Ana e errët e partizanëve:Sekuestro
mobilizime me forcë,djegie fshatrash

Ana e errët e partizanëve:Sekuestro<br />mobilizime me forcë,djegie fshatrash
Dy dokumente autentike të vitit 1944, dëshmojnë një anë të shumëdiskutuar të viteve të Luftës, polarizimit të skajshëm të marrëdhënieve mes forcave nacionalistë e atyre partizane, të cilat reflektonin edhe në popullin e thjeshtë.
 
Mobilizimet me forcë në rradhët e ushtrisë nacional çlirimtare, kërcënimet, djegjet e fshatrave, sekuestrimet e pasurive, e shpesh edhe ekzekutimet me gjyqe te dyshimta, shfaqen në një varg dokumentesh sidomos gjatë vitit 1944.
 
Për lexuesit tanë do të sjellim sot dy dokumente që flasin pikërisht për mobilizimet me forcë, dhe kërcënimet, djegjet e fshatrave të tërë, sekuestrimet e pasurive të fshatarëve etj, vetëm pse nuk kontribuonin për të shtuar rradhët e partizanëve apo nuk jepnin pasuritë e tyre, kafshë e ushqime si kontribut për Ushtrinë Nacional Çlirimtare.
 
Dokumenti i parë është një letër e Kolë Terovës, ku shkruan për mobilizimet me forcë dhe kërcënimet nga brigadat partizane për sekuestrime e djegje shtëpish për të gjithë ata qe refuzonin të luftonin në rradhët e partizanëve, ku një prej viktimave ishte ai vetë.
 
Ndërsa dokumenti i dytë sjell dëshminë e një qytetari nga Okshtuni i Dibrës, i cili ankohej për sjelljen e Baba Faja Martaneshit dhe forcave të tij partizane. Ky dokument dëshmon gjithashtu edhe për mobilizimin me forcë. Më poshtë i sjellim të plota këto dokumente bashkë me faksimilet e tyre, zbardhur sipas origjinalit që ruhet në AQSH.
 
Dokumenti 1 
Letër e Kolë Terovës për Shtabin e Përgjithshëm të UNÇ-së
 
[15 shtator 1944]
 
SHTABIT NACIONAL ÇLIRIMTAR
 
Unë i nënshkruari Kola Llazo Terova lindur në katundin Terovë dhe banues prej më shumë se 25 vjet në qytetin Korçë kam nderin t’Ju paraqit lutjen që vijon:
 
Sot më datë 15 Shtator 1944 dhe më ora 12 para dite mu dorëzua këtu në Korçë një letër e dërguarë prej Komandantit të Bataljonit Brig. XV Amdi Babanit të cilën po e përshkruaj tekstualisht si vijon:
 
“ V. F. L. P. 15/IX/1944 shokut Kostë Tërova”
 
Për mobilizimin që u bë në Tërovë Këshilla e Katundit Tërovë caktojë edhe për Kollan që të vijë ushtar qoftë se nuk vjen sot do t’ju merret malli bagtija shtëpija do tu digjet dhe juve do të shkoni drejt Gjyqit Popullit, shoku Amdi Babani Kom: Bat. Brig. XV. ”
 
gjitha’shtu me këtë datë mu dorëzua dhe një letër tjetër dërguarë nga shoku Pirro i cili ndodhet afron prej 2 vjet në katundin Tërovë si vijon:
 
“Vëllazëria Tërova qe kundër kur ka filluarë lëvizja Nazional Clirimtare e deri sot, familja tuaj nuku e ka ndimuhar luftën sic duhet sa u kemi hequr vërjtjen shumë herë por ju nuku ini bindur mos kujtoni se do ju heqim vërejtjen dhe tjetër herë jo! por do të arestoji dhe do të shkoni të gjykohjë pranë Shtabit. Në katundin t’uaj kanë ardhur bataljona partizane, e gjithë fshati ka hequr baza, i kanë larë, i kanë ndruarë, ju kanë bërë gjithë shërbimet, vetëm shtëpija t’uaj ka qëndruarë e ftohtë karshi luftës t’onë; baza ska hequr, partizanët nuk i ka larë as i ka ndruarë, sa herë janë bërë fushata në bukë e të tjera nuk kini dhënë po Ju lajmërojmë që të mos hiqni as një qillo fasule misër grurë, bar prej fshatit t’uaj duhet ta lini në fshat, kështu është urdhëri i Partisë, nuk duhet të shkojë as një koqe bereqet në shtrofkat ku sundun armiku “Nazizmi”; Në qoftë se nuku i përgjgji këtyre fjalëve merren masa të repta, lufta t’onë kërkon ndima njerëzore dhe materiale e jo spektatorë “sehirxhinj 15 /9/1944 të fala Partizane Pirrro d. v.”
 
Po me këtë datë na dërgojë një letër dhe këshilla e katundit Tërovë si vijon:
 
“Me urdhër të Brigatës XV Këshilla Nazional-çlirimtare e Katundit Tërovë, vendosi mobilizimin e 8 personavet midis këtyre 8 u caktua dhe Kola Llazo Tërova, që të shkojë sa ma parë në radhët e Bataljonit Brigatës XVtë si kundër shkuhanë fshatarët e tij. Në qoftë se nuk i përgjigji kësaj thirrje ju sekuestrohen pasurija, dhe ju digjet shtëpija që kini në Terovë”.
 
Me keq’ardhje Ju njoftojë se një letër e tillë nuku më mbesohej që të vinte nga një Komandant si do mos e adresuarë në një pjesëtar i një familje e cila ka qëndruarë e përpiktë në Ideollogjinë e Partisë dhe ka dhënë ndimat ekonomike dhe morale të konsideruëshmenë Partinë; të cilat ndima në rast nevoje munt ti provojmë me dokumenta, gjith’ashtu dhe vëllaj im Kosta në çdo rast që është thëritur në no një mbledhje publike prej autoriteteve të vëdit ka qenë një nga të paktit persona që ka folur kundra ballit duke përkrahur Partinë, pa marrë parasysh reziqet dhe kjo provohet në listën që i është dhënë komandës gjermane që t’arestojë, njëkohësisht Ju njoftojmë se dhe në kohën e lëmit kur ndodhesha në katunt për të ndimuarë vëllanë t’im kur kryetarët e çetave të ballit rodhë në Katundin Tërovë të cilët
 
përveç që na grabitnë bereqet dhe të holla si neve ashtu dhe katundarët, rekrutuanë me zor 22 djem të Katundit të cilën e konstatova vetë dhe kundërshtova dhe për këtë arësye më goditnë dhe më muarë nënë vërejtje katër dit resht dhe mbasi paguamë një shumë t’hollash më dhanë një lejë për katër dit, dhe kështu unë së bashku me vëllanë t’em u detyrova të largohemi nga Katundi duke lënë gjithë pasurinë në mëshirën e çetavet të ballit gati njëzet ditë.
 
Letra e Komandantit më njofton se unë duhet të paraqitem në Komandën e nalt-përmëndur brenda ditës d. m. th. Brenda një kohe ma pak se 5-6 orëve, dhe në rast të kundërt do të marrë masa ekstreme jo vetëm kundrejt meje por edhe kundra vëllajt t’im Kosta.
 
Unë e di mirë se deri tash të tilla masa nuku janë marrë kundrej atyre që kanë qënë armiqtë më të fort të Partisë dhe qe kanë bërë masakra dhe grabitje popullit pa përjashtim, dhe habitem si Komandanti në fjalë të marrë masa të tilla kundrejtë një personi si i nënshkruari pa patur as më të voglin shkak, gjith’ashtu dhe Këshilla e Katundit Terovë pa patur asnjë të drejtë që të vepërojë dhë të vendosë mi personin tim ka vendosur dhe ka paraqitur listën e vulentarëve ku më ka përbledhur dhe mua pa pyhetur dhe pa patur as më të voglën të drejtë mbasi unë nuk mvarem prej Këshillës të katundit Tërovë për të cilën nuk kisha të drejtë ta zgjithnja por vetëm kam të drejtë të mar pjesë në zgjedhjet e këshillit të mallës time në qytetin e Korçës. I nënëshkruari i datë lindjes 1896 i cili jam përjashtuar nga shërbimi ushtarak që në kohërat e para dhe që nuk e kam kryer shërbimin ushtarak, dhe njëkohësisht nga burrime ma se të sigurta nuk kemi mësuarë deri më sot që Shtabi të ketë marrë nënë armë persona që nuk kanë kryher shërbimin ushtarak dhe në mosh[ën] 48 vjeç.
 
Në rast se Shtabi ka vendosur mobilizimin të përgjithëshmë dhe të thëresë nënë-armë gjithë shokët e katagorisë time dhe të moshës sime këtu në qytet, orse të marrë parasysh listën që vendos Këshilla e Katundit e cila pa patur as më të voglën të drejtë të vendosë për persona që banojnë jashtë rethit të mar pjesë si gjithë shokët e minj.
 
Letra e dërguarë nga shoku Pirro na idhron pa masë se është informuarë shumë keq, se si thamë ma nalt neve e dimë që kur doherë që na është kërkuarë ndihma si në Katund ashtu dhe këtu në Korçë nuku kemi refuzuarë kurrë por kemi marrë pjesë volentarisht dhe me dëshirë të plotë dhe kemi përkrahur luftën dhe Partinë, gjith’ashtu kemi ndimuharë dhe po ndimojmë disa familje të cilat kanë nevojë si në bereqet ashtu dhe në t’holla.
 
Ju njoftojmë se përveç arësyheve të nalt-përmëdura si kundër mbesojë se do të jenë në dijeninë t’Uaj se në një listë që i është paraqitur komandës gjermane figuron dhe vëllaj tim Kosta i cili ka ma tepër se një javë që po fshihet, prandaj, me largimin tim duhet të mbyllim magazenë t’onë, gjë e cila do të bjerë më një njëherë në sy t’okupatorit i cili pa tjetër do të marë masa ma të repta jo vetëm kundrejt neve të dyve personave të nalt-
 
përmëndur por dhe kundrejt familjes e cila ose duhet të çduket krejt prej qytetit ose të qëdrojë të arestohet, gjë e cila nuk shpresojmë të gjendet e arësyeshme as prej vetë Shtabit.
 
Lutemi prandaj, të kini mirësinë që mbasi të këqyret cëstja në fjalë, në rast se ka mundësi të na njoftohet përfundimi dhe njëkohësisht të lajmërohet Komandanti, Këshilla dhe shoku Pirro që të mos merren masat si ma sipër pa patur as më të voglën të drejtë dhe arësyhe.
 
(AQSH, F. 41, V. 1944, D. 121, FL. 8-9)
 
Dokumenti 2 
KOMITETIT QENDRUER TË PARTISË NAC.-ÇLIRIM.
 
TIRANË
 
(14 gusht 1944)
 
Në fillim kur rinija pa dallim rroku armët kundra okupatorit, të gjithë ishim jo vetëm simpatizues, por edhe përkrahsit e tyne në çdo mëndyrë.
 
I ushqejshim, i lajshim, i bujtshim, i furnizojshim me municione, tuj marrë P. SH. Gjindarmve e tuj ju dhanë atyne. Vetë shkruesi i këtyne rreshtave kamë qenë aj qi në kohën kur vazhdojshin ndjekjet ma të rrepta nga ana e Italianëve kundra tyne, tuj rreziku jetën time, ju kamë dërgue letra e të holla nga Tirana në Dibër ma se dy tri herë, fakte këto qi janë të gjalla.
 
Të gjitha këto qi sipër-përshkrova i kemi bamun vetëm e vetëm nga vullneti i mirë e nga as gja tjetër; nga se qëllimi ishte i përbashkët e jo se na detyronte kush, mbassi në kët kohë Partija N. Ç. nuk kish arrijtë me formue n’as nji vend të Dibrës Këshillat e veta. Asht aq e vërtetë kjo sa qi kemi si prova shumë persona në Dibër të kategorisë së dytë qi për sjelljet e tyne gjoja jo të mira, Partija N. Ç. I kish dënue me vdekje, por mbas përgjegjes me letër qi këto i dhanë, Partija nuk mundi me ja arrijtun qëllimit për me eksekutue vendimit e veta, jo për gja tjetër, por për të vetmin qëllim se në Dibër nuk dominonte me forcë, por bashk-jetonte vullnetarisht.
 
