Gjyshin ia kishin vrarë, në derë të shtëpisë, datën e Kongresit të Përmetit, më 24 maj 1994, në Dhërmi, ku edhe ai vetë do të kryente klasën e parë të shkollës fillore. Por ai është i destinuar të mbetet i veçantë, unikal; jo vetëm si futbollist, por për shkak të një ndodhie që u shndërrua në legjendë në vitet ’80. U arrestua dhe u lirua në sallë, në vitin 1986, pasi kishte bërë 18 ditë arrest. Thotë se e shpëtoi Zoti, por ndoshta edhe reputacioni i tij si futbollist i madh. Ndoshta gjërat kishin nisur nga pak të ndryshonin. Por ai ka edhe histori të tjera për të rrëfyer. Sepse ai rrjedh nga dera e Markajve, nga e cila ka dalë edhe shkrimtari i madh, Petro Marko. Në fakt gjithkush që e njeh, e di mirë se ai është antipod i futbollistit “simbol”, që di të shënojë vetëm gola në portë. Andrea ka dëshirë dhe di të flasë, të gjykojë e analizojë qartë kohën dhe fenomenet. Por jo vetëm...ai ka shumë për të treguar:
* * *
Z. Marko, si mund t’i përshkruani momentet e para të kontaktit me botën e futbollit? Diçka për fëmijërinë tuaj!
Futbolli ishte me distancë loja më e dashur e moshës sonë. Ishte një kohë kur ne luanim në lagjen e Kombinatit, në rrugicat e tij. Nxiheshim nga loja në asfalt e shpesh në mes të pluhurit. Ishte një moment kur unë spikasja, pasi isha dhe pak më i madh, por jo vetëm. Qysh fëmijë nisa të krijoja një personalitet dhe respekt nga shokët e miqtë. Dalëngadalë fillova të krijoja portretin e një futbollisti të ardhshëm. U bënë disa spartakiada dhe dolëm në vendin e parë. Klasën e parë e kam bërë në Dhërmi, në vitin 1963, te gjyshja. Mbaj mend se mora dhe fletë lavdërimi, mora 5, notën më të mirë me sistemin e vlerësimit të asaj kohe. Shkolla e Dhërmiut ishte nga më të mirat në atë kohë, në rang rrethi e republike madje. Shquhej për rezultate të mira e angazhim. Ishte një shkollë që për mendimin tim, mund të ketë nxjerrë kuadro me vlera për kohën, nga më të mirët, në shumë fusha. Gjithsesi, mua më pëlqen të përqëndrohem te sporti, ku dolën emra të mëdhenj e që lanë gjurmë me punën e tyre, si: Vasil e Petro Ruci, Roland Iliadhi, Leonidha dhe Spiro Curri, nga Palasa, por gjithsesi nga ato treva. Të gjithë këta bënë emër me Flamurtarin, në një kohë që rekordi i tyre në gjysmën e dytë të viteve ‘80, mbetet i pathyer edhe sot në futbollin shqiptar në përfaqësimet ndërkombëtare. Gjithashtu me origjinë prej asaj treve është edhe Foto Strakosha, ish-portieri i famshëm i Kombëtares, me të cilin jam edhe kushëri. Pastaj u transferova në Tiranë, në shkollën “8 Nëntori”, në Kombinat.
Unë isha nga futbollistët më të mirë të gjithë klasës. Dhe nuk përballeshim vetëm me moshatarët apo me kundërshtarë të së njejtës lagje, por edhe me djem më të mëdhenj se mosha jonë, nga lagje të tjera. Pas disa lëvizjesh, shkova te Dinamo, se kisha edhe një shok, cili në të tilla situata, sidomos në atë kohë, ishte një domosdoshmëri. Trajnerë ishin Thoma Duro dhe Saimir Dauti. Stërvitje bënim te Shkolla “11 Janari”. Në vitin ‘72 kam marrë materiale për herë të parë: një palë atlete nga ato të Durrësit, tuta etj. Shumicën e stërvitjes e bënim me këmbë zbathur. Kam edhe një kujtim prej asaj kohe, për të cilin edhe kam shkruar. Kur Fati Ibërshimi më dhuroi këpucët e Gynter Netzerit, ish-futbollistit të famshëm gjerman e sot një analist i shquar i botës futbollistike, pasi ai kishte luajtur në Tiranë në 1972. Kënaqësi e madhe ishte kur merrje një palë tuta pambuku, prodhim vendi, sigurisht. Getat lidhur me fasho...ndoshta nuk ia vlen të flasim, por janë një indeks për të parë se sa kanë ndryshuar kohët.
Kur keni lindur z. Andrea?
