Anëtarja e Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, Ermelinda Meksi, nuk do të dëshmojë sot në Komisionin e Ekonomisë. “A1 Report” siguron shkresën e Meksit drejtuar Kuvendit, në përgjigje të kërkesë së Komisionit të Ekonomisë për raportim lidhur me vjedhjen e thesarit të Bankës së Shqipërisë. Në shkresën dërguar Kuvendit, e cila mban datën 5 shtator 2014, Ermelinda Meksi sqaron se për këtë çështje ka dëshmuar në Prokurori, në po këtë datë.
 
“Mbi sa më sipër, dëshmia ime në Komisionin e Ekonomisë dhe të Financës, në datën 08.09.2014, dëmton procesin hetimor të nisur tashmë nga Prokuroria, si dhe cenon sekretin e hetimit duke më implikuar personalisht, sipas Kodit Penal”, shkruan Anëtarja e Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, Ermelinda Meksi, në letrën drejtuar kreut të Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe.
 
Për dijeni shkresa i është dërguar edhe Kreut të Kuvendit Ilir Meta dhe Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla.