Ana Komneni, dështimi
në politikë e bëri historian

Ana Komneni, dështimi<br />në politikë e bëri historian
Ana Komneni nuk ishte në të vërtetë ajo që përfytyrojmë ne sot, si një femër intelektuale, e miredukuar, tolerante dhe e ekuilibruar. Në radhë të parë ajo ishte një grua ambicioze me prirje të theksuara politike, tipike bizantine, ashtu siç ishte edhe formimi i saj kulturor.

Pikësëpari, fati që e kishte përcaktuar atë për tu bërë një ditë perandoreshë e Bizantit ndryshoi shpejt kahun  e tij. Ndërkohë që Ana nuk u pajtua me të. Shumë shpejt ajo ju “përvesh” punës që të bëhej me çdo kusht zonja e vërtetë e pallatit perandorak të “vllahernëve”. Por le ti referohemi përsëri historisë, për të nxjerë në pah karakterin e familjes së Komnenëve nga rridhte edhe Ana.

Aleks Komneni ishte përfaqsues i një familjeje që i përkiste aristokracisë ushtarake bizantine. Sipas Ostrogorskit (fq.24) karriera e tij nisi si gjeneral perandorak, kur në Bizant sundonte perandori Mihali i VII i dinastisë Duka. Aleksi u tregua shumë i suksesshëm në shtypjen e revoltave ushtarake të cilat synonin rrëzimin nga froni të perandorit. Të tillë mëtonjës të fronit ishin çezari Johan Dukas, Strategu Ursel (1074 ), dhe më pas me radhë dukët e Durrësit, dy Niqiforët, Niqifor Brieni (1077) dhe Niqifor Baziliaku (1078).

Ndërsa më vonë, Aleks Komneni, ai u vu në shërbim të Perandorit të ri Niqifor Botaniatit, i cili nuk e pati të gjatë sundimin e tij. Ai u martua me Irena Dukën, trashëgimtare e dinastisë që kishte qenë në pushtet, për të legjimituar sadopak lidhjet me familjet e ish perandorit Mihal VII Duka (Ostrogorski. Historia e Perandorisë Bizantine, fq.245). Kështu pasi e detyroi perandorin aktual Niqifor Botaniati të abdikonte, Aleksi u shpall perandor në 4 prill 1081. Në vijim të politikës së forcimit të pushtetit të tij, Aleks Komneni, “futi” në lojë edhe të bijën, Anën, të cilën e ktheu qysh herët në moshë të vogël në “instrument” të saj.

Ja seç thotë përsëri në Historinë e tij të Bizantit, Georg Ostrogorski. “Në fakt, Aleksi, i cili dikur erdhi në fuqi falë aleancës me familjen Duka, fillimisht emëroi si pasardhës të tij djaloshin Kostandin Duka, djalë i Mihalit VII, të cilin e kishte fejuar me vajzën e madhe Anën. Por me lindjen e djalit të parë, Joanit, Perandori Aleks ia kaloi këtij të fundit të drejtën e trashëgimnisë (1092). Me këtë akt kryhej akti vendimtar për themelimin e dinastisë së Komnenëve dhe kur pak më vonë djaloshi Kostandin Duka vdiq, çdo pengesë për të siguruar vazhdimësinë e fronit u duk se u zhduk. Por një zgjidhje e tillë plagosi sedrën tepër të ndjeshme të princeshës Ana. Pas vdekjes së parakohëshme të të fejuarit të saj, ajo u martua me Niqifor Brienin (1097) dhe shpresonte që froni perandorak ti kalonte burrit të saj (Ostrogorski. Po aty. Fq.266).

Kështu pak e nga pak krijohen rrethanat e “komplotit” të princeshës Ana Komneni për të marrë pushtetin brenda gjirit të familjes perandorake. Pra, motra ngrihet kundër vëllait për shkak të sedrës dhe ambicjes, shembull tipik i luftërave për pushtet në Bizant. Për këtë rast, Ostrogorski midis të tjerave shkruan se: “Perandoresha Irenë, që në fillim nuk përfillej prej tij fitoi me kohë ndikim të madh mbi Aleksin. Në çështjet e trashëgimnisë së fronit ajo u shpreh kundër djalit të vet, Joanit, dhe në favor të vajzës së preferuar Anës e të burrit të saj, Çezarit Brien. Nënë e bijë u bashkuan në përpjekjet për ta bindur Aleksin tia kalonte të drejtat sovrane Brienit.

Ai u torturua gjer edhe në shtratin e vdekjes nga lutjet dhe presionet e dy grave. Pa guxuar të shprehej qartë, Aleksi gjithsesi veproi në mënyrë të tillë që kurora ti kalonte të birit dhe ky qe mjaft i vëmendshëm e i vendosur për ti vënë në vend të drejtat e veta. Por për shkak të intrigave të së ëmës dhe të së motrës, hipja në fron e trashëgimtarit të ligjshëm mori trajtat e një grushti shteti. Ana nuk u pajtua me fatin e saj. Ajo kurdisi një komplot kundër të vëllait dhe kur edhe kjo përpjekje e fundit dështoi, u dorëzua dhe u përpoq të gjejë ngushëllim në studimet e saj. Gjatë kësaj tërheqje të detyruar (ajo u mbyll në një manastir) dhe shkruajti historinë e të atit, të famshmen Aleksiada, që e bëri të pavdekshëm emrin e saj”.

Nqs nuk do të kishte komplotuar, Ana Komneni nuk do të ishte bërë ajo që “është sot”. Dështimi në politikë dhe ëndërra e parealizuar për tu veshur me “purpur” e shdërroi atë në një shkrimtare dhe historiane. Kështu e njeh edhe Historia, për pasazhet e pafund të saj kushtuar  Aleksit, babait që dikur i hapi rrugën drejt pushtetit të premtuar dhe që më pas ja mohoi atë përfundimisht.

Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 25.08.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Vijojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në Shëngjin, por me intensitet më të ulët

Vijojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në Shëngjin, por me intensitet më të ulët