Kështu vazhdojë puna deri në prishjen e Lidhjes së Shpejtë të Mukajve, ku qëllimi i përbashkët u nda ndër partina dhe fillojë vlla-vrasja.
 
Ne këtu nuk kemi qëllim me ba histori, por duem me ju paraqitë ate qi na përket personalisht.
 
Familja e jeme ka qenë gjithmonë nacionaliste, dhe si e tillë asht djegë dy herë, plaçkit tri herë, emigrue tri herë e torturue kush di sa herë nga armiqt t’onë shekullorë, Serbët, emni i të cilve na rrënqeth lëkurën e shtatit. Për shpëtimin e Shqipnisë jamë gadi edhe sod të sakrifikoj prap plang, Shtëpi e pasuni pa pikë dhimbe, por e vërteta asht se asnji nga pjestarët e familjes
 
s’eme as nuk janë t’idesë, as nuk kanë ba dhe as nuk bajnë pjesë në Partinë Komuniste.
 
Dimnin e kaluem, mbas shkatërrimit të Partisë N. Ç. na katundin Kostenjë të Elbasanit, ku u zue rob edhe Gjenerali Englez Daëis, Baba Faja (Faja Xhani) bashkë me Haki Stërmillin, tuj qenë të shoqnuem me nga 2-3 persona të tjerë, kur nuk i qaste kurrkush, u strehuen në katundin t’onë, n’Okshtun të Nënprefekturës së Zërqanit në Dibër, ku ndejtën deri në daljen e Prandverës e qi u larguen me rastin e formimit të Qeverisë Partizane të Përmetit.
 
Mbëshehjen e tyne në katundin t’onë e kemi dijtun qysh në ditët e para. Zhdukjen e tyne, po të dishirojshim mund t’a bajshim vetë fare lehtë, pa pasun fare nevojën e ndihmës së Qeverisë; por tuj marrë parasyesh se edhe ato ishin Shqiptarë, dhe n’anë tjetër, tuj qenë se nuk dishirojshim, siç nuk dishirojmë as tash me ba vlla-vrasje, përkundrazi i kemi mprojtun kundra çdo informate qi merrshin autoritetet Qeveritare me anën e organeve të veta, gja për të cilën shpesh jemi akuzue nga autoritetet.
 
Por e mbëshehta1 tash na del lakuriq. Paskim qenë të gabuem. Realiteti qindrueka ndryshe. Ide qenka forca; ajo u imponueka e nuk u këshillueka; përhapja e sajë u baka me absolutizëm e në formë diktatorije e jo me vullnet; i forti imponon të ligun2 dhe i armatosuni të ç’armatosunin.
 
Ja pra nji shembull reale qi ka ndodhun para pak ditve në katundin t’im:
 
“Në rastin e hymjes së çetave partizane në Dibër, Baba Faja, mbassi formon Këshillin në katundin Okshtun, sa do qi jashta vullnetit të popullit, mbas pak ditve i thërret të gjithë popullin e katundit burrë për shtëpi në Kaptinë të Martaneshit. Populli, si mbas zakonit të vendit, për mos me folun të gjithë, përfaqsojnë Ismail Ballën me folun n’emën të tyne. Fillon bisedimi nga ana e Babajtë, tuj kërkue rekrutim në popull. Kur fillon Ismaili me ju përgjegjun, jo vetëm qi nuk e lejon me çfaqun dishirat e mejtimin e popullit, por përkundrazi e ofendon me fjalë fyese e qi nuk i kanë hije nji personi qi Baba Faja, qi mbi të gjitha mbanë edhe petkun fetarë.
 
