Në fund të konferencës “Fundi i një viti të vështirë, si do të jetë 2016”, u diskutuan një sërë sfidash aktuale në rajon të cilat do të jenë prezente edhe në vitin në vijim duke filluar me stanjacionin ekonomik në rajon, krizën e refugjatëve/emigrantëve si edhe kërcënimet e mundshme nga terrorizmi, dhe sfida të tjera që paraqesin pengesa për anëtarësimin e ekonomive të vendeve të Ballkanit në BE.
"Ky ka qenë një nga vitet me të vështira të kësaj dekade. Edhe pse ka pasur momente të vështira, të gjitha problemet janë tejkaluar me ndihmën e madhe të Bashkimit Evropian. Situata social-ekonomike në rajon është me të vërtetë e vështirë, fluksi i emigrantëve që vijnë e ka ndërlikuar më tej situatën politike në rajon si edhe ka rritur nivelin e kërcënimeve nga sulmet terroriste. Prandaj, u kërkua të diskutohej dhe analizohej ky vit i vështirë me përfaqësuesit e sektorit civil nga fusha e ekonomisë dhe gazetarë nga rajoni, por edhe për të parashikuar atë se çfarë do të sjelli viti në vijim ", tha Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal Goran Svilanovic, në hapje të konferencës.
Gjatë fjalës së tij, Svilanovic theksoi se ka pasur edhe zhvillime pozitive në 2015 si p.sh. ftesa për anëtarësim në NATO që iu bë Malit të Zi, ftesë e cila erdhi si rezultat i reformave në sektorin e sigurisë.
Sipas tij, arritje të tjera ishin firmosja e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit nga ana e Kosovës* si edhe fakti që Serbia hapi dy kapituj dhe pritet të hapi edhe dy kapituj të tjerë në negociatat për anëtarësim me BE-në. Svilanovic tha se ai beson se brenda pak javësh Bosnja dhe Hercegovina do të dorëzojë kërkesën për anëtarësim në BE, e cila vjen si rezultat i një marrëveshje politike që
u arrit një vit më parë.
Duke folur për rajonin, Svilanovic tha se janë tre çështje kryesore, problemi i Kosovës* dhe Serbisë, çështja e Maqedonisë, dhe funksionimi i Bosnjes dhe Hercegovinës. Sipas tij, të treja proceset janë në rrugën e duhur dhe ka një mirëkuptim për të dalë nga kriza.
Procesi i Berlinit ka ofruar një shtysë të re por çështja është se sa e qëndrueshme mund të jetë dhe se çfarë mund të bëjnë vendet e Ballkanit për të përshpejtuar procesin. Përfaqësuesit e organizatave "think tank" që ishin prezent nga sektori i shoqërisë civile kanë ndarë eksperiencat e tyre dhe kanë shqyrtuar mënyra dhe rrugë të ndryshme për të krijuar kushte që secili vend nga rajoni të jetë në drejtimin e duhur.
“Konferenca e sotme është tepër e dobishme dhe unë jam mëse i kënaqur që pata mundësinë të takoja kolegë nga rajoni të cilët vijnë nga sektorë të ndryshëm. Këshilli për Bashkëpunim Rajonal ia ka dalë të krijojë një platformë për organizatat jo-qeveritare në rajon të cilat reflektojnë mbi politika të ndryshme në nivele të ndryshme në vendet e rajonit,” tha Lejla Ramic-Mesihovic, drejtoreshë e Iniciativës së Politikës së jashtme në Bosnje dhe Hercegovinë.
Probleme të përbashkëta si sundimi i ligjit dhe çështja e krijimit të monopoleve që janë prezente në rajon janë shkaqet e një bashkëpunimi cilësor midis sektorëve civil.
"Gjatë gjithë këtyre viteve, për shkak të çmendurisë politike që po ndodhte në Ballkan, po përpiqeshim të trajtonim tema specifike dhe të sigurohemi se njerëzit që jetojnë në këto territore të përfitojnë nga ajo çfarë ne bëjmë," tha Vuk Maras nga OJQ-ja MANS nga Podgorica.
Përveçse mbledhjes së përfaqësuesve të shoqërisë civile, gazetarë nga vendet e rajonit janë takuar në Sarajevë për të diskutuar mënyrat për raportimin e çështjeve rajonale si edhe për të diskutuar se si të përmirësohet bashkëpunimi reciprok dhe rajonal në fushën e medias. Gazetarët e pranishëm kanë vënë në dukje llojet e ndryshme të presioneve gjatë krizës së refugjatëve dhe emigrantëve në Ballkan, krizë që filloi që prej fillimit të vitit.
"Mosrespektimi i kodeve të etikës është një problem që vazhdon të jetë prezent në rajon, ku ne mund të bëjmë më shumë për të krijuar hapësira për bashkëpunimin në fushën e medias. Unë shpresoj se ne sot do t’ia dalim të përcaktojmë rrugët për të arritur bashkëpunimin me kolegët nga vendet e rajonit me synimin për të rritur cilësinë e informacionit. Kjo do ta ndihmojë median të tejkaloj dhe lërë mënjanë presionet e ndryshme," theksoi gjatë fjalës së saj Tamara Skrozza, gazetare e revistës së përjavshme “Vreme” dhe anëtare e Këshillit të Medias në Serbi.
Këshilli për Bashkëpunim Rajonal është një qendër për bashkëpunim rajonal në rajonin e Evropës Juglindore dhe luan një rol kyç në hartimin dhe zhvillimin e projekteve zhvillimore me një karakter rajonal në shërbim të të gjithë anëtarëve si edhe të krijojë kushtet e përshtatshme për zbatimin e projekteve.
Puna Këshillit për Bashkëpunim Rajonal fokusohet mbi fushat prioritare: zhvillimi ekonomik dhe social, energjia dhe infrastruktura, drejtësia dhe çështjet e brendshme, bashkëpunimi i forcave të sigurisë, ndërtimi i kapitalit njerëzor dhe parlamentar.
Për më shumë informacion mbi Këshillin për Bashkëpunim Rajonal vizitoni: www.rcc.int