Intervista/ Andis Gjoni: Pasioni për skenën që më çoi drejt suksesit në SHBA

Intervista/  Andis Gjoni: Pasioni për skenën që më çoi drejt suksesit në SHBA

Përpjekjet e një artisti të përkushtuar ndaj artit të tij, të Andis Gjonit; të përthyera në prizmin e një përvoje të madhe e plot sakrifica e suksese, tashmë vijnë në një libër që mban titullin “Pasioni për skenën”. Libri u prit me vlerësime të larta nga regjisorët amerikanë dhe mjeshtër të njohur të skenës shqiptare pak ditë më parë në Nju Jork, SHBA, në një nga klubet më prestigjioze, ish-shtëpinë e njërit prej aktorëve më të njohur të teatrit amerikan, Edvin But. Ndërsa rreth promovimit u fol pak ditë më parë në Report TV, Andis Gjoni, rrëfehet më tej në një intervistë për “Shqiptarja.com” për artin e tij dhe sfidat në SHBA. I pashkëputur nga Shqipëria, artisti dhe skenografi Andis Gjoni ka bashkëpunuar dhe ka realizuar dhjetëra projekte në vendin e tij.

I lindur në një familje artistësh të shquar në vitin 1968, në Tiranë, Andis- djali i kompozitorit Simon Gjoni dhe pianistes Hermina Gjoni, -zgjodhi që në rrugëtimin artistik të jetë një tjetër degë e frytshme e artit në këtë familje dinjitoze me një krijimtari origjinale. Vetë libri “Pasioni për skenën”, është një shembull i risive edhe në artin botëror. Një eksperiencë e shkëlqyer vjen me rrëfimin profesional të Andis Gjonit në këtë libër, që i vlen teatrit shqiptar dhe jo vetëm atij si një libër universiteti për artin dramatik. Ndërkohë nga intervista me artistin, mësojmë se yjet e ndezura të suksesit nuk arrihen kurrë pa talent dhe sakrifica të mëdha. I tillë është Andis Gjoni: i talentuar, këmbëngulës e sakrifikues deri në finale të çdo arritjeje artistike. 

Intervista

Andis, ju jeni me plot kuptimin e fjalës një bir i artit, pasi babai juaj, kompozitori, dirigjenti dhe muzikologu Simon Gjoni dhe nëna juaj pianiste Hermira i janë përkushtuar artit. Dhe këtu bëhet fjalë për nivele të larta të krijimtarisë artistike. Si jeni ndjerë si fëmija i dy artistëve gjatë periudhës së rinisë?

-Jam ndjerë i privilegjuar, por edhe i rritur me ndjenjën e përgjegjësisë që arritjet e prindërve të mi t’i çoja edhe më tej. Jam përpjekur të eci në gjurmët e tyre dhe të jap kontributin tim në atë fushë të artit ku kam menduar se aftësitë do dilnin në pah më mirë. Prindërit e mi kanë qenë kurdoherë burim frymëzimi për mua.

Si nisën hapat e parë në rrugën e artit. A mund të na përshkruani rrugëtimin tuaj nga fillimet e deri tek sukseset në skenat e një kontinenti tjetër?

-I nisa me një kuti me bojëra uji që një piktor ja kish dhuruar atit tim. Piktura ime e parë me ngjyra ka qenë portreti imagjinar i një minatori me helmetë të zezë dhe llambë mbi kokë. Kjo tregon edhe shkallën e lartë të politizimit të shoqërisë së kohës, kur edhe fëmijët i kishin vizionet e tyre të deformuara nga presioni i propagandës. Pas fillimeve të druajtura vazhduan vite të tëra pune dhe praktike në shkolla arti e ma pas studimi në studio, në biblioteka e muzeume në vende të ndryshme të botës.

Pas emigrimit në SHBA ju keni pasur një aktivitet të gjerë në fushën e teatrit në Nju Jork dhe ky është një guxim i madh kur hyn në një botë të re, duke pasur parasysh botën e mbyllur në Shqipërinë e izoluar, cilat ishin sfidat e para të tuat?

