Sali Berisha ka pranuar të ulet për të diskutuar me Edi Ramën për ndryshim rrënjësor të Kushtetutës së Shqipërisë. Këto ndryshime konsistojnë në ngritjen e dhomës së senatit dhe atë të parlamentit dhe rrjedhimisht uljen e numrit të deputetëve në Kuvend.
I ftuar në studion e ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu, ishte analisti Mentor Kikia, i cili përveç këtij zhvillimi të fundit, foli dhe për darkordësinë e PD-së dhe PS-së për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale.
Kikia u shpreh se ka një paragjykim të madh për opozitën në çdo rast, dhe kur bashkëpunon, or dhe kur refuzon. Në këtë rast, Kikia e sheh si optimiste bashkimin e votave me mazhorancën për aq kohë sa produkti final do të jetë i vlefshëm.
“Reforma Zgjedhore dhe Territoriale janë dy nga sfidat më të mëdha të kësaj legjislature. Me territorialen do të zhbëhet ajo që u bë gati 15 vite më parë, ndarja e re territoriale, eliminimi i njësive vendore dhe zvogëlimi i tyre deri në 61. Ishte një dështim jo vetëm politik por dhe administrativ në raport me shërbimin ndaj qytetarëve. Kontributi i opozitës për tu bërë pjesë e reformës territoriale është një gjë e mirë.
Tjetër është Reforma zgjedhore. Jemi mësuar që pas çdo procesi zgjedhor, fillon dhe flitet për reformë. Historikisht ka mbetur për minutat e fundit, dhe atëherë nuk bëhet më reformë, por behët vetëm diçka që më shumë prish punë sesa dreqin. Angazhimi për ta ndërmarrë reformën Zgjedhore që në këtë fazë është e domosdoshme. Kur nuk bashkëpunohet, themi e ka fajin opozita, kur bashkëpunon, e akuzojnë sipas parimit që bashkoi votat me mazhorancën”, tha Kikia.
Ndër të tjera, Kikia analizoi dhe qëndrimin e opozitarit Agron Shehaj, i cili refuzon të bëhet pjesë e Komisionit për Zgjedhoren duke pretenduar se kjo është një dakordësi mes dy partive të mëdha për të zhdukur ato të voglat.
“Është një qëndrim i mirë, reformat nuk i bën dot vetëm mazhoranca dhe opozita, por shumica dërrmuese parlamentare që përbëhet nga palët. Besoj që qëndrimi i Shehajt, më shumë sesa për përbërjen e komisionit, lidhet me një dyshim të kahershëm që reforma zgjedhore, shikohet si një përpjekje e dy partive të mëdha për të minuar partive të reja. PS dhe PD gjithmonë i kanë shkelur syun njëri-tjetrit për të mbajtur një ligj zgjedhor që nuk lejon partitë e reja të favorizohen. Fjalimi i Shehajt dje ishte pikërisht që dy paritë e mëdha janë bërë bashkë për këtë”, tha analisti.
Përsa i përket ndryshimeve në Kushtetutë, analisti Mentor Kikia tha se Shqipëria e ka të nevojshme reformimin, por se kjo do një analizë të thellë për të kuptuar sesa do të funksionojë në standardin politik në vend.
Kikia tha se ulja e numrit të deputetëve është mëse e nevojshme për shkak të uljes së numrit të banorëve si dhe për të pastruar produktin që sot përbën Kuvendin, ku pjesën më të madhe analisti i ka cilësuar si jofunksionalë për postin që mbajnë.
“Kjo ide nuk lidhet thjeshtë me reformën elektorale apo ligj zgjedhor. Ndryshimi i formulës së legjislativit është çështje Kushtetuese Në Kushtetutë, Shqipëria është Republikë parlamentare me 1 dhomë me 140 deputetë. Nëse do të ndryshojë forma e legjislativit, kemi të bëjmë me një reformë të thellë Kushtetuese. Mendoj se Shqipëria është e gatshme për të marrë një reformë të tillë. Numri i deputetëve është vendosur 140 kur Shqipëria kishte mbi 3.5 milionë banorë dhe është e papranueshme që me një numër banorësh të tillë, të ketë një numër të madh përfaqësuesish. Dhe e shohim se cfarë malli vjen në parlament nga kjo lloj vote. Ka një 30% të deputetëve të artikulojnë, pjesa tjetër janë lëndë mbushëse, pa formim akademik.
Ulja e numrit të deputetëve është një propozim i mirë. Ndryshimi me dhoma, duhen parë alternativat sesa mund të funksionojë kjo në Shqipëri me këtë standard dhe nivel politik. Arroganca e PD dhe PS do të jetë tragjikisht e dëmshme në raport me demokracinë në Shqipërisë. Ndryshimi i formulës së legjislativit me numrin e ulët të deputetëve, do të ndryshojë rrënjësisht çdo gjë. Ka një risk të madh ndaj nuk duhet bërë me arrogancën e bashkimit të PD dhe PS. Nëse bie numri i deputetëve në 101, do të ngushtohet dhe më tej mundësia e partive të reja për të pasur përfaqësuesit e tyre në parlament”, tha Kikia.
Komente












