Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, është shprehur se pavarësisht se ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku janë shtuar edhe akuza të reja, ende nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga Prokuroria e Posaçme në Kuvend për heqjen e imunitetit të saj.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi shprehet se dikush t’i kujtojë se detyra e SPAK është të zbatojë ligjin, jo të presë Edi Ramën sa të zgjidhë hallet e mëdha politike.
“Dita 9! Një lajm i keq. Ka humbur SPAK-u. Dikush t’i kujtojë se ende nuk ka sjellë në Parlament kërkesën për heqjen e imunitetit për arrestimin e Belinda Ballukut, edhe pse vetë ka njoftuar sekuestrimin e një vile të dytë të fshehur dhe akuzat e reja për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Dikush t’i kujtojë edhe se detyra e SPAK është të zbatojë ligjin, jo të presë Edi Ramën sa të zgjidhë hallet e mëdha politike”, shkruan Bardhi.
Më 9 shtator SPAK i sekuestroi një tjetër vilë Ballukut, këtë herë në Palasë, e cila njësoj si vila në Dhërmi e sekuestruar më herët, figuronte në emër të ish-futbollistit të Kombëtares, Igli Tare.







Komente
Komento