Unë vetë jam i datëlindjes 1956, vendlindja Tiranë, megjithëse na quanin si pjesë të Yzberishtit, meqenëse ishim me banim në Kombinat në atë kohë. Pastaj shkova direkt te “Dinamo” me të rriturit, ku trajner kisha Sabri Peqinin dhe Skënder Jarecin, në vitin 1975. Kështu nisi karriera ime profesionale, me metrin e asaj kohe, gjithmonë. Mund të jem nga lojtarët që kanë bërë më shumë ndeshje te Dinamo. 12 vjet, me rreth 26 ndeshje në kampionate, plus 8 apo 9 të tjera në çdo Kupë të Republikës për çdo vit, plus aktivitete të tjera, e kështu që numri total shkon deri ne më shumë se 350 ndeshje afërsisht. Kam shënuar 90 gola, thuajse 8 – 9 gola për ndeshje, dy herë kam dalë golashënuesi i dytë si mesfushor. Me largimin e Ballgjinit rrëmbeva numrin “dhjetë”, me ekipin e “Shpresave” u shpalla me “Kampion Ballkani” në vitin 1978. Kam zhvilluar rreth 25 ndeshje ndërkombëtare zyrtare. Duhet theksuar me këtë rast se gjithçka ka ndodhur në një kohë shumë të ndryshme me këtë kohë. Nga viti 1973 deri në 1980, aktivitetet e ekipeve kombëtare ishin pezulluar. Në kupat e Europës, akulli u thye në vitin ’78. Kjo është historia e ekipeve kombëtare për kohën që flasim dhe nuk duhen hequr paralele kurrsesi me ditët e sotme e të bëhen krahasime me statistika pjesëmarrjesh e golash. Është thjesht e pamundur për shumë arsye. Nga viti ‘78 deri ne ’86, kam qenë titullar me ekipin Kombëtar.
Le të vijmë tashmë tek ndikimi i politikës së kohës dhe lidhja e saj me sportin e jetën tuaj..!
Sigurisht se ngjarjet politike ishin me shumë ndikim në atë kohë, si kudo, edhe në sport. Ndërroheshin shpesh titullarët, dilnin shumë armiq. Këtë e them, sepse ne vareshim si klub nga Ministria e Brendshme, siç dihet. Por ta kapim këtë çështje më herët. Më 24 maj 1944, pikërisht në ditën e Kongresit të Përmetit, nga një pusi e ngritur natën, në pabesi, më është vrarë gjyshi, nga komunistët që kishin marrë vendim, në derë të shtëpisë. Jani Andrea Marko quhej. Kushëri i parë me Petro Markon. Babai i Petros quhej Marko. Qysh në atë kohë pra nisën historitë e familjes sonë, me vështirësi kuptohet. Gjyshi ishte kryeplak i Dhërmiut. Edhe pas ardhjes së demokracisë, kryepleqësinë e Dhërmiut e mori xhaxhai, pasi jemi nga familjet më të nderuara të asaj zone, sidomos nëse çon nëpër mend Petro Markon. Ai ishte një shkrimtar i madh, edhe ai nuk e pati të lehtë në momentet e kthimit të tij nga internimi në Itali...e ka përshkruar tek “Nata e Ustikës”. Ai vdiq në 1991, dhe me njëri-tjetrin kemi ndenjur shumë. Unë e ndihmoja në atë epokë vështirësish ekonomike, sepse kisha një reputacion, le të themi. Ishte epoka e tollonit.
Për Petron le të flasim veçmas pak më vonë...! - Po si mundët pra të luanit me Dinamon, me këtë biografi?
Që të luante një njeri me një biografi të tillë te Dinamo, ishte një gjë e jashtëzakonshme. Atëherë Mehdi Bushati, i cili kishte nisur të bënte karrierë në nomenklaturën sportive të Shqipërisë dhe klubit Dinamo, është interesuar direkt edhe me orientimin e Kadri Hazbiut që të rregullohej pjesa e biografisë sime, për t’u mbrojtur, sepse Ministria mund të sulmohej nga Komiteti i Partisë e instanca të tjera e dilnin probleme. Z. Mehdi më ka thënë më vonë se kishin shkuar tek kryetari i kooperativës në Dhërmi e i kishin marrë firmat, ku thuhej se në atë aspekt, familja ime dilte “e pastër”. Por ata ishin gjithsesi koshientë se kush ishim ne. I përkisnim familjeve më të pasura të zonës. Në shtëpinë tonë të Markajve, në pallatin e ndërtuar në 1912, në 1944 kishin bujtur dikur amerikanët që kishin zbarkuar për të luftuar nazistët, dhe e kishim ndihmuar shumë lëvizjen, por fatkeqësisht, gjërat morën rrugë të gabuar, siç dihet. Ministria e Brendshme e dinte se cili ishte pozicioni i familjes sonë. Kemi ndihmuar në progresin e fshatit, i kemi dhënë kulturës etj. Nga ana tjetër, shkrimtari Petro Marko vlerësohej si shkrimtar lider, ishte shumë popullor. Në momentin që unë isha në burg, aktiviteti i tij kishte kohë që nuk funksiononte, ishte sulmuar së fundmi te libri “Mes katër rrugëve”, iu ndalua botimi. Në 1976, unë isha lojtari i “Shpresave”. Luajtëm në Shkup, barazuam me jugosllavët, 1 me 1. Dashje pa dashje, krerët e Dinamos, meqë m’a kishin nevojën, i rregulluan vetë letrat. Gjërat ndërkohë vlonin me “spastrimet e mëdha” kudo; në kulturë, ekonomi e ushtri. Situata ishte shumë delikate.
