Anastas Janullatos, tri jetët e tij, Shqipëria dhe leksione për... dashurinë si një ogur për 2025

 Anastas Janullatos, tri jetët e tij, Shqipëria dhe leksione për... dashurinë si një ogur për 2025

Anastas Janullatos, Kryepiskopi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë

Një klerik grek, me mjekrën e tij të bardhë e flokë të gjatë si të babagjyshit të Vitit të Ri, është prej 32 vitesh mes nesh. Pas 2018-s është edhe shqiptar. Kryepiskopi Anastas Janullatos mori nënshtetësinë shqiptare pas peripecive, akuzave dhe sidomos siç e thotë vetë ai “…në Shqipëri veprimtaria ime baritore ka qenë gjithnjë e mbuluar nga një re dyshimi. Nuk shihesha thjeshtë si i huaj. Por si grek…”

A e njohim në të vërtetë ne shqiptarët këtë klerik unikal ortodoks, këmbëngulës për të qëndruar kaq gjatë në vendin më dyshues për shkak të së shkuarës atesiste që komunizmi ja imponoi? “Jam munduar ta kuptoj dhe ta kapërcej këtë dyshim me durim dhe me lutje. I thosha vetes: “Pjesën më të madhe të këtij vendi e kanë ushqyer me propagandë atesiste. Të cilëve, që nga shkolla fillore deri në universitet, u është thënë se Perëndia nuk ekziston, veçanërisht Perëndia e dashurisë. Si do të mund ta pranonin që në këtë vend ka ardhur një njeri thjesht dhe vetëm se besonte te Perëndia dhe se kishte dashuri për njerëzit e vuajtur? E gjithë kjo u dukej gënjeshtër. Por e vërteta ka dinamikën e saj. Atë e zbulon koha. Do ta kuptojnë se je këtu nga dashuria për Perëndinë dhe për njeriun…” thotë.

Këtë rrëfim të plotë dhe gjithëpërfshirës, Fortlumturia e tij (siç hierarkia kishtare e kërkon) e ka bërë me një profesor Universiteti Italian dhe historian, Roberto Morozzo della Rocca dhe Tomaso Opocher të Komunitetit të Sant’Egidios, një organzatë italiane jo qeveritare, por shumë afër me Vatikanin. E gjithë intervista është publikuar në librin me titull “Kryepiskopi Anastas. Shërbëtori i Perëndisë në shumë vende”, në 95 vjetorin e Shkëlqesisë së tij. Dy katolikë që intervistojnë Anastas Janullatosin për tema që prekin jetën e tij, harmoninë fetare, skizmat mes katolikëve dhe ortodoksëve dhe mes vetë ortodoksëve, globalizmin, shkencën, koronavirusin, teknologjinë, politikën, Ballkanin, Shqipërinë, gjuhën shqipe dhe Fan Nolin, Afrikën ku ai jetoi e punoi, korrupsionin si fenomen shoqëror, dhe… dashurinë.

Nuk e njihja ekzistencën e këtij libri. Para se ta mësoja, siç më lind në fundvit dëshira për rubrikën time modeste “Periferi”, ku vendos në fokus një grua, ose një burrë që me punën e vet i ka thënë dhe dhënë diçka me vlerë Shqipërisë, dëshiroja për të mësuar më shumë mbi Kryepiskopin Anastas Janullatos. Për të ditur për rrugëtimin e tij në vendin tonë, për vështirësitë dhe bukuritë, por edhe për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë; siç mbetem shumë kurioze të mësoj nëse për Shkëlqesinë e Tij, ekzistenca ende e Ligjit të Luftës mes Shqipërisë dhe Greqisë a përbën sens sot? A përbën sens dhe a është e drejtë që e gjithë popullsia e Çamërisë të mbartë akoma mbi kurriz “damkën” bashkëpunëtorë të nazi-fshistëve duke u dëbuar e duke qëndruar edhe sot e gati 80 vite larg shtëpive ku u lindën e jetuan për breza të tërë atje, në Çamëri, kur edhe vetë Gjermania dhe Italia u rehabilituan duke qenë sot shembuj demokracie e lirie në Perëndim? Vizioni i një njeriu të Zotit, i një vëzhguesi prej tre dekadash të jetës, problemeve dhe progresit të Shqipërisë në lartësinë e 95 viteve të tij, është kurdoherë i mirëpritur.

Jo drejtpërdrejtë për këto çështje shqiptare, por për të tjera konflikte dhe për Të vërtetën në përgjithësi, profesori Dalla Rocca dhe Tomaso Opocher ja kanë bërë pyetjet dhe përgjigja për “Të vërtetën dhe dinamikën e saj në lidhje me Kohën” besoj se vlen dhe është Universale si përgjigje për çdo paqartësi, për çdo problem dhe konflikt që lind në kohë dhe rrethana specifike.

Siç mësova se kjo rezistencë e pashembullt në Shqipëri e ka origjinën që me historinë e ardhjes në jetë, që në lindje, kur mjeku i qytetit e këshilloi nënën e e tij që të mos e lindte fëmijën, pasi ajo nuk ishte mirë dhe fëmija kurdoherë do të kishte qenë i brishtë. “... Mirëpo ajo ishte një grua besimtare dhe nuk mund ta bënte dot këtë gjë. Shkoi në Kishën e Ungjillizimit të Hyjlindëses në Pire, ku lutej dhe Përgjërohej: “O e Tërëshenjta ime, ndihmomë mua dhe fëmijën!”. Kur i erdhi ora, më 4 nëntor 1929, ajo e lindi fëmijën në spitalin “Zanion”, në Pire. Ai fëmijë jam unë”.

U fronëzua në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare më 2 gusht 1992, plot 32 vite më parë dhe ishte 63 vjeç duke i rezistuar si protestave të ndonjë grupi politiko-musliman, ashtu dhe referendumit të vitit 1994 ku qeveria e atëhershme futi në projektligj një nen që i ndalonte udhëheqësit fetarë me nënshtetësi të huaj të ushtronin detyra fetare. Me 6 nëntor Referendumi u rrëzua me votë popullore. Për Shkëlqesinë e tij ardhja në Shqipëri ishte pjesa e tretë e tri periudhave të jetës. “...Tridhjetë vitet e para, nga viti 1929 deri në 1959, përkojnë me rininë time, studimet dhe shërbimin tim si teolog laik në Greqi. Tridhjetë vitet e dyta si prift dhe si profesor Universiteti në Greqi, Afrikë, Gjermani, Zvicër dhe në shumë pjesë të botës ku kam udhëtuar. Tridhjetë vitet e tjera. Nga viti 1991, në Shqipëri, ku kam marrë pjesë në shumë konferenca teologjike dhe në shumë takime panorthodhokse, ekumenike dhe ndërfetare...” .

“..Në maj të vitit 1992 isha gati t’i rikthehesha përgjegjësive të mëparshme në Athinë dhe Afrikë, por Patriarkana Ekumenike më pyeti nëse isha gati të pranoja të zgjidhesha Kryepiskop i Shqipërisë. Një dilemë e madhe për mua...“ “...Nëse besimtarët orthodhoksë në Shqipëri dëshirojnë që të shërbej si kryepiskop, nëse ju jeni të vendosur – pasi nuk isha drejtpërdrejtë nën juridiksionin e Partriarkanës Ekumenike – dhe nëse qeveria shqiptare pranon përfundimisht këtë vendim, atëherë do ta pranoj këtë mision të vështirë”. “...Shqipëria nuk ishte një fron i zakonshëm, por një “stol me thumba”, kujton Janullatos.

Nuk jam unë ajo që mund ta them nëse Fortlumturia e tij, në këtë libër të Komunitetit të  Sant’Egidios, dhe për kë dëshiron të mësojë dhe të informohet, arrin të shpërndajë atë re dyshimi që siç e thotë vetë, ka shoqëruar veprimtarinë e tij baritore në Shqipëri, por vlera si durimi, këmbëngulja, dëshira për të mësuar, pritja e Kohës për të Vërtetën e pathënë dhe të pashkruar, mendja e hapur për pranimin e shumëllojshmërisë njerëzore dhe të besimeve mbi Tokë, do t’i bënin mirë secilit nga ne si parim dhe mësime jete. Dhe përmbi të gjitha këto vlera, në moshën  95 vjeçare dhe eksperiencën e gjatë e të jetës së tij, Janullatos vendos dhe sygjeron një vlerë universale, dashurinë “...Unë besoj se dashuria është një fuqi e veçantë, mistike, shpirtërore, mbarëbotërore. Shprehet si një lëvizje e heshtur e Perëndisë drejt njerëzimit dhe njerëzve drejt të tjerëve dhe drejt Perëndisë së dashurisë....Dashuria i mban tërë qëniet e arsyeshme në një unitet mistik. Duke përsiatur mbi jetën time, them se ka qenë “një përshpërimë e thjeshtë dashurie drejt të Përjetshmit, i Cili është dashuri”, vetëpërkufizohet në libër Fortlumturia e tij.

A vjen në kohën e duhur ky leksion mbi Dashurinë për të gjithë ne, edhe në Shqipëri? A është koha për t’i dhënë një shkundje egocentrizmit që na ka prekur dhe për një pendim se kemi lënë mënjanë vlera që na ndihmojnë të mbajmë kurrizin drejt? Në këtë libër është jeta e një kleriku shqiptaro-grek, varet prej nesh, se kush dhe si do ta pranojë për 2025 e ta bëjë të veten këtë leksion për jetën dhe... dashurinë.

Botimi i Komunitetit Sant' Egidios 'Kryepeshkopi Anastas-Shërbëtori i Perëndisë në shumë vende'

a.m./E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Protesta në Beograd kundër Vuçiç, ministria e Brendshme serbe: Morën pjesë afro 29 mijë qytetarë

Protesta në Beograd kundër Vuçiç, ministria e Brendshme serbe: Morën pjesë afro 29 mijë qytetarë