Pas Prishtinës Ursula Von Der Leyen u ndal dje në Mal të zi ku takoi Presidentin Jakov Milatoviç, me të cilin diskutoi përfundimin e negociatave të anëtarësimit, reformat dhe hapat e ardhshëm të Malit të Zi në rrugën drejt hyrjes në Bashkimin Evropian.
Von der Leyen vlerësoi përkushtimin e vazhdueshëm të qeverisë malazeze për integrimin dhe e inkurajoi presidentin malazez që qeveria atje të mbetet e përqndruar tek reformat për përfundimin e negociatave të anëtarësimit.
Milatoviç foli për objektivin për të mbyllur negociatat këtë vit, të nënshkruajë traktatin e anëtarësimit vitin e ardhsghëm dhe për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian në vitin 2028.
"Mali i Zi sot është më afër se kurrë anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Objektivi ynë është që deri në fund të këtij viti të mbyllim të gjithë kapitujt e mbetur të negociatave. Nuk kërkojmë rrugë të shkurtra, por që përparimi ynë të vlerësohet në bazë të rezultateve dhe që BE të sigurojë një rrugë të qartë dhe të parashikueshme drejt anëtarësimit" tha ai.
Gjatë takimit u diskutua edhe për udhërrëfyesit e paralajmëruar për vendet kandidate më të avancuara, të cilat von der Leyen i prezantoi në fjalimin e saj për gjendjen e BE.
Milatoviç shprehu pritshmërinë se ato do ta bëjnë fazën përfundimtare të procesit më të qartë dhe më të parashikueshme, duke përcaktuar saktësisht hapat e ardhshëm të vendeve kandidate, por edhe detyrimet e institucioneve evropiane dhe vendeve anëtare.
Vizita e von der Leyenit në Mal të Zi ishte pjesë e turit të saj në Ballkanin Perëndimor, pjesë të së cilit kishte edhe ndalesat në Kosovë e Shqipëri e që do të përmbyllet në Maqedoninë e Veriut.









Komente
Komento