Po Skënder Shehu, thuhet se keni pasur shumë shoqëri?!
Skënder Shehu edhe sot e kësaj dite, vjen këtu shpesh e diskutojmë. Më thotë me shaka: Kush ka qenë deputet i Kombinatit? – Ia kthej unë: Po, më kujtohet, babai yt, Mehmet Shehu!- dhe qeshim. Me Gonin, të birin e Kadri Hazbiut, dhe me vëllanë e tij kam qenë gjithashtu shok dhe koleg. Gjithsesi, Skënderi nuk ishte tifoz sporti.
Mehmet Shehu dhe Kadriu me Dinamon kanë qenë? Sepse kam lexuar diku ( ndoshta kujtimet e Iliaz Çecos) si themelues të klubit janë ata të dy..si kundërpeshë ndaj Partizanit?!
Jo si kundërpeshë. Regjimi donte t’i jepte një hov në fakt futbollit, kur këto klube u themeluan, në një kohë që u bë edhe Ballkaniada. Trajnerët kanë qenë të huaj. Edhe njerëzit e donin. Në fakt në themelimin e klubitët Dinamos, ka hedhur firmën edhe M. Shehu,por Kadri Hazbiu ishte një tifoz “i sëmurë” i Dinamos, saqë “i dhuroi” edhe të birin, Agronin asaj.
Po ndeshjet tuaja jashtë shtetit?
Kur u vendos që unë të merrja pjesë me Dinamon në takimet jashtë shtetit, kuptohet se duhet të ishe “i përsosur..”. Në raste të tilla hynin garant njerëz me pozitë, e në rast të kundërt, nëse nuk ktheheshe, niste padyshim kalvari i përndjekjeve për familjen. Kur niseshim jashtë shtetit ( qesh...ky term na ka mbetur nga ajo kohë!) bashkë me ne sportistët, na shoqëronin edhe përgjegjësi i ekipit, shoqëruesi, ai u merrte me pasaportat, një staf prej tre-katër vetash përgjegjës për survejimin e sigurimin tonë, të deklaruar, plus doktori dhe masazheri.
Para nisjes, ju bënin punë “sqaruese”?
Po, në fakt në një mënyrë të kujdesshme, pa i ngritur shumë tonet. Na thoshin: Kujdes kur ju afrohen njerëz të arratisur, të deklaruar si kundërshtarë të regjimit, nga njerëz që nuk i njihni, mos u shoqëroni më të huajt, kujdes në treg!. Por këto diheshin, problem ishte posedimi dhe kalimi i monedhave me vlerë, dollarëve, dhe në kthim sendet apo mallrat që blinim. Dietat ishin mëse qesharake. Në Rumani, në finale me “Shpresat” e tyre, na dhanë me vete vetëm 5 Lei për person, me të cilat nuk mund të blije dot veçse një çimçakëz, dhe në Beograd më pas 15 dollarë. Ne megjithatë siguronim ca para për t’i marrë me vete.
Mendo kur ktheheshe nga jashtë, përballeshe me njerëzit... ishte një stres, sepse njerëzit e afërt e miqtë, nuk arrinin t’i kuptonin këto gjëra. Ua shpjegonim në mënyrë të detajuar se si ishin punët dhe ata nuk donin t’ia dinin fare. Kaq të varfër ishim. Bënim xhiro me pulovrat e shokëve. Suvenirët ishin sapunët, stilolapsat, çimcakizët.
Po për lojën a mendonit?
Për lojën s’mendonim thuajse fare, vetëm në momentin e fundit...
Burgu juaj, arrestimi, si ndodhi?
Deri në vitin ‘72 ndiqeshin në RTV, San Remo e “canzonissima”-t. Pastaj transmetimi i tyre u ndërpre. Shihnim emisionet sportive në RAI e pastaj nisëm t’i dëgjonim në radio komentatorët italianë. Ishte një moment që nisi të pëlqehej papritur edhe lloto, skedinat. Shpikëm “rezultate të sakta dhe krahu i rezultatit”. Atëherë ishte çmenduri...sot më thonë: si nuk i gjejmë dot sot ne ndeshjet, kur ateherë i gjenim me rezultat në kokë madje?!. Kjo ndodhte sepse ishim shumë të përqëndruar në kampionatin italian, Kupën e Kampionëve...në Itali kishte ardhur asokohe ajka e futbollistëve botërorë: Platini, Bonjek, Van Basten, Maradona, Kareka, Alemao, të gjithë në Serinë A.