-Unë gjithë jetën ia kam përkushtuar artit dhe skenës, dhe aktiviteti i mëpasshëm në vendin ku kam emigruar nuk do të merrte kuptimin e duhur, nëse nuk lidhej me punën e vazhdueshme që kam bërë në fushën e artit. Një artist arrin diçka me artin e tij kur ka jo vetëm talent, por edhe këmbëngulje dhe durim që të arrijë objektivat, dhe kjo vlen për çdo profesion. Jeta është e gjitha një përpjekje dhe vështirësitë janë pjesë e saj nëse do të arrish diçka. Guximi është pjesë e pasionit që të mban gjallë flakën e krijimit dhe të bën të shohësh përpara. Sfida e parë në Botën e Re, siç quhej dikur Amerika, ishte drama “Xhaxha Vanja” e Çehovit për të cilën realizova skenografinë. Pata një kënaqësi të veçantë që po realizoja skenat për një pjesë teatrale për herë të parë në Nju Jork. Shumë vepra të tjera pasuan në vitet e mëvonshme.

Cilat kanë qenë bashkëpunimet artistike me vendlindjen gjatë periudhës së qëndrimit në SHBA?

-Kam patur disa bashkëpunime të suksesshme me TKOB dhe ish-drejtorin Zhani Ciko, i cili me aftësitë dhe kulturën e tij të gjerë pati vizionin që të sillte në Shqipëri për herë të parë një muzikal dhe unë pata fatin të isha pjesë e stafit realizues të këtij evenimenti duke realizuar skenografitë e muzikalit “Histori e anës perëndimore” (në anglisht West Side Story) të kompozitorit të famshëm Leonard Bernshtain që këtë vit ka edhe 100-vjetorin e lindjes. Më pas realizova edhe skenografitë për muzikalin tjetër “PuthmëKeit” (Kiss me Kate) por mund të them që bashkëpunimi me TKOB kulmoi me realizimin e skenave, kostumeve dhe bashkë-regjinë e operas “Porgi dhe Bes” të kompozitorit Xhorxh Gershuin në vitin 2009 me të cilin realizim kam arritur edhe një nga kulmet e karrierës time skenike.

E keni pasur të lehtë bashkëpunimin me Shqipërinë, e cila ka kaluar disa periudha shumë të trazuara të postranzicionit?

-Asgjë nuk ka qenë e lehtë për mua në jetë dhe në këtë rast bashkëpunimet nuk bëjnë përjashtim, por me ndihmën e kolegëve dhe artistëve të talentuar u kapërcyen vështirësitë dhe rrugëtimi u bë më interesant të themi. Kam punuar me artistë shumë të talentuar, të cilët për fat të keq nuk marrin shpërblimin e barabartë për atë që i japin shoqërisë, dhe kjo është për të ardhur keq. Mungesa e mbështetjes nga institucionet kulturore është një nga kritikat më të forta që unë dua të bëj. Unë personalisht asnjëherë nuk jam ftuar nga asnjë institucion shqiptar. Jo vetëm unë, por edhe artistë të tjerë lihen të papërfillur për vite me radhë dhe vetëm kur ata me përpjekje vetjake të pafundme arrijnë të krijojë një emër dhe të nderojnë Shqipërinë, vetëm atëherë burokratët e Tiranës kujtohen t’i ftojnë. Ndërkohë që duhet të ishte e kundërta. Prandaj do thosha kam fatin të mos kem nevojë të falënderoj asnjeri në Shqipëri për arritjet e mia.

Cili ka qenë një nga bashkëpunimet më të suksesshme dhe që të bën vërtetë të ndihesh krenar?

-Kam përshtypjen që me kalimin e viteve po arrij një pjekuri të krijimtarisë time dhe realizimet e fundit kanë qenë edhe më të mirat. Do veçoja skenografinë e dramës “Sy për Konsuelën” të autorit amerikan Sem Shepard, i cili u nda nga jeta dy vjet më parë. Ishte nga ato pjesë që të frymëzojnë dhe që pati sukses dhe u mirëprit nga publiku. Kritikja Juliana Adame u shpreh se ishte një “Performancë e fuqishme e të gjithë aktorëve dhe një skenografi perfekte nga Andis Gjoni. Ky produksion do mbetet për brezat që do vijnë dhe veçanërisht për dashamirësit e dramaturgut Sem Shepard”. Vlerësimi flet vetë.

Sapo promovuat në Nju Jork librin më të ri “Pasioni për skenën”. Pse vendosët të botonit një libër dedikuar skenës?

