Për Lukashenkon, të burgosurit politikë janë thjesht gurë shahu për t’u shkëmbyer, për t’u shitur me çmimin më të lartë që arrin të nxjerrë. Kështu deklaronte pak ditë më parë Sviatlana Tsikhanouskaya.
Udhëheqësja e opozitës bjelloruse fliste nga përvoja personale. Bashkëshorti i saj, Sergey, u lirua qershorin e kaluar së bashku me 13 të burgosur të tjerë politikë, pasi kishte kaluar pesë vite në burg në izolim të plotë për tentativën për të sfiduar diktatorin e Minskut në zgjedhjet e vitit 2020.
Liria e Tsikhanouskyt ishte një “dhuratë mirëseardhjeje” për Keith Kellogg, të dërguarin special të Shtëpisë së Bardhë për Ukrainën. Në shtator, lirimi i 52 të burgosurve të tjerë kishte si kundërpeshë heqjen nga ana e Uashingtonit, të sanksioneve ndaj kompanisë ajrore shtetërore bjelloruse ‘Belavia’, e ndaluar pas uljes së detyruar në Minsk të një avioni Ryanair, në të cilin udhëtonte opozitari Roman Protasevich.
Këtë herë, lirimi i 123 të burgosurve i ka shërbyer Aleksandr Lukashenkos për të marrë një shpërblim shumë të lakmuar: një direktivë e Donald Trump ka shfuqizuar, me efekt të menjëhershëm, siç deklaroi dje i dërguari i ri i presidentit amerikan në Minsk, John Coale, sanksionet amerikane mbi tregtinë e plehrave të potasit, zëri kryesor i eksporteve të Bjellorusisë.
Potasi kundrejt të drejtave të njeriut, duket një “marrëveshje” në frymën më të pastër të diplomacisë trumpiane, që në Minsk duket se ka gjetur një klient entuziast. Një klient që ka ende një listë blerjesh shumë të gjatë. Disa muaj më parë Trump kishte vlerësuar në 1.400 numrin e “pengjeve”, siç i ka quajtur të burgosurit e regjimit të Minskut, që duhen liruar, dhe dje Coale premtoi lirimin e të paktën një mijë personave të tjerë, sapo të bien dakord “çështjet logjistike” të deportimit të një numri kaq të madh të ndaluarish.
Nuk është e qartë nëse këta një mijë përfshihen në çmimin e potasit, apo nëse do të përdoren si pagesë për ndonjë tjetër lëshim. Coale ka premtuar një heqje graduale të të gjitha sanksioneve, në kuadër të një “dialogu që po zhvillohet”. Por, në çdo rast, Lukashenko nuk do ta ketë të vështirë ta mbushë sërish burgjet.
Sipas vlerësimeve të disa OJQ-ve, të dënuarit për akuza politike në burgjet bjelloruse janë të paktën 7.000 dhe çdo muaj shtohen të tjerë. Opozita denoncon politikën e “dyerve rrotulluese”, jashtë dalin të burgosurit më të njohur, për t’u shkëmbyer me favore ndërkombëtare, ndërsa brenda futen disidentë të rinj, sepse makineria e frikësimit nuk duhet të ndalet.
Në fund të fundit, nëse sanksionet ekonomike vendosen për të ndëshkuar sjellje politike, duhet të vlejë edhe e kundërta. Edhe administrata Trump nuk heziton ta zbatojë pragmatizmin e saj edhe në fusha që zakonisht gjykohen me kritere humanitare.
I konsideruar një i përjashtuar nga Perëndimi, i cili as nuk njihet si president i zgjedhur rregullisht, Lukashenko, nga “diktatori i fundit i Europës”, siç e kishte quajtur Condoleezza Rice 20 vite më parë, kur Vladimir Putin shihej ende si një konservator i moderuar, kthehet sërish në një bashkëbisedues të Uashingtonit, që premton një “marrëveshje të madhe” me Trumpin.
Një “big deal”, përsërit Coale, dhe burime të Departamentit të Shtetit i thonë Reuters se nxitjet ekonomike për Bjellorusinë, përgjegjëse për rreth një të pestën e eksporteve botërore të potasit, synojnë ta largojnë atë, të paktën pjesërisht, nga orbita e kolonisë të Moskës.
Për Lukashenkon, të tregojë se ka një autonomi negociuese nga “vëllai i madh”, siç e quan Putinin, është thelbësore për të garantuar mbijetesën e tij në pushtet dhe për t’ia kaluar fronin rrethit të tij, në vend që të zëvendësohet nga një njeri i Kremlinit.
“Babai i bjellorusëve”, i pathyeshëm, është gjithashtu oligarku kryesor i vendit të tij të vogël, dhe mesazhi që Trump i dërgon Putinit përmes tij është tejet pragmatik: shikoni sa e lehtë është të biesh dakord nëse lihen mënjanë konsideratat e krenarisë perandorake dhe madhështisë “gjeopolitike”.
Në fund të fundit, ai ka provuar tashmë ta aplikojë magjinë e kapitalizmit edhe në Donbasin e pushtuar nga rusët, i cili në imagjinatën e trumpianëve duhet të shndërrohet në një zonë të çmilitarizuar të tregtisë së lirë, hiperteknologjike. Një projekt “mrekullie ekonomike” që i shtohet atij të shndërrimit të Gazës në një resort luksoz dhe marrëveshjes për tokat e rralla të nxjerra nga Volodymyr Zelensky.
Një strategji “biznesi” e kundërt me atë të Putinit, i cili, përkundrazi, po shteron ekonominë ruse për të fituar një luftë që do t’i sillte territore ukrainase të shkatërruara nga bombat e tij. Obsesioni amerikan se paratë i zgjidhin të gjitha problemet është kuptuar mirë edhe në Kremlin, i cili ka ngacmuar instinktin e sipërmarrësit imobiliar të Trumpit dhe të emisarit të tij Steve Witkoff, duke ofruar si nxitje një fond për rindërtimin e Ukrainës, që do të krijohej me një pjesë të aseteve ruse të sekuestruara në Europë, ndërsa pjesa tjetër do të përdorej për të financuar projekte biznesi mes Moskës dhe Uashingtonit.
Një lëvizje që, për momentin, është bërë e pamundur nga Bashkimi Europian, i cili ka ngrirë 210 miliardë euro asete ruse, për t’i mbajtur larg si nga Putini, ashtu edhe nga Trumpi. (Anna Zafesova, La Stampa)
Komente









