Analiza e The Athletic: Broja kompenson kohën e humbur, besimi i Chelsea-t shpërblehet

Analiza e The Athletic: Broja kompenson kohën e humbur, besimi i Chelsea-t shpërblehet

Goli i Armando Brojës

Analizë nga: The Athletic

Për herë të dytë në 10 muaj, fokusi i kamerave ra mbi Armando Brojën që kishte prekur qiellin në një fushë futbolli. Megjithatë, kontrasti në emocionet e tij nuk mund të ishte më i fortë. Dhjetorin e kaluar, Broja kishte ulëritur në agoni. Chelsea po luante një miqësore kundër Aston Villas në Abu Dhabi, para rifillimit të Premier League, pas pushimit të Kupës së Botës. Sulmuesi u shtri për të fituar topin nga mbrojtësi Ezri Konsa në zonën e penalltisë së “Villas” dhe duke e bërë këtë, këputi ligamentin e kryqëzuar të përparmë në gju.

Kundër Fulham të hënën mbrëma, në ndeshjen e parë si titullar të Brojës për Chelsean që nga ai dëmtim, ulërima e tij ishte përkufizimi i gëzimit të pastër. Skenari në fakt kishte qenë i ngjashëm edhe pse në këtë rast, Broja u shpërblye shumë më së miri për presionin ndaj qendërmbrojtësit Tim Ream. Mbrojtësi u kap nga paniku pasi ia dorëzoi topin Cole Palmer, por tentativa e largimit të tij shkoi në këmbën e djathtë të Brojës dhe u devijua në rrjetë për të kaluar skuadrën e Mauricio Pochettino 2-0 në avantazh.

Teksa vraponte për të festuar, ndërkombëtari shqiptar lëshoi një “hajde” dhe “po”. Pasi u urua nga shokët e tij të skuadrës, pati një hapje krahësh dhe një tjetër gjëmim kënaqësie. Kuptohet, ky gol do të thoshte për të më shumë se ndoshta çdo tjetër i shënuar në karrierën e tij. Është bërë shumë punë e vështirë për të arritur këtë pikë. Ai rifilloi stërvitjen në shtëpinë të tij në prill, me atë rehabilitim të vetmuar që vazhdoi gjatë pushimeve verore. Më pas ai u bashkua me ekipin U-21 për përgatitjet e tyre para-sezonale në qershor përpara se Pochettino të fillonte të drejtonte seancat e skuadrës së parë disa javë më vonë.

Broja mbeti ende pas në përgatitje, pasi klubi u nis për në Shtetet e Bashkuara për një seri ndeshjesh miqësore, atje ku sulmuesi nuk udhëtoi pjesërisht për shkak se ai nuk u konsiderua ende gati për të luajtur, por edhe sepse nga udhëtimet e gjata mund të mos përfitonte për rehabilitimin e tij të vazhdueshëm. Megjithatë, pas nisjes së sezonit, u desh një pritje tjetër gjashtë-javore për të duruar përpara se të konsiderohej gati për përzgjedhje për ekipin e parë.

Të kesh Brojën në formë dhe të luajë sërish, përfaqëson një moment të rëndësishëm për trajnerin e Chelseat, Pochettino. Kënaqësia e tij për paraqitjen e Brojës, shihej qartë në momentin e zëvendësimit të 22-vjeçarit, në minutën e 65-të, për shkak të një tërheqjeje të planifikuar duke pasur parasysh mungesën e minutave në këmbët e lojtarit. Teksa Broja erdhi drejt pankinës, Pochettino e përshëndeti ngrohtësisht dhe e kapi për dorë.

Kryetrajneri e vlerëson shumë Brojën. Në gusht, ai u pyet për nevojën e Chelsea për të blerë një tjetër golashënues pasi Christopher Nkunku pësoi një dëmtim të tij në gju që mund ta mbajë jashtë deri në vitin e ri. “Ne po i mbajmë një ose dy sy nga Armando Broja sepse nuk mund ta harrojmë atë”, tha Pochettino. “Ne nuk mund ta ndalojmë atë dhe të sjellim një profil lojtari… që mund të ndalojë evolucionin e tij. Ne vërtet besojmë te Broja. Ai mund të jetë një sulmues vërtet i rëndësishëm për Chelsean”, tha argjentinasi atëherë.

Broja ishte objekt interesi edhe për klube të tjera si Newcastle, Roma dhe AC Milan, që eksploruan mundësinë e nënshkrimit me të, por interesi i tyre nuk përparoi shumë dhe Pochettino luajti një rol të rëndësishëm për këtë. Tani të dy kanë mundësinë të shpërblejnë besimin e njëri-tjetrit. Rikthimi i Brojës do të thotë që Pochettino ka një opsion tjetër përveç Nicolas Jackson, i cili kundër Fulham mungonte për shkak pezullimi.

Jackson ka shënuar vetëm dy herë që kur u bashkua nga Villarreal për pak më shumë se 35 milionë euro në qershor. Atij i është dashur të mbajë shumë nga barra e të luajturit në formacionin e Chelsea deri në këtë pikë. Kthimi i shqiptarit do të lehtësojë një pjesë të atij presioni nga supet e tij, si dhe do t’i sigurojë atij një konkurrencë shumë të nevojshme.

Pochettino tani do të ketë luksin të vendosë nëse do të bëjë rotacion me dyshen, si dhe të zëvendësojë njërin me tjetrin gjatë ndeshjeve nëse gjërat nuk shkojnë sipas planit ose lodhja fillon të shfaqet. Gjasat janë që Jackson të kthehet në formacion për transfertën në Burnley të shtunën, sepse Broja është ende duke u rikuperuar dhe nuk mund të luajë ende një 90-minutësh të plotë, por Pochettino është impresionuar jo pak nga shfaqja e tij në Fulham.

Ishte mbresëlënëse se sa mirë bëri Broja duke pasur parasysh mungesën e ritmit të ndeshjes. Pochettino kishte vendosur të mos i jepte atij mundësinë për të filluar ndeshjet me U-21 në javët e fundit, sepse ai mendonte se lojtari do të ishte më mirë të bënte paraqitje si zëvendësues për ekipin e parë. Por Broja kishte luajtur për vetëm 14 minuta (pa përfshirë kohët shtesë) kundër Aston Villas dhe Brighton & Hove Albion, jo saktësisht përgatitje e shkëlqyer për një ndeshje derbi që Chelsea, me vetëm pesë pikë nga gjashtë ndeshjet e para të Premier League, duhej ta fitonte patjetër.

Brenda 90 sekondave, mungesa e minutave në këmbët e tij u bë evidente, teksa gjuajti egërsisht në tribunë, pasi bëri vals rreth portierit të Fulham, Bernd Leno, edhe pse shansi nuk ishte aspak i pastër, me Timothy Castagne, Antonee Robinson dhe Ream që ende bllokonin pjesën më të madhe të portës. Po kështu, edhe flamuri i pozicionit jashtë loje ishte ngritur në të njëjtin aksion, kështu që, edhe po të shënonte, goli nuk do të vlente gjithsesi.

Por vendosmëria e tij për të fituar topin dhe për të vrapuar drejt pasimit të Palmerit kishin qenë vendimtare. Broja i dha Chelseat një prani fizike përpara, dikë me të cilin bashkëlojtarët e tij mund të luanin si në zonë, ashtu edhe jashtë saj. Ai mund të mos ketë ritmin e Jackson, por vrapimet e tij të zgjuara dhe forca për të mbajtur kundërshtarët ofrojnë diçka ndryshe. Kombinimet e shkëlqyera me shokët nuk munguan, por ishte gjetja e rrjetës në minutën e 19-të që padyshim pati ndikimin më të madh. “Jam shumë i lumtur për të”, tha Levi Colwill për The Athletic. “Ai ishte jashtë për një kohë të gjatë dhe ka punuar shumë. Të hysh dhe të shënosh… është mënyra më e mirë për t’u rikthyer. Ata (Broja dhe Jackson) janë sulmues të shkëlqyeshëm dhe do të jetë mirë për ta që të bëjnë një betejë për një vend në formacionin titullar. Të dy do të mësojnë dhe, kur të dalin në fushë, duhet të shfrytëzojnë shanset e tyre. Armando ka gjithçka; ai është një problem (për mbrojtësit). Nuk do të doja të luaja kundër tij. Ai është i madh, i fortë, i shpejtë dhe i shfrytëzon shanset e tij”, tha mbrojtësi i Chelsea-t.

Në Fulham, ai ofroi diçka që i mungonte kësaj skuadre dhe kjo u konfirmua pas minutës së 65-të, kur me Brojën në stol, Fulham mori kontrollin e lojës dhe rrezikoi disa herë portën e bluve të Londrës. Chelsea do të ketë nevojë që Broja të ruajë atë formë, për të vazhduar ngjitjen në tabelën e renditjes.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Ylli Pata: Arsyet pse SHBA i rikujtoi Sali Berishës sanksionet

Ylli Pata: Arsyet pse SHBA i rikujtoi Sali Berishës sanksionet