Andoni: Politikanë! Pse ky ngazëllim për Kongresin e Lushnjës!

Andoni: Politikanë! Pse ky ngazëllim për Kongresin e Lushnjës!

Politika shqiptare e ka marrë seriozisht realizimin e nderimit për Kongresin e Lushnjës, cakut nga ku filloi jetën shteti modern shqiptar. Parlamenti ka gjetur mundësinë për të gjetur rrugën e paraardhësit dhe momentin nga ku fillon krahasimi i kontributit të saj në këto 100 vite, kurse politikanët kanë rendur në garën e zakonshme të statuseve, duke dhënë mesazhe. Se kujt ia bëjnë ato kuptohet? Pozita ia përcjell Opozitës dhe kjo ia përcjell mbrapsht, duke nderuar dhe akuzuar pa fund njëri-tjetrin. Ashtu si ndodh rëndom tek ne, nuk ka një moment ndërgjegjësimi dhe më shumë akoma një heshtje reflektimi, për atë që ka ndodhur, për peshën e ngjarjeve dhe impaktin e tyre historik.

Për kohën dhe vendin ku u bë, Kongresi i Lushnjes tregon një nga momentet më të mëdha të ndërgjegjësimit kombëtar. Vendi rrezikohet seriozisht dhe paçka dallimeve të të gjitha llojeve, burrat e shtetit shqiptar ose më saktë përfaqësuesit e vërtetë të krahinave vendosën të konkludonin për të formësuar shtetin e tyre. Shpejt. Qartë. Prerë.

Edhe sot befasohesh me mënyrën sesi Aqif Pashë Elbasani administroi Kuvendin e parë dhe mënyrën e organizimit të institucioneve që do të fillonin jetën nga shtëpia e patriotit vendas Kastriot Fuga. Dhe, në kohë rekord me atë infrastruktore logjistike shumë inferiore, u mblodhën komisionet respektive që i përgjigjeshin fushave të ndryshme, ku do bazonte jetën qeveria e parë dhe u mësuan dhe emrat që do drejtonte kreu i parë i Ekzekutivit shqiptar Sulejman Delvina.

Ajo që rrodhi më pas dihet dhe kontributi i kësaj ngjarje është e pamatë. Shteti shqiptar përmes rrebesheve dhe kundërthënieve krijoi identitetin e tij dhe e mbajti përgjatë gati tre regjimeve të ndryshme social-ekonomike.

Në dekada, Kongresin e Lushnjës e harruan, e sfumuan për t’i dhënë qytetari aktiviteteve shumë më pak të rëndësishme, pas të cilëve fshiheshin personazhe, që asnjëherë nuk i dhanë mundësitë e vërteta vendit, apo atë që ata burrat që u mblodhën në Lushnje e kishin në bazë të ideve që shtjelluan.

Dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, ky paradoks vijoi edhe në kohën e Demokracisë, ku mësimet e Lushnjës janë nga më pak të respektuarat. Uniteti i politikanëve është në gradën më të ulët, paçka sinjalit të fundit, kurse shpesh shqiptarët e politikës kanë treguar se udhëhiqen me spontanitetin sesa me arsye. Argumenti? Faktet? Shikoni sesi është vendi, sesa vite kemi humbur në luftra pafund politike dhe palogjikë parlamentare për të kuptuar se Kongresi i Lushnjës është një ngjarje aspak e nderuar ndër ne. Ndaj, pse kaq ngazëllim fals për Kongresin e Lushnjës, të dashur politikanë?! (Javanews)

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda