TIRANE- Kandidatët që janë regjistruar në një cikël studimesh master me kohë të plotë apo part-time pranë fakultetit të Drejtësisë në Tiranë janë përfshirë nga amullia.

Kjo pas një urdhri që ky fakultet ka marrë dy ditë më parë nga rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, se në listën e fituesve do të bëjnë pjesë vetëm ata që kanë mbaruar studimet pranë këtij fakulteti dhe nuk do të pranohet asnjë student nga universitetet e rretheve apo universitetet private. E thënë ndryshe, në këtë cikël studimesh tek fakulteti i drejtësisë, do të mund ta gjejnë emrin në listën e fituesve edhe kandidatët që e kanë mesataren 5 të bachelorit , por nuk klasifikohet fitues një student që ka mbaruar bachelorin, ta zwmw, në fakultetin e Drejtësisë në Shkodër me mesatare 10-të.

Dekani i këtij fakulteti, Altin Shegani, shprehet për “A1 report” se e ka mësuar këtë vendim të rektoratit vetëm dy ditë më parë, kur i ka ardhur lista e kandidatëve fitues në të gjitha profilet e masterit të firmusura nga rektori. “Në bazë të të gjitha udhëzimeve ne shpallëm aplikimet dhe listat me kandidatët fitues i dërguam për miratim në rektorat.

Mirëpo ditën e hënë na erdhi lista e fituesve bashkë me një shkresë nga rektori ku thoshte se do të miratonte si fitues vetëm kandidatët që kanë përfunduar studimet tre-vjeçare në fakultetin e Drejtësisë në UT. Për ne ky nuk është një vendim i drejtë, pasi edhe ne si fakultetet u kemi dhënë prioritet studentëve tanë, por në vendet e mbetura bosh nuk ka kuptim të mos futen kandidatët që na vijnë nga universtetet e tjera publike apo edhe nga private, sipas kriterit të notës mesatare.

Ne do të zbatojmë urdhrin e rektorit, por gjithashtu do t’i kërkojmë sqarime të mëtejshme për këtë vendim”, - na thotë dekani Shegani. Burime pranë rektoratit të UT-së, sqarojnë se vendimi është marrë për të verifikuar diplomat, por edhe dëftesën e shkollës së mesme të kandidatëve, pasi ka dyshime se mund të jenë të falsifikuara.


master fitues me logo
(Faksimile e udhezimit te dekanit te Fakultetit te Drejtesise)

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)