Kampionati spanjoll do të mbajë të mbërthyer para ekranit të gjithë shikuesit në finalen e edicionit mes Barcelonës dhe Atletikos së Madridit.

Aktualisht Atletiko është 3 pikë para Barcelonës, por në rast fitoreje fiton titullin, pasi ndeshja e parë ka përfunduar në barazim dhe me pikë të barabarta kampionë shpallen katalanasit.

Pas shumë oshilacioneve, te Barcelona janë të bindur se do ta fitojnë finalen e edicionit. Andres Iniesta shprehet se ekipi ka besim maksimal se do të fitojë titullin e La Liga-s.

“Kur një ekip fiton kampionatin asnjëherë nuk mund të thuhet se sezoni i tyre ka qenë i dështuar. Nëse arrimë ta fitojmë do të jemi më të lumturit në botë.

Kemi qenë lider për shumë javë dhe kemi luftuar e vuajtur si gjithë të tjerët. Jam i sigurt se do të jetë finalja jonë, Atletiko është një kundërshtar  shumë i vështirë për t’u kaluar.

Ta luash këtë sfidë në shtëpinë tënde të krijon më shumë besim. Do të jetë një 90-minutësh që vlen sa një sezon i tërë” deklaroi ai.