Me pak para, me borxhe ndoshta, u përfshinë të gjithë dalëngadalë në atë lojë. Sidomos të gjithë futbollistët. S’mbaj mend ndonjërin prej tyre që të mos ishte i përfshirë. Jemi te koha e tollonit. Qeveria bënte sikur i paguante, njerëzit bënin sikur punonin. Duhet kuptuar mirë situata, koha. Në 1986 u ngrit me të madhe ky problem, në Komitetin e Partisë. Të gjithë shqiptarët luanin baste e skedina, mbase si argëtim, mbushnin jetën, ditën, por edhe fitimi i lekëve i shtynte, me siguri.
Kështu, atje lart, në udhëheqje, kjo punë u bë problem. Ishte marrë një vendim. U bë një fushatë raprezalje kundër këtij fenomeni, pasi kishte marrë përmasa. Kishte ardhur koha të veprohej..! - Në një shoqëri të degraduar kishte mbetur puna të kapeshin me gjëra shume sipërfaqësore, pasi çdo gjë “madhore” tashmë kishte marrë fund.
Po arrestimi juaj si ndodhi? Cili ishte sfondi dhe atmosfera kur ai ndodhi?
Ne luanim, fituam disa herë skedina...sepse ne ishim më pranë ngaqë ishim sportistë. Në një shtet tolloni, ku për një shishe qumësht, si futbollist i Kombëtares duhej të shkarkoje dy IFA ( kamionë ta markave ish-gjermanolindore) që të merrje pa radhë, vetëkuptohet se çfarë ishe në gjendje të ndodhte...Ata e cilësuan si bixhoz, u artikulua në akuzën ndaj meje, si “luajtje bixhoz në formen e lloto-sportit”. Më kapte një nen që parashikonte nga 4 deri në 6 apo 7 vite burg. Ata thoshin se kisha fituar 150 mijë leke, dhe unë ato lekë i kisha marrë si pasojë e përfshirjes në atë “lojë”, të shumë personave, ku me informacionet që kisha, ishin përfshirë shumë shtresa shoqërore, deri tek prokurorë e intelektualë, porsigurisht, kryesisht rini qytetare. Kështu që normalisht duhej të arrestonin shumë e shumë të tjerë, por u gjenda unë për t’u marrë si shembull dhe nuk kapën të tjerë, flas nga futbollistët.
Karriera juaj në këtë fazë ishte padyshim në kulmin e saj?!
Isha në kulmin e karrierës time sportive. Ishte viti 1986, Dinamo ishte në pod. Kampionatin e morëm në Gjirokastër, me rezultatin 0-3, por këtu luante Vlora me ish-17 Nëntorin dmth. Tiranën. Unë u lirova më pas në sallë, më datë 18 shkurt. Prokuroria në fakt në pretencë më dënoi me katër muaj burg, ishte një farë Sinan Baboçi, kurse gykatësi me një akt të guximshëm, më liroi aty në mënyrë direkte. Në mungesë të avokatit, pasi atëherë as që çohej ndërmend, nuk kishte fare, nuk pranova asgjë, përveç faktit se vërtetë isha marrë me lloto. Bashkë me mua ishin edhe 12 vetë të tjerë të akuzuar. Në hetuesi, ma kujtuan faktin se isha nip i Petro Markos dhe se kisha një gjysh të vrarë. Më thoshin: Ne t’a kemi vrarë gjyshin, Petron gjithashtu e dimë se ç’bën dhe se çfarë marrëdhënie ke me të! Më ngacmonin. Në fund pranova që kam luajtur, sipas tyre, bixhoz. Me hetuesit në qelinë numër 8 të burgut 313 në Tiranë kalova 18 ditë. Kohën e kaloja duke lexuar libra, e shpesh më ngjante vetja me personazhin kryesor tek “Konti i Monte Kristos”. Kështu kaluan ditët e netët atje ku shumë të tjerë për dekada kishin vuajtur shumë herë më shumë se unë. Vinin shokë e dashamirës: dikush edhe si drejtor burgu, tjetri si shok. Me një pardesy pa kopsa, flije në tokë, të linin të dilje një herë në ditë për ajrosje, nevojat personale kryheshin nën “mbrojtjen” e policit, e berberi të qethte qeros.
U lirova në sallë, mes brohoritjeve. Dola nga dera e pasme. Ishte 18 shkurt 1986.
(Intervista vijon nesër në gazetën Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)