Ana Abdi: Unë rebelja
antikonformiste që garoj për FRESSH

Ana Abdi: Unë rebelja<br />antikonformiste që garoj për FRESSH
Ana Abdi është një nga 8 finalistet e FRESSH-VOICE, e cila kërkon votën e anëtarëve të forumit të saj që në 22 tetor të zgjidhet në krye të FRESSH. Studentja 22 vjeçare e inxhinierisë së ndërtimit, e lindur në Tiranë, thotë për Shqiptarja.com se nuk aspiron një post deputeti përmes kësaj gare. 

Cila është historia juaj në FRESSH?
Kam filluar të jem pjesë e FRESSH në vitin 2010, kur isha vetëm 16 vjeç dhe Partia ishte thuajse bosh, por ama ishte i vetmi vend i përshtatshëm për një të re rebele e antikomformiste si puna ime. Mbaj mënd që ardhja ime ishte së pari një rebelim ndaj keq qeverisjes, mospajtim me veprimet e tyre, pasi po ndjeja pasojat e keq qeverisjes në shkollë, në rrugë, në shtëpi, në televizor… nuk erdha për të sjellë ndryshimet e mëdha, erdha në shenjë mosbindje ndaj atyre që kërkonin të na nënshtronin me dhunën e pushtetit. Por duke qenë pjesë e aktiviteteve që organizoheshin në FRESSH fillova të shikoja një realitet tjetër. Mbaj mend realitetin që preka me autobusin e Rilindjes në 2013, ai realitet që ishte përtej mureve të shtëpisë sime dhe përtej Tiranës… Fillova të formësohem si individ, të kuptoj çfarë dua në jetë. FRESSH ka qenë një pjesë e rëndësishme e kohës time dhe e zgjedhjeve të mia në jetë. 

Elisa Spiropali
 (Elisa Spiropali me tetë finalistët e FRESH VOICE)

Cilat janë 5 vetitë tuaja që besoni se ju favorizojnë për ta fituar ju garën?
Përgjegjshmëria dhe disiplina e organizimi i punës janë tre cilësi që i kam shumë të theksuara. Duke qenë se që e vogël jam mësuar më punën në grup dhe skuadër dhe që herët kam qenë drejtuese e një sipërmarrëse kam mësuar se si pa këto tre cilësi asgjë nuk është e mundur. Vizioni dhe pasioni për të bërë gjëra të mëdha janë gjithashtu cilësi të mira të miat, por asgjë nuk është e mundur pa përgjegjshmëri disiplinë frymë grupi dhe organizim. Dhe çka më favorizon më tepër, është natyra ime guximtare, kurajoja dhe idealizmi. Kam hyrë në këtë garë ndoshta me një mendim paksa naiv se mund të transformoj rininë shqiptare e të zgjoj tek ato dëshirat dhe pasionet për të ecur përpara. Në FRESSH, nuk kam ardhur për tu pozicionuar në ndonjë post politik apo ndonjë karrige administrate, por kam ardhur me dëshirën dhe pasionin për të bërë gjëra të mëdha. Fakti që nuk bëj kompromis për poste më favorizon pa masë për të çuar përpara vizionin tim.

