Manchester City rikthehet në fushë të dielën, në një nga transfertat më të vështira të sezonit. Por këtë herë, sfida me Liverpoolin nuk nis vetëm në fushë. Për herë të parë që prej vendimit të komisionit të pavarur për shkeljet financiare, skuadra e Enzo Marescas do të luajë një ndeshje zyrtare. Dhe skena është Anfield.
Kanë kaluar pak më shumë se dy javë nga momenti kur shpërtheu lajmi që tronditi futbollin anglez. Manchester City u gjet fajtor për 114 nga 115 akuzat e ngritura nga Premier League, të lidhura me periudhën 2009/10 deri në 2017/18. Komisioni konstatoi se klubi nënshkroi kontrata fiktive për të ulur kostot financiare, paraqiti të dhëna financiare të pasakta dhe shkeli rregullat financiare të Premier League dhe UEFA-s.
Por historia nuk përfundoi aty. City apeloi vendimin më 1 tetor, duke këmbëngulur se konstatimet e komisionit përmbajnë gabime materiale në ligj, parim dhe fakte. Për momentin nuk ka një dënim sportiv të zbatuar dhe procesi i apelimit vazhdon.
Dhe pikërisht në mes të kësaj stuhie, futbolli rikthehet. A është i qetë Manchester City? Nga jashtë, jo plotësisht.
Verdikti ka vendosur një hije mbi klubin dhe vetë trajneri Enzo Maresca do të përballet para ndeshjes me mediat për herë të parë që prej publikimit të vendimit. Ai gjithashtu do të ketë mundësinë të flasë me grupin e plotë të lojtarëve pasi shumica e tyre kanë qenë të angazhuar me kombëtaret gjatë pushimit ndërkombëtar prej 3 javësh.
Por brenda skuadrës, mesazhi që vjen është më i qetë. Agjenti i portierit Gianluigi Donnarummës, Enzo Raiola, ka deklaruar se lojtari dhe skuadra janë siguruar nga klubi se situata nuk prek përgatitjet sportive dhe se “gjithçka është e qetë”. Dhe ndoshta pikërisht kjo është mënyra se si City kërkon ta përballojë këtë periudhë: duke e lënë çështjen juridike jashtë dhomës së zhveshjes dhe duke folur në fushë.
Nëse shohim vetëm futbollin, tabloja është shumë më pozitive. City vjen si favorit në nisje të sezonit, pasi kryeson me pikë të plota pas 5 ndeshjesh kundrejt Liverpool-it që ka 9 pikë.











Komente
Komento