Analiza/ Kryesia e PD: Shkarkim 
 Stafës! Akuza Dumës për klane

Analiza/ Kryesia e PD: Shkarkim <br /> Stafës! Akuza Dumës për klane
TIRANE- Mbledhja e kryesisë së Partisë Demokratike në degën e Durrësit, është shoqëruar me debate gjatë analizës për zgjedhjet e 21 qershorit. Kritika rezultatin e dobët ka patur për kryetarin e degës, Osman Stafa, koordinatorin e zgjedhjeve, njëherazi nënkryetar i PDSH, Edmond Spaho dhe mbi kandidaten Grida Duma.

Kryetari i degës së PD në Durrës, Osman Stafa duke prezantuar shkaqet e humbjes, edhe pse pranoi problemet me strukturat, u shpreh se ajo erdhi prej presionit shtetëror. Gjatë kësaj analize kanë marrë pjesë Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani, nënkryetari Edmond Spaho si dhe deputetët Albana Vokshi, Oerd Bylykbashi dhe Igli Cara.
 
Kritikat
Argumentet justifikues të Osman Stafës për humbjen s’kanë qenë të mjaftueshme për anëtarët e kryesisë, të cilët kanë insistuar se përgjegjësia e humbjes me një diferencë prej 13 mijë votash, është në kupolën drejtuese të degës së PD. Ata kanë shkuar deri aty se kanë kërkuar shkarkimin e kryetarit të degës, për shkelje të statutit më shumë se njëherë.

“Shkelja e statutit të Partisë Demokratike është bërë në mënyrë rigoroze nga kryetari i degës, që si rrallë herë është ngritur edhe një kryesi e vogël, të cilën nuk e njeh fare statuti. Dhe kjo kryesi që përbëhet nga kryetari, 2 deputetët, 2 nënkryetarët dhe sekretari organizativ, të cilët kanë drejtuar fushatën gjatë zgjedhjeve, shmangën të gjithë partinë.

Lista e këshillit bashkiak që duhet të kalonte nga kryesia e PD, nuk ka kaluar asnjëherë, por është miratuar nga kjo strukturë që ka shmangur kryesinë që njeh statuti”, kanë qenë disa nga debatet gjatë mbledhjes. Anëtarët e kryesisë i kanë kujtuar kryetarit e degës se neni 22 i Partisë Demokratike, parashikon shkarkimin e tij në rastet e shkeljes së statutit në mënyrë të njëpasnjëshme.

Për nënkryetarin e PD dhe njëherazi koordinatorin e zgjedhjeve në Durrës, Edmond Spaho, statuti nuk është shkelur, por kryesia i ka kujtuar atij se është bashkëfajtor me kryetarin e degës. Ndërkaq, nga ana tjetër, ish kandidatja e PD në Durrës, Grida Duma nuk është përfshirë në debate me përfaqësuesit e kryesisë, pavarësisht se këta të fundit s’kanë shmangur kritikat edhe mbi të për mbledhjen rreth vetes të njerëzve pa kontribute në PD, distancimin nga partia dhe ndjekja e një strategjie shmangëse ndaj partisë.

Gjithashtu, kryesia ka ngritur si shqetësim edhe ardhjen e vonë të kandidates, e cila s’pati kohën e mjaftueshme të njihej me strukturat bazë të partisë. Dhe ky fakt bëri që ajo ta orientonte fushatën përmes një grupi të ngushtë, duke shmangur partinë dhe strukturat drejtuese. 
 
Raporti i analizës
Durrësi, në 15 bashkitë që PD ka rënie në krahasim me 2013-ën
Raporti i analizës për zgjedhjet vendore të 21 qershorit, i miratuar në mbledhjen e kryesisë së PD në fillim të këtij muaji, e rendit Bashkinë e Durrësit në 15 bashkitë që demokratët kanë shënuar rënie në vota në krahasim me 2013-ën. Ndonëse rënia në vota në krahasim me zgjedhjet parlamentare të para 2 viteve është e vogël, nga ana tjetër, në rastin e Bashkisë së re të Durrësit, kandidatja e Partisë Demokratike, Grida Duma humbi përballë rivalit socialist, Vangjush Dako me një diferencë prej 13 720 vota. Në krahasim me 2013-ën, PD ka rënë në Durrës me 601 vota, ndërsa me 2011-ën, ka 506 vota më pak. Nisur nga shifrat në rënie të Partisë Demokratike, raporti i analizës përcakton ose gjen edhe shkaqet e humbjes, krahas denoncimit të blerjes së votës, tek mosfunksionimi i strukturës bazë të partisë.
 
Rezultati
Grida Duma humbi përballë Vangjush Dakos me 13 mijë vota
Në Bashkinë e Durrësit, Partia Demokratike dhe koalicioni i saj, shënuan një nga humbjet më të thella të të djathtës. Kandidatja e PD dhe e mbështetur nga koalicioni “Aleanca për Punë dhe Dinjitet”, Grida Duma mori 42 284 vota, ndërsa ai socialist, Vangjush Dako 56 004 vota, një diferencë e ndjeshme kjo prej 13 mijë votash në favor të kandidatit të majtë, i cili mori një mandat të tretë në krye të Bashkisë së Durrësit. Duke qenë një nga humbjet më të thella të demokratëve, pas Vlorës dhe Fierit, vetë kryetari demokrat, Lulzim Basha paralajmëroi një analizë të thellë në degën e Durrësit, ku gjatë fushatës nuk munguan akuzat mes vetë strukturave për mungesë angazhimi. Kjo çoi në nisjen e një analize të hollësishme në degë, e cila kryesohet nga Edi Paloka, Arben Ristani dhe Edmond Spaho.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 24Tetor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Djegin karriget dhe sende drejt Spiropalit, si e vlerësoni aksionin e PD?



×

Lajmi i fundit

Arrestimi i ultrasve për lidhjet mafioze, Inter dhe Milan mund të vendosen nën kontrollin e jashtëm! Takimet me futbollistët

Arrestimi i ultrasve për lidhjet mafioze, Inter dhe Milan mund të vendosen nën kontrollin e jashtëm! Takimet me futbollistët