Cilat janë tre objektivat themelorë ku ju doni ta çoni FRESSH nën drejtimin tuaj?
Unë mendoj që FRESSH aktualisht është shumë në numër. Me FRESSH VOICE është dyfishuar numri i anëtarësisë. Ky ka qenë një proces shumë përpirës dhe interesant në llojin e tij. Për mua ka qenë shumë interesant fakti që të gjithëve ju është dhënë mundësia të dëgjohen. Është bërë një audicion në 12 qarqet e vendit, ku më të mirët janë përzgjedhur për të kaluar në fazën e votimit online. Kjo fazë ka qënë shumë interesante dhe këtë e shikon shumë lehtë vetëm duke parë faqet e rrjeteve sociale të të gjithëve ne kandidatëve. Të gjithë harruam pushimet dhe merreshim me fushatën online që ishte një emocion më vete. Angazhuam shokë, familjarë, fqinjë, të njohur dhe filluam të kërkonim vota online duke i bërë të gjithë, me apo pa dashjen e tyre, pjesë të garës tonë. E thashë gjithë këtë, për të vënë theksin se FRESSH ka nevojë për organizim, për dikë që ka vullnetin dhe vendosmërinë për ta çuar atë përpara. FRESSH nuk duhet të jetë vetëm një grumbullim njerëzish që organizohen vetëm në fushata dhe për zgjedhje, por një FRESSH ndryshe nga sa jemi mësuar ta shohim së fundmi. Aktualisht jam në bisedime për të tërhequr fonde për ngritjen e një qendre rinore për të rinjtë jo vetëm të FRESSH dhe të Shqipërisë, por për të rinjtë e Ballkanit. Kjo nënkupton më shumë fonde e projekte për zhvillimin, arsimimin e shkëmbimin e eksperiencave të mira… kjo do të thotë komunikim për adresimin dhe zgjidhjen e problematikave që prekin të rinjtë. Kjo nënkupton që ne do të përpiqemi fort, të gjithë bashkë që pjesë e FRESSH-it të jetë ajka e të rinjve, që do të kontribuojnë në mënyrë vendimtare në politikat që do të prekin të rinjtë. Do të jenë zëri, jo vetëm i të rinjve, por do të jenë një zë në mbrojtje të interesave kombëtare. FRESSH do jetë motor lëvizjeje që do të shkundë modelin e të riut shqiptarë, do jetë rizgjim dhe distancim nga të rinjtë që rrinë kafeneve, do të jetë fenomen dhe ndikues me peshë në politikë, ku do të kërkojë përfaqësim dinjitoz, FRESSH do të lëvizë dhe do të ndihet që është gjallë, do ta shihni si pjesën më vitale në politikën shqiptare… Ky është premtimi im për të gjithë ata që duan të na bashkohen ne të rinjve socialist… 
Nëse fitoni, cilin nga 8 finalistët do të zgjidhnit si krahun tuaj të djathtë, ose do t'i dëshironit fitoren në rast se ju nuk do të renditeni të parët?
Unë mendoj që juria ka qenë shumë e kujdesshme kur ka bërë përzgjedhjen e kandidatëve për Kryetar. Ne të 8-të jemi një skuadër perfekte që do të jemi në drejtim të FRESSH. Është e pamundur të cilësosh njëri si më të aftë se tjetrin, sepse secili ka një element që tjetrit i mungon dhe të gjithë ne bashkë bëjmë skuadrën perfekte që plotësojmë njëri-tjetrin në çdo aspekt. Ne socialistët kur duam mund të bëjmë mrekulli dhe unë jam e bindur që ne të 8-të do dalim përtej çdo parashikimi dhe pritshmërie. Do ta ngremë FRESSH-in shumë lart dhe kjo do jetë për mirë. Jam e bindur që kushdo që të jetë kryetar do të ketë mbështetjen dhe bashkëpunimin e të tjerëve dhe kjo do të na çojë përpara. Pas zgjedhjeve do të kemi mundësi t’jua tregojmë dhe provojmë dëshirën tonë të përbashkët për të ngritur FRESSH-in lart.
 
Cila është kërkesa juaj e parë për Edi Ramën nëse fitoni garën?
Unë mendoj që për të bërë kërkesa, së pari duhet të tregosh që e meriton të kërkosh, duke i justifikuar kërkesat e tua. Duhet të jesh i aftë për të kërkuar dhe duhet t’i lësh vend vetes për tu dëgjuar. Nuk është në natyrën time të bej kërkesa utopike apo të pamerituara. Unë mendoj që gjërat duhet të fitohen dhe meritohen. 

A do të kërkoni të jeni në listën fituese për deputet i parlamentit të ardhshëm nëse fitoni garën për FRESSH?
Nuk mendoj se është fitimi i garës së FRESSH apo të qënit FRESSH-ist fakti që më bën mua apo çdo anëtar tjetër të jetë favorit të bëhet deputet. Mendoj se pas përgjegjësisë së të qënit deputet duhet shumë vullnet, punë, disiplinë dhe përkushtim. Çdo qytetar që ka vizionin, vullnetin, dëshirën e mirë dhe cilësitë e sipërpërmendura për ta çuar Shqipërinë përpara e sigurisht do të merret me politikëbërje, mund të jetë favorit për tu bërë deputet. Patjetër që FRESSH është një trampolinë e mirë, por është puna, dashuria dhe përkushtimi ndaj idealeve të përbashkëta ajo që lë vend për të kërkuar e arritur të jesh pjesë e listës së deputetëve. 