-Me rastin e 50 vjetorit të lindjes një vit më parë realizova tre aktivitete të rëndësishme, hapjen e ekspozitës time personale “Hije dhe Iluzione” në Muzeun Historik Kombëtar, vënien në skenë të komedisë “A vdiq Ai” të Mark Tuein në skenën e Teatrit Kombëtar, vepra e parë e këtij autori të madh që shihte skenën shqiptare, dhe publikimin e librit tim nga shtëpia botuese “Onufri”. Doja të përmblidhja në një botim gjithë rrugëtimin tim, të lija gjurmën time dhe dëshminë time për çfarë kam krijuar, përpjekjet dhe sakrificat që i kanë dhënë kuptim jetës dhe artit tim. Këto ditë ky botim erdhi edhe në anglisht dhe u promovua në Klubin e Aktorëve në Nju Jork. Simbolika është e qartë, dëshira ime ishte që ta promovoja atje ku kolegët e mi të skenës kanë pikën e takimit, dhe ata më nderuan me pjesëmarrjen e tyre, regjisorë, aktorë, producentë, të cilët në fund erdhën dhe më uruan dhe më ftuan të bashkëpunojmë në produksione të ardhshme.

Si skenograf dhe regjisor ju keni realizuar edhe spektaklin “Zonjat shqiptare në Nju Jork” në kuadrin e aktiviteteve që organizata Albanian Excellence zhvillon për evidentimin e vlerave më të mira të kombit tonë. Si jeni ndjerë mes shembujve të Ekselencës shqiptare?

-Ishte një kënaqësi e veçantë që m’u dha rasti të jepja kontributin tim në realizimin me sukses të një spektakli të përmasave të tilla për herë të parë në zemrën e Nju Jorkut. Ishte merita e  Albanian Excellence që bashkatdhetarët tanë i nxorëm nga sallat e restoranteve ku deri atëherë kishin organizuar aktivitetet e tyre dhe i ngritëm në nivelin e spektakleve të mirëfillta artistike, ku u shpalosën vlerat më të mira të kulturës dhe muzikës klasike shqiptare. Zonjat shqiptare që u nderuan në këtë eveniment jo vetëm janë shembuj të vërtetë të suksesit tonë, ato janë thelbi dhe shtylla ku mbështeten familjet shqiptare, janë transmetueset më të mira të traditave tona. Veçanërisht merr vlera ky aktivitet po të kemi parasysh edhe rëndësinë që po merr përpjekja e shoqërisë sot në botë për një barazi të plotë mes gjinive, për vlerësim të drejtë të punës së grave dhe për mbrojtjen e tyre duke i kthyer dinjitetin e munguar. Jam krenar që nëpërmjet Albanian Excellence ne i kemi paraprirë këtyre iniciativave duke i zhvilluar vite përpara se ato të viheshin në qendër të debatit botëror, kjo është për t’u vlerësuar.

Ndërkohë edhe bashkëshortja juaj Zana është tashmë një doktoreshë e vlerësuar në Nju Jork, një histori më vete suksesi në profesionin plot sakrifica të mjekes, si i vlerësoni arritjet e saj dhe a ndikon ky sukses në karrierën tuaj? 

-Zana është e para femër gastroenterologe shqiptare e diplomuar në këtë specialitet në SHBA. Ajo është një model i këmbënguljes dhe dedikimit për të arritur më të mirën, për të ndihmuar e shëruar me mijëra njerëz. Është kritikja e parë e gjithçkaje që kam krijuar, por në të njëjtën kohë është edhe mbështetësja ime, frymëzuesja ime. Kemi një jetë që jemi bashkë e megjithëse ky rrugëtim ka patur ulje e ngritje një gjë ka mbetur e pandryshuar, adhurimi që kam për të që në ditën që e kam njohur.  

Si është vlerësuar nga kritika amerikane koncepti juaj skenografik?

-Maksimalisht ! Shumë kritikë dhe profesionistë kanë shprehur mendimet e tyre pozitive rreth punës time dhe vlerësimet e tyre më bëjnë të eci i sigurt në rrugën time. Prandaj vendosa të shkruaj edhe këtë libër dhe gjej rastin këtu të falënderoj edhe shtëpinë botuese “Onufri” që mori përsipër publikimin e albumit tim.

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare