimin e ndërtimit pa leje të beach bar-it 'Copacabana' dhe objekteve të tjera.
Gjykata ka caktuar masën “arrest me burg” 30 ditë ndaj Gëzim Bashllarit dhe Robert Cullajt, ndërsa për Ajdin Islamajn dhe Andi Duron u vendos masa “arrest në shtëpi”. Lidhur me ndërtimin pa leje të ‘Copacabana’ është pezulluar nga detyra edhe shefi i Krimeve në Sarandë, Blerim Tafçiu.
Prokuroria, e përfaqësuar nga prokuroret Silvana Belishta dhe Esmeranda Basho, kërkoi caktimin e masës “arrest me burg” për një afat 45-ditor ndaj Gëzim Bashllarit dhe Robert Cullajt, periudhë gjatë së cilës organi i akuzës pritet të paraqesë prova shtesë mbi të cilat mbështeten akuzat. Ndërkohë, për Ajdin Islamajn dhe Andi Duron u kërkua masa “arrest në shtëpi”.
Gjatë zhvillimit të seancës, avokatët mbrojtës kundërshtuan kërkesat e Prokurorisë, duke argumentuar se arrestimet e klientëve të tyre janë të paligjshme dhe të pambështetura në prova të mjaftueshme. Ata kërkuan lirimin e menjëhershëm të katër drejtuesve të policisë, duke pretenduar se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e masave shtrënguese të sigurisë.
Në sallën e gjyqit kanë dhënë deklarimet e tyre edhe vetë katër drejtuesit e Komisariatit të Policisë Sarandë, të cilët kanë mohuar akuzat e ngritura ndaj tyre. Ata janë shprehur para trupës gjykuese se janë të pafajshëm dhe se kanë ushtruar detyrën në përputhje me ligjin.
Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, gjyqtari Shkëlzen Liçaj vendosi pranimin e kërkesës së Prokurorisë, por duke caktuar masën “arrest me burg” vetëm 30 ditë ndaj Gëzim Bashllarit dhe Robert Cullajt, ndërsa për Ajdin Islamajn dhe Andi Duron u vendos masa “arrest në shtëpi”.
Shefi i Komisariatit të Sarandës dhe 3 inspektorët e Policisë u arrestuan nën dyshimet se kishin marrë ryshfet për të lejuar ndërtimin e beach barit 'Copacabana' në Sarandë, por edhe të objekteve të tjera pa leje.
Beachbar-i Copacabana, i cili u shemb ditën e djeshme nga IKMT, është në pronësi të Arjola Dhrami Bajos e cila është shpallur në kërkim prej 14 majit. Megjithatë, avokati i saj, pretendon se hapësira e plazhit disponon dokumentacion të rregullt dhe ka leje nga KKTU.
“Copacabana Beach’ ishte beach bar-i dhe stacioni i plazhit në Kanalin e Çukës në Sarandë, i hapur prej disa vitesh përgjatë vijës bregdetare, ku ndodhen gjithashtu disa nga hotelet dhe resortet më të njohura dhe luksoze të qytetit.
E njëjta pronë, në zonën më të lakmuar të bregdetit Jon, ka qenë më herët objekt konfliktesh, dhe dyshohet se lidhet edhe me vrasjen me tritol në makinë ndaj Isuf Jaçajt, në tetor të vitit 2025 në Sarandë.
Hetuesit dyshojnë se pas këtij atentati qëndron një grup kriminal me bazë në Kamëz, i cili ka dyshime se fshihet edhe pas ndërtimit të plazhit privat dhe në të tjera ngjarje kriminale në Sarandë.
I njëjti grup, në vitin 2025, vetëm 3 muaj para atentatit të Isuf Jaçajt, dyshohet se organizoi edhe planin për t’i vrarë të birin, po me tritol në makinë, në korrik të 2025-ës, por i riu, Klaus Jaçaj shpëtoi.
Lajm në përditësim...
-----------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente









