Analisti Shkëlzen Maliqi: 90%
Kurti kryeministër i Kosovës

Analisti Shkëlzen Maliqi: 90%<br />Kurti kryeministër i Kosovës
Prej mëse një jave Kosova ndodhet në një situatë të re politike pasi asnjë nga partitë apo koalicionet nuk arriti të fitonte shumicën e votave për të qeverisur e vetme .

Koalicioni PAN i përbërë nga AAK, Nisma dhe PDK me kandidat për kryeministër Ramush Haradinaj  arriti fitonte shumicën e votave si koalicion por jo mjaftueshëm.

Surpriza sigurisht ishte lëvizja Vetevendosja me në krye Albin Kurtin e cila doli forca e parë politike.

Të dyja palët kanë ftuar partinë LDK  që të formojnë qeverinë, por ende asgjë nuk është konkretizuar.

I kontaktuar nga Shqiptarja.com analisti i njohur Shkëlzen Maliqi, i njohur dhe si këshilltari i kryeministrit Edi Rama për rajonin, shprehet se LDK përcakton fituesin duke parashikuar se kjo forcë politike është më e prirur t’i bashkohet Albin Kurtit.

 "LDK-ja mbetet faktori kyc që percakton fituesin, a do te jete kryeminister Haradinaj apo Kurti. LDK me AKR-ën, edhe pse të goditura nga ngecja, tani e kane komoditetin e zgjedhjes sepse edhe me Haradinajn edhe me Kurtin mbesin ne pushtet. Por meqënëse koalicioni i mëparshëm me PDK-ne u ndëshkua në zgjedhjet, nuk duhet pritur se sërish do ta bëjnë gabimin e njëjtë. Janë më të prirë të ndihmojnë Kurtin" u shpreh Maliqi për Shqiptarja.com

Dhe nëse vetëvendosja do të  marrë në dorë qeverinë e Kosovës, a është gati  kjo forcë politike për një hap të tillë?

Sipas Maliqit kjo do të jetë një sfidë e madhe për VV dhe mënyra sesi do të pajtohen idelogjikisht me LDK.

 "Do të jetë sfidë e madhe për VV- që si parti kanë administruar vetëm Prishtinën dhe ekziston përshtypja se nuk kanë mjaft kuadro me përvojë dhe profesionalisht të përgatitur për ta udhëhequr shtetin, aq më parë që deri dje edhe e kane mohuar Republikën e Kosovës e tani duhet të punojnë për fuqizimin e këtij shteti të brishtë... do të jetë interesant edhe si do të pajtohen ideologjikisht VV me LDK, ku e para vetëpërcaktohet si parti e majte, madje edhe ekstreme, kurse LDK është parti e djathte. Disa parashikojnë se VV do të përjetoj katandisjen ideologjike si Siriza e Greqise kur të ballafaqohet me problemet reale ekonomike dhe sociale"shprehet Maliqi.

A mundet që në Kosovë të përsëritet skenari i Maqedonisë apo të zhvillohen zgjedhje të reja?
 
Maliqi përjashton mundësinë e përsëritjes së skenarit të Maqedonisë duke thënë se brenda muajit Kosova do të ketë një qeveri të re duke përjashtuar edhe mundësinë qe vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.

"Nuk ka shenja të bllokadës së situatës. 10 % janë gjasat se Haradinaj do të bëhet kryeministër, kurse 90 % janë gjasat se kryeministër do të bëhet Kurti" përfundon Maliqi.
 
Kjo është një situatë e re politike në Kosovë e cila do të përballet me plot sfida që të vijojë kursin europian.

Rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë:

Në 11 qershor  në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në një atmosferë të qetë pa ndonjë incident që do te minonte procesin zgjedhor.

Koalicioni i Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, kryeson me 34.6 për qind,

Lëvizja Vetëvendosje 26.7 për qind  

Koalicioni i Lidhjes Demokratike, Aleancës Kosova e re dhe Alternativës me  25.8 për qind.

Me keto rezultate është e qartë se as fituesi nuk e ka mundësinë të formojë qeverinë pa një koalicion me subjektet e tjera politike, pasi surprizë ishte fitorja si forcë politike e VV.

Parlamenti i Kosovës përbëhet nga 120 vende dhe asnjë forcë politike nuk mundi të marrë shumicën.

Nëse përqindjet e votave të fituara kthehen në karrige të Kuvendit, përbërja e re e legjislativit do të dukej afërsisht me 39 apo 40 deputetë të koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisëNisma.

Pastaj, me 31 apo 32 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, kurse koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës me 29 karrige.

Ndërkaq, komunitetet mbeten në kuotat e njëjta, serbët marrin 10 ulëse dhe pakicat tjera po ashtu 10 vende të garantuara.

Në kushte të tilla, koalicioni PAN me kandidat për kryeministër Ramush Haradinaj dhe VV me kandidat për kryeministër Albin Kurti i kanë bërë ftesë LDK-së për formimin e qeverisë.


Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Shpërthen viroza, dy gara olimpike në rrezik

Paris 2024/ Shpërthen viroza, dy gara olimpike në rrezik