Anatoli Toss  një
libër për jetën e tij

Anatoli Toss  një<br />libër për jetën e tij
TIRANE - Së fundmi, nga Anatoli Toss kemi në duar romanin e tij të ri “Manjola. 12 Ditë” - një libër që ka lidhje me jetën e tij, me dashurinë, me mënyrën se si kalon koha nëpër jetën tonë, duke lënë vragën e saj në të.

 Ngjarjet në roman zhvillohen në Boston  në vitin 2010 dhe në Moskë në vitin 1980. Si edhe në veprat e tij të tjera, te “Manjola. 12 ditë” Anatoli Toss butësisht, ngadalë na fut në rrjedhën e ngjarjeve, duke na dhënë mundësinë ta përjetojmë edhe kohën ku zhvillohen ato. Kështu, duke tërhequr vëmendjen e lexuesit, autori e zhyt atë emocionalisht në rrëfim, duke e ngacmuar nga pak e duke rritur në të njëjtën kohë veprimin, duke e përshpejtuar aksionin e ngjarjeve dhe duke e bërë të tillë që ne nuk mund të dallojmë në libër fantazinë nga realiteti; ato janë plotësisht të ndërthurura, duke na marrë me vete emocionalisht.

Në roman shpalosen karaktere e mendime nga më të ndryshmet si për të vërtetuar shprehjen  se jeta është paradoksale dhe  rrugët e saj janë të paimagjinueshme. Anatoli Toss është vetë personazhi kryesor në këtë roman, ngjarjet lëvizin në rininë e tij të hershme, ku bie në sy dukshëm pjekuria e autorit.

Si gjithmonë, sikurse ndodh në librat e Toss-it, edhe te romani i tij i fundit “Manjola. 12 ditë” jepen analiza e depërtime psikologjike, ka humor e dramë, shfaqen mendime të thella që të zhytin në meditime, dhe të gjitha këto zhvillohen në një dinamikë që ta mban frymën pezull. “Manjola. 12 ditë” është një libër për të gjithë ne, për jetën tonë të shkuar dhe për atë të kohëve të fundit,  ku kumtohet mesazhi se të gjitha përvojat që kemi kaluar në jetë, vlerat, humbjet, fitoret, mbeten përgjithmonë brenda nesh, në ndërgjegjen tonë.

Romani “Manjola. 12 ditë.” është autobiografik. Në të na jepen përshkrime të plota dhe reale të skenave erotike, ku ndihet realisht ndjeshmëria që përçon vepra.  Dymbëdhjetë ditët e jetës të një studenti nëntëmbëdhjetëvjeçar në Moskë, që është protagonisti i romanit, i cili sapo ka filluar të shkruajë dhe dëshiron ta jetojë jetën, seksi i shfrenuar, takimi për herë të parë me gra të djallëzuara, të gërshetuara me arsyetimin filozofik të protagonistit, mbledhjet provokuese të rinisë në institut, japin realisht kohën kur zhvillohen ngjarjet. Në libër ka shtatë shtojca të autorit, që, sipas tij, e bëjnë romanin më të afërt me lexuesin dhe njëkohësisht zbulojnë sekretet e profesionit të shkrimtarit.

 Në njërën nga këto shtojca ai shkruan:
Ajo që përpiqem të bëj te “Manjola. 12”, është të përshkruaj jo vetëm kronologjinë e ngjarjeve, por edhe vetë kohën, nëntekstin e saj shoqëror e shpirtëror, dhe një përpjekje e tillë gjithmonë është e lidhur me rininë...  …por nuk mund të shkëputesh, atë nuk e ndan dot nga vetja, nga e gjithë jeta tjetër, jotja. Si mund ta ndash veten nga shoqëria, dashuria, ndjesia e lehtësisë, nga synimet për të ardhmen? Rinia është gjithmonë mrekullisht e bukur, pavarësisht nga koha, vendi, rendi politik e shoqëror, vështirësitë dhe mungesat.

Ç’të bësh, nëse rinia ime qëlloi në një segment kohor tejet të veçantë të dhjetëvjetëshave të fundit të shekullit të njëzetë? Rëndësi ka të di të tejçoj botën shpirtërore, shqetësimet, synimet, ndjenjat e heronjve të mi. Rëndësi ka që lexuesi t’i matë ato me kutin e tij, t’i krahasojë me të vetat, dhe t’i ndajë me heronjtë e mi, madje edhe lexuesi të cilit nuk i qëlloi ta përjetonte atë kohë. Sepse shqetësimet, synimet, ndjenjat… janë të pandryshueshme dhe nuk varen nga shekulli, viti, madje as edhe nga vendi ose sistemi politik nuk varen shumë. Substanca, thelbi i njeriut, natyra e tij qëndrojnë më lart se veçori të tilla.

Kopertina e librit
(Në foto: Kopertina e librit "Manjola 12 ditë' të Anatoli Toss)

Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 25.08.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Vijojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në Shëngjin, por me intensitet më të ulët

Vijojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në Shëngjin, por me intensitet më të ulët