Mbledhja mbyllet pa u përfundue nga ana e popullit, vetëm me fjalën e Babajt “dërgoni djemt sa ma parë se përndryshe ju djeg shtëpijat![”]
 
Mbas tri ditve thirret prap populli në vendin e maparshëm. Këtë radhë në shtëpinë e Ismailit, shkon djali i madh i tijë, Teufiku, i cili njikohsisht asht edhe mësues në shkollën t’onë. Mbas fillimit të bisedimeve, Baba Faja, i shtymë nga nji bashk-katundarë i jonë, Hamit Hoxha, njeri aventurier, qi ma parë ishte Oficer rezerv i Mbretit Zog, ma vonë Fashist, mandej Oficer-rezerv i Qeverisë tashme e tash na qenka ba Krytarë Çete, a nuk dijë se ç’ka në Partinë N. Ç. tuj gjet shkas Babajë nga nji përgjigje qi gjoja Teufiku i paska dhanun të pa përshtatshme me qëllimin e Babajt, i kërcënohet dhe ma në fund e arreston.
 
Mbas shumë ndërhymjesh të popullit, e liron Teufikun me garanci qi në vend të tijë të shkonte nesrit vllajë i tijë i vogli, Shahini.
 
Sod pra, Shahin Ismail Balla nga katundi Okshtun ndodhet jashta vullnetit të tijë i rekrutue si ushtarë i Baba Fajës, dhe siç informohemi u ndodhka në Bulqizë, gja krejt e pa drejtë kjo dhe e pa përshtatshme me promesat e shpalluna për liri vullneti qi mbretnueke në Partinë N. Ç.
 
Prandaj, për sa parashtrova ma sipër, kërkoj t’urdhënoni lirimin e tijë dhe pruemjen e tij këtu në Tiranë mbrenda gjasht ditve, tuj fillue nga data e sodshme, mbassi nuk dinë rrugë me ardhun vetë.
 
N’Okshtun informohemi se janë marrun edhe të tjerë, por qoftë vullnetarisht, qoftë jashta vullnetit të tyne, nuk m’intereson. Ajo qi m’intereson dhe më shtërngon me marrun masë asht lirimi i Shahinit dhe mos prekja e familjes së tijë, mbassi me te më lidh ngushtë gjinija dhe gjaku.
 
Shtoj se vetëm mbrenda në Tiranë njof fare mirë ma tepër se 100 (nji qind) komunista, por siç theksova edhe ma nalt, nuk dishiroj jo vetëm vlla-vrasje, por as damin ma të vogël të tjerve, qi për mue e për gjithë ata shqiptarë të mirë qi përpiqen e luftojnë vetëm për Shqipni e jo për tjetër, janë e duhet gjithmonë me qenë vllazën.
 
Prandaj, për qetsim të nervave, përgjgjen e marrjes në konsideratë të kërkesës s’ime e pres mbrenda 24 orve, mbassi në rast të kundërt (mos marrjen në konsideratë), jashta dishirit e vullnetit t’em, nevoja më shtërngon me u sjellë në drejtim tjetër.
 
OKSHTUNASI
 
14. VIII. 1944.
 
(AQSH, F.14, V.1944, D.100, Fl.7/1-7/3)
 
Diçiturat:
 
Dok1 a dhe dok 1 b
 
Faksimile e letrës së Kolë Terovës, ku shkruan pë mobilizimet me forcë dhe kërcënimet nga brigadat partizane për sekuestrime e djegje shtëpish për të gjithë ata qe refuzonin të luftonin në rradhët e partizanëve
 
Dok 2 a,b,c
 
Faksimile e letrës së një banori nga Okshtuni i Dibrës për KQ të PKSH-së, ku rrëfen per kercënimet, djegjet e shtëvive dhe sekuestrimet e gjië familjeve të nacionalistëve shqiptarë

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Dita e Pavarësisë, Shkodra kuqezi për 112-vjetorin! Qytetarët paradë me flamujt në makina (VIDEO)

Dita e Pavarësisë, Shkodra kuqezi për 112-vjetorin! Qytetarët paradë me flamujt në makina (VIDEO)