Besimi në ekonomi ka shënuar një rënie të lehtë gjatë muajit qershor. Sipas Bankës së Shqipërisë, Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) u ul me 0.6 pikë, megjithatë vijon të qëndrojë 6.6 pikë përqindje mbi mesataren historike.
Rënia është ndikuar kryesisht nga dobësimi i besimit në sektorin e shërbimeve dhe, në një masë më të vogël, në ndërtim. Në të kundërt, industria, tregtia dhe konsumatorët kanë shfaqur përmirësim të besimit gjatë muajit qershor.
Në industri, treguesi i besimit u rrit me 0.6 pikë përqindje, i mbështetur nga pritjet më pozitive për porositë aktuale dhe ato nga eksportet. Bizneset e këtij sektori presin gjithashtu rritje të punësimit, ndërsa çmimet e produkteve që do të prodhojnë në të ardhmen pritet të bien.
Në ndërtim, besimi u ul me 0.8 pikë përqindje, si rezultat i vlerësimeve më të dobëta për kontratat porositëse. Aktiviteti aktual ndërtues mbeti i pandryshuar, ndërsa edhe pritjet për çmimet janë rishikuar në rënie.
Rënien më të fortë e regjistroi sektori i shërbimeve. Treguesi i besimit ra me 3.8 pikë përqindje, pasi bizneset u shprehën më pak optimiste për aktivitetin dhe kërkesën aktuale. Edhe pritjet për çmimet janë ulur, ndërsa pritjet për punësimin janë përmirësuar.
Ndërkohë, tregtia shënoi një rritje të besimit me 2.8 pikë përqindje, e nxitur nga vlerësimet më pozitive për ecurinë aktuale të biznesit. Edhe në këtë sektor, bizneset presin rënie të çmimeve në të ardhmen.
Edhe konsumatorët janë shfaqur disi më optimistë. Treguesi i besimit të konsumatorit u rrit me rreth 0.6 pikë përqindjeje, falë vlerësimeve më të mira për situatën financiare familjare dhe mundësinë për të bërë blerje të mëdha. Nga ana tjetër, pritjet për situatën ekonomike të vendit mbetën të pandryshuara, ndërsa pritjet për rritjen e çmimeve janë rishikuar në ulje.
Sipas të dhënave tremujore të Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e dytë të vitit 2026 është rritur shfrytëzimi i kapaciteteve në të gjithë sektorët e ekonomisë. Në të njëjtën kohë, gjendja financiare e bizneseve ka shfaqur përkeqësim, me rënie në industri, ndërtim dhe veçanërisht në sektorin e shërbimeve.
Komente









