Pak ditë pas arrestimit të shefit të Komisariatit të Sarandës për lejimin e ndërtimit pa leje të “CopaCabana”, nga Saranda, ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, në një takim me drejtues të policisë, IKMT dhe institucione të tjera, ishte i prerë me ata zyrtarë që thyejnë ligjin, sidomos për ndërtimet pa leje.

Lamallari tha se çdokush që mendon se interesat publike janë vetjake, gabon. Ai kërkoi që reagimi të jetë sa më i shpejtë dhe jo të pritet “sa të ndërtohet betoni 7 kate.”

“Saranda dhe gjithë bregdeti shqiptar është pasuri kombëtare. Nëse dikush mendon që interesat publike mund të rreshtohen në kufijtë e vetjakes, e ka shumë gabim. Reagimi i shpejtë i policisë, strukturave të mbikëqyrjes ishte mesazhi i parë për javën për të treguar që nuk mund të jetë një lojë dhe ne të presim sa të ndërtohet betoni 7 kate”, tha Lamallari.

Ai kërkoi hetim të thelluar lidhur me ngjarjen, ndërsa ua bëri të qartë uniformave blu se detyra duhet të bëhet me nder ose ndryshe ka pasoja.

“Kjo kërkon një hetim të thelluar, përveç përgjegjësisë direkte të atyre punonjësve që kanë përgjegjësi apo kanë flirtuar me paligjshmërinë, kjo vlen për çdo cep të bregdetit shqiptar. Mesazhi është shumë i qartë, ka dy rrugë për dikë që ka për detyrë të zbatojë ligjin: të bëjë detyrën me nder, por çdokush tjetër që mendon se mund ta bëjë diçka të tillë, llogaritë t’i bëjë vetë. Përveç ndërtimeve pa leje, ka një tjetër gjë: siguria dhe perceptimi i saj nga qytetarët. Do të ishte e papranueshme një xhirim gomash, jo më armëmbajtje pa leje. Punonjësit me uniformë të mos mbyllin sytë, por t’i tregojnë vendin çdokujt. Kjo është arsyeja pse kolegët tuaj sot nuk janë në tavolinë, por po përballen me drejtësinë”, tha Lamallari.

I ashpër ishte edhe kryepolici Skënder Hita, i cili ndau ata që përdorin policinë si mburojë dhe të ndershmit brenda saj.

“Duhet të kemi besim te qytetarët dhe uniforma e Policisë së Shtetit. Sor vijmë pas një rasti ku disa punonjës të komisariatit Sarandë janë arrestuar. Këtu jemi për të dhënë një mesazh të qartë: askush s’është mbi ligjin dhe uniforma e Policisë së Shtetit nuk do të përdoret kurrë si mburojë për paligjshmërinë. Ndihem i keqardhur dhe i vendosur përpara kësaj sfide të madhe ku një nga komisariatet më të rëndësishme të vendit janë arrestuar punonjësit dhe drejtuesit. Është e papranueshme që një punonjës të bëhet palë me shkelësit e ligjit. Kushdo që mban uniformën e Policisë së Shtetit duhet të jetë në anën e ligjit dhe qytetarëve”, tha Hita.

Hita kërkoi bashkëpunimin e të gjithë institucioneve për identifikimin e rasteve të ndërtimeve pa leje, jo vetëm në Sarandë, por në të gjithë vendin.

Të vetëm ne nuk mund t’ia dalim. IMT, Policia Bashkiake, IKMT, dhe institucionet e tjera që operojnë në Sarandë dhe më tej, duhet të bashkëpunojnë ngushtë për të parandaluar këtë paligjshmëri. Secili prej këtyre institucioneve duhet të marrë iniciativa, të jetë i vendosur dhe të ketë konstatim periodik, duke mos lënë hapësira për tolerim”, u shpreh Hita.

Të premten, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore nisi të premten një operacion në Sarandë, Ksamil dhe zonat e tjera përreth, duke hetuar disa raste të ditëve të fundit që lidhen me ndërtime të paligjshme.

Hetimet zbuluan përfshirjen e shefit të komisariatit të Sarandës, Gëzim Bashllari si edhe tre inspektorë të policisë, Andi Duro, Ajdin Ismailaj dhe Robert Çullaj, të cilët ishin në dijeni të ‘beach bar’-it dhe plazhit privat pa leje që vazhdonte të operonte. Ata dyshohet se kanë marrë ryshfet të majmë për ta toleruar këtë ndërtim të paligjshëm.

Ngjarja çoi në arrestimin e 8 punëtorëve dhe shpalljen në kërkim të pronares, Arjola Dhrami Bajo, e cila figuron në letra prej 2022. Dyshohet se kjo pronë i përkiste Isuf Jaçajt, i ekzekutuar me tritol në 2025-ën dhe se kjo tokë t’i jetë marrë me forcë nga një grup kriminal me bazë në Kamëz. Objekti pa leje, u shemb nga IMT-ja.