Angjeli: Qeveria s'merr dot
kompani private për borxhet

Angjeli: Qeveria s'merr dot<br />kompani private për borxhet
TIRANE- Lajmi, i bërë së pari publik nga Shqiptarja.com, se qeveria ka pajtuar kompani private për të mledhur borxhe të këqia, ka mbërritur dje në Kuvend. Në seancë plenare, deputeti opozitar Erjon Braçe ka informuar parlamentarët për faktin se, me vendim të Këshillit të Ministrave, janë pajtuar tashmë subjekte private që të kryejnë një punë të tillë, duke përmendur edhe emra konkretë të pronarëve të tyre.
Për të sqaruar ligjshmërinë e një vendimi të tillë, iu drejtuam ish-ministrit të Financave dhe Ekonomisë në qeveri të ndryshme socialiste, prof.dr. Anastas Angjelit.

Zoti Angjeli, si e komentoni një veprim të tillë të qeverisë shqiptare?
Unë nuk jam në dijeni për një VKM të tillë, i cili, siç e keni njoftuar edhe ju, në gazetën tuaj, mbahet ende i fshehtë. Në rast se ekziston, kemi të bëjmë me një shkelje të hapur të ligjeve në fuqi në Republikën e Shqipërisë.

Ju, si ministër, nuk do t'i drejtoheshit një kompanie private që ofron shërbimet e saj për të mbledhur një detyrim, të cilin prej vitesh shteti nuk është në gjendje ta mbledhë? Nuk është me leverdi një gjë e tillë?
Si ministër, e shumta që mund të them, do të kisha patur një joshje në këtë drejtim. Kushdo që është ngarkuar me detyrën e mbushjes së arkës së shtetit, do të përdorë të gjitha metodat e mundshme për ta plotësuar këtë detyrë. Por, një veprim i tillë, të paktën deri më sot, nuk ka një bazë ligjore. As ministri dhe as Këshilli i Ministrave nuk kanë se ku të bazohen për të nxjerrë një akt të tillë, që do të lejonte një privat të shkonte tek debitorët, për të mbledhur paratë e shtetit.

Po në rastin e përmbaruesve privatë?
Përmbarimi është një shërbim i lejuar me ligj dhe për këtë ka një kuadër të plotë. Ky shërbim, si shtetërori, ashtu edhe privati, mund të përdoret lehtësisht. Natyrisht, derisa ka përmbarues shtetërorë, që marrin fonde vit për vit nga buxheti i shtetit, qeveria duhej të angazhonte ata më parë, por nuk është e kundërligjshme të përdoren edhe përmbarues privatë, duke pranuar publikisht se jemi të paaftë të zgjidhim problemet me shtetin. Në rastin e një kompanie që nuk ka licensë përmbarimore nga ministria e Drejtësisë, ndryshon puna, nuk ka nja kuadër ligjor. Nuk ka as ligj, as vendim të Këshillit të Ministrave, as udhëzim ministri për një gjë të tillë.

Pra, në rast se qeveria ka nxjerrë një VKM në këtë drejtim, si do ta konsideronit?
Thjesht, të kundraligjshme.

Po në rastin e borxheve që kanë privatët mes njeri-tjetrit, përligjet përdorimi i kompanive të caktuara, që nuk kanë licensë përmbarimi?
Kjo po, është krejtësisht e ligjshme. Gjatë kohës kur kryeja funksionin e ministrit, dy kanë qenë ligjet, që janë miratuar me nismën tonë dhe që përafrojnë legjislacionin fiskal shqiptar me atë të BE-së e që do t'i theksoja, në këtë kuadër. I pari ka të bëjë me "leasing"-un dhe i dyti me "factoring"-un. Në rastin e parë, fjala është për marrëdhënie huadhënieje të një lloji të veçantë, ndërkohë që faktoringu është pikërisht ligji, që lejon përdorimin e privatëve për të zgjidhur probleme të kësaj natyre me njeri-tjetrin.

(gk/im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës