Prag falimenti, 2 bashki 11.1 mln euro borxhe, mbi 90% detyrime të papaguara! Vora bën investime pa likujduar, Kavajën e ‘mbytin’ shpenzimet e personelit

Bashkitë e Vorës dhe të Kavajës u vlerësuan nga ministria e Financave, si dy njësitë e pushtetit lokal me vështirësitë më të mëdha financiare për të qëndruar në këmbë me forcat e tyre. Kështu nëse nuk garantohet shërbimi ndaj qytetarëve, qeveria paralajmëroi se do i marrë administrimin 2 bashkive në prag falimenti.

Por sa borxhe kanë Vora dhe Kavaja?

Report Tv mëson se Bashkia e Vorës ka pa shlyer detyrime në vlerën e 4.3 milionë eurove, ndërsa bashkia e Kajavës edhe më shumë, 6.8 milionë euro borxhe. Përveç detyrimeve të larta, bashkitë kanë vështirësi edhe në mbledhjen e të ardhurave, për këtë arsye kërkohet disiplinë financiare për të bërë investime të reja.

“Situata në Bashkinë e Kavajës dhe të Vorës është shumë më serioze ku detyrimet e prapambetura shënojnë respektivisht 91.23% dhe 90.54% të shpenzimeve faktike në vitin 2021. Në këto kushte, bashkitë duhet t’i vlerësojnë me kujdes angazhimet e reja financiare në kushtet e ritmeve të ulëta të ekzekutimit të buxhetit”, thuhet në raport.

Konkretisht sipas një raporti të Ministrisë së Financave, që Report Tv e siguron, Vora në vitin 2021 në total ka shpenzuar për shërbime, investime apo edhe paga, 4.7 milionë euro, ndërsa borxhet është 4.3 milionë euro. Pra, kjo bashki ka një vlerë të përafërt, aq sa shpenzon aq edhe ka borxhe për të shlyer.  Kavaja ka shpenzuar në total 7,5 milionë euro vitin e kaluar, ndërsa borxhet i ka 6.8 milionë.

Por përse janë krijuar borxhe në vlera kaq të mëdha në këto 2 bashki?

Bashkia e Vorës detyrimet më të larta i ka për investime të papaguara në vlerën 3.5 milionë euro, ndërsa Kavaja ka më shumë borxhe për shpenzimet korrente që lidhen kryesisht me pagat e personelit dhe disa shërbime ndaj qytetarëve, në vlerën e 5.1 milionë eurove. FOTO RAPORTI ( Detyrimet korrente përfshijnë shpenzime personeli për paga, shpërblime dhe te tjera shpenzime personeli, kontribute për sigurime shoqërore dhe shëndetësore; mallra dhe shërbime te tjera; subvencionet; transferimet korrente te brendshme; transferimet korrente jashtë; transferta për buxhetet familjare dhe individët; Fondi i veçante; Rezervat).

Kavaja me 40 mijë banorë ka nivelin më të lartë të detyrimeve të prapambetura për frymë në vend, me rreth 171 euro. Në bashkinë e Vorës me 36 mijë banorë, çdo qytetar ka 119 euro detyrime.

Mbi këto gjetje të raportit, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, u la afat deri më 15 korrik, bashkive që të bëjnë një plan për të shlyer borxhet.

Por në dhjetor të 2021-shit, kur hartohej buxheti i shtetit për 2022-shin, bashkitë kërkuan tu faleshin borxhet, pasi ishin të mbartura që në kohën kur pushteti vendor ndahej me komuna. Por kërkesa u rrëzua pasi çdo vit bashkitë marrin transfertën e pakushtëzuar të buxhetit të shtetit në varësi të numrit të banorëve, shërbimeve që japin e një sërë kriteresh të tjera që vlerësohen.

Duke njohur vështirësitë e tyre financiare, nga buxheti i shtetit u dhanë 500 milionë lekë në fund të vitit 2021, nga të cilat Kavaja mori 78.8 milionë lekë dhe Vora 46.4 milionë lekë.

 

BORXHET E PRAPAMBETURA TË DY BASHKIVE

Vorë       515,591,777 lekë ose 4,317,355 euro

Kavajë    820,048,291 lekë ose 6,866,749 euro

Total      1,335,640,068 lekë ose 11,184,104 euro

 

DETYRIMET PËR FRYMË

Vorë                36,230 banor/ 119 euro borxh për frymë

Kavajë             40,094 banor/ 171 euro borxh për frymë

Mesatarja          145 euro borxh për frymë

 

SHTETI JEP 500 MLN LEKË NË 2021

Bashkia Kavajë    78.8 milionë lekë

Bashkia Tiranë        61 milionë lekë

Bashkia Vorë        46.4 milionë lekë

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

 

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

K.T./Sh.Sh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Infrastruktura: 29/06/2022 16:53

    Nese ska infrastrukture të gjitha bashkite dalin me humbje! Duhet që të perfitohet nga zonat e lira ekonomike

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Braimllari: Njerëz pranë Metës kërkojnë të mos më bëjnë like dhe share

Braimllari: Njerëz pranë Metës kërkojnë të mos më bëjnë like dhe share