Nëse Edi Rama ju kërkon një bilanc të qeverisjes së tij, a do mund t'i rendisnit tre sukseset dhe tre kritikat kryesore?
Kjo qeveri ka shumë suksese që ne si të rinj socialist na bëjnë të ndihemi krenarë. Do veçoja si ndër më të mirat reformën në Policinë e Shtetit, Reformën Administrativo-Territoriale dhe si një vlerë të kësaj qeveria si dhe strategjinë kombëtare anti-korrupsion. Sot qytetarët dhe veçanërisht të vegjlit e shohin punonjësin e policisë si hero, si një njeri ku mund të kenë besim. E njëjta gjë vlen për gratë e dhunuara, viktimat e trafikut dhe viktimat e krimit në përgjithësi. Reforma Administrativo-Territoriale, e cila tashmë ka filluar të marrë përfitimet e para, ka rritur ndjeshëm efektshmërinë e menaxhimit të territorit dhe shërbimit ndaj banorëve. Qasjet e qeverisë në lidhje me luftën ndaj korrupsionit kanë filluar të japin efektet e para. Si punonjësit ashtu dhe qytetarët e dinë që janë në monitorim të vazhdueshëm, e dinë që eprorët e tyre nuk do bëjnë një sy qorr dhe një vesh shurdh para abuzimit të tyre. Sot ka portale ku të gjithë qytetarët janë të lirë të denoncojnë në mënyrë që të përmirësohen shërbimet që marrin nga çdo institucion. Sot falë nevojave të vendit për të ecur drejt Europës, jemi në një fazë shumë të rëndësishme e cila është ndërmarrë falë vullnetit dhe vendosmërisë së kësaj qeverie për miratimin e Reformës në Drejtësi. Sigurisht që ka akoma shumë për të bërë dhe nuk mund të bëhet në katër vjet ajo që për 20 vite me radhë ka qënë në rënie të lirë. Duhet bërë me shumë në kuadër të kontrollit dhe cilësisë së ushqimeve dhe bujqësisë. Sigurisht që ka vend për shumë kritika por këto bëhen në kohë refleksionesh. Tani është momenti që ne të japim zgjidhje, jo të ngremë kritika. 

A mendoni se partia juaj veproi drejt me miratimin e ligjit të mbetjeve?
Ne nuk i kemi tradhtuar shqiptarët kur ndaluam importin e plehrave nga jashtë; nuk i kemi tradhtuar kur kaluam ligjin e ri që s'ka të bëjë gjëkundi me lejimin e importit për plehra që digjen apo groposen në Shqipëri; nuk do t'i tradhtojmë kurrë për asnjë interes që bie ndesh me interesin e tyre e të fëmijëve tanë! Ligji i ri është vetëm normalizimi i jetës për industrinë e lehtë të riciklimit, 100% sipas legjislacionit të gjelbër të BE-së, e cila blen mbetje letre, plastike, alumini apo druri dhe i kthen në lëndë të parë për prodhimin e ambalazheve, shisheve plastike, kanaçeve të aluminit apo material bio për ngrohje (pelet). Ishim vendi i vetëm në Europë pa këtë ligj dhe sot jemi thjesht një vend si të tjerët, në rajonin tonë apo në Bashkimin Europian. Si inxhiniere ndërtimi e shoh qëndrimin kundër si një propagandë nxitëse dhe disinformuese për qytetarët nga ana e opozitës me anë të influencave që vazhdon të ketë në media. Personalisht e shikoj si një mundësi zhvillimi të ekonomisë shqiptare. Do të hapen mbi 100 fabrika dhe me këtë unë shoh më shumë vende pune, më shumë lëndë e parë dhe vetëm zhvillim ekonomiko-mjedisor për Shqipërinë. 

Skema e pranimit në universitete ishte ndër më të kontestuarat këtë vit. Shumë të rinj ishin të dëshpëruar apo të paqartë. Ju si pjesë e strukturave qeverisëse, por njëkohësisht si përfaqësues i të rinjve, do të kërkoni reflektim nga qeveria për këtë çështje?
Sigurisht që duhet të ishte bërë një informim më i mirë i maturantëve, të cilët krahas vështirësisë dhe stresit të provimeve patën edhe probleme që erdhën si rezultat i ndryshimit të ligjit dhe pamundësisë së tyre për të qënë të informuar në kohë. 

Ana Abdi
 (Ana Abdi)

Aktivizimi 
Kam filluar të jem pjesë e FRESSH në vitin 2010, kur isha vetëm 16 vjeç dhe Partia ishte thuajse bosh, por ama ishte i vetmi vend i përshtatshëm për një të re rebele e antikomformiste si puna ime.

Deputeti
Patjetër që FRESSH është një trampolinë e mirë, por është puna, dashuria dhe përkushtimi ndaj idealeve të përbashkëta ajo që lë vend për të kërkuar e arritur të jesh pjesë e listës së deputetëve.

Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë