Amulli, Drejtoria e Turizmit
mes Kumbaros dhe Gjermenit

Amulli, Drejtoria e Turizmit<br />mes Kumbaros dhe Gjermenit
TIRANË - “Duhet të marrë leje nga të dyja ministret për të dhënë intervistë”, është shprehur dje për gazetën “Shqiptarja.com” drejtori i Përgjithshëm i Turizmit, Klodi Pajuni. Drejtoria e Përgjithshme e Turizmit gjatë kohës që ka qenë në varësinë e Ministrisë së Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve, MTKRS, ka pasur në varësinë e vet edhe dy drejtori të tjera; Drejtorinë e Trashëgimisë Kulturore dhe Drejtorinë e Turizmit.

Drejtoria e Turizmit duhet t’i kalonte Ministrisë për Zhvillim Urban dhe Turizëm, por sipas organikës së vjetër Drejtori i Përgjithshëm i Turizmit ka në varësi edhe Drejtorinë e Trashëgimisë Kulturore. Kështu që, Klodi Pajuni i përgjigjet për Trashëgiminë Kulturore ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, dhe për Turizmin ministres Eglantina Gjermen. Zyrat e Drejtorit të Përgjithshëm të Turizmit janë ende në godinën e Ministrisë së Kulturës dhe aty drejtori merr edhe rrogën, por shkresat duhet t’i firmosin dy ministre,zonja Kumbaro dhe zonja Gjermeni. “Puna ka filluar, bashkëpunoj me të dyja ministret”, thotë drejtori Klodi Pajuni.

Ai pohon se ka nën varësinë e tij “një staf prej 11 vetësh, ku pesë prej tyre janë drejtorë, sepse Drejtoria e Përgjithshme e Turizmit ka pasur në varësinë e saj Drejtorinë e Turizmit dhe Drejtorinë e Trashëgimisë kulturore”. Për secilën nga këto drejtori ka pasur edhe drejtorët përkatës, ku tre drejtorë i kishte turizmi, përkatësisht Drejtorin e Përgjithshëm, Drejtorin për Politikat e Turizmit dhe Drejtorin për Statistikat dhe një për Trashëgiminë Kulturore.

Gjatë fazës së ristrukturimit të Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë për Zhvillimin Urban dhe Turizmin, Drejtori i Përgjithshëm i Turizmit mbetet në një pozicion të vështirë, sepse një pjesë e drejtorisë që ka pasur në varësi i takon strukturës së Ministrinë e Kulturës nën varësinë e ministres Mirela Kumbaro dhe një pjesë tjetër po e kësaj drejtorie i takon ministrisë për Zhvillimin Urban dhe Turizmin në varësinë e ministres Eglantina Gjermeni.

Ndërkohë mësojmë se dega e Turizmit në Ministrinë për Zhvillim Urban dhe Turizëm nuk i ka hartuar ende organikat e reja. Kështu ka pohuar dje për gazetën “Shqiptarja.com” përgjegjësi për marrëdhëniet me shtypin Ervin Peçi i ministres Eglantina Gjermeni. “Ende po hartohen strukturat dhe organikat, nuk kemi çfarë të flasim”, tha ai për gazetën.   
 
Shkrimi u publikua sot (26.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024