Anglishtja, provim i detyrueshëm
për Maturën Shtetërore

Anglishtja, provim i detyrueshëm<br />për Maturën Shtetërore
TIRANE- Zyrtarisht, edhe Anglishtja është provim me detyrim i Maturës Shtetërore. Që do të thotë se të rinjtë që këtë vit futen në klasën e XII të gjimnazit, duhet të bëhen gati që të japin tre provime me detyrim dhe jo dy. Kjo pasi duke sipas udhëzimit më të fundit të ministrisë së arsimit, që tashmë është publikuar edhe në fletoren zyrtare, këtë qershor, përveç Matematikës dhe Letërsisë, maturantët do të japin si provim të detyruar të Maturës Shtetërore, edhe Gjuhën Angleze.

Ndonëse vetë drejtuesit e deritanishëm të MASH-it kanë pranuar se njohuritë e anglishtes në shkollat e zonave rurale janë problematike, vendimi për të futur anglishten si provim i detyruar është marrë pasi, vitet e fundit numri i maturantëve që kanë zgjedhur gjuhën angleze si lëndë me zgjedhje në provimet e maturës ka ardhur në rritje.

Kundërshtimet
Por ky vendim ka ndarë në dy grupe vetë mësuesit e shkollave të mesme. Disa shprehen se futja e anglishtes si provim i detyruar do t’iu sjellë veç të mira nxënësve, ndërsa të tjerë e quajnë këtë vendim si të tepruar në kushtet e shkollës shqiptare, kur në mjaft zona mungojnë mësuesit e kësaj gjuhe, por nxënësit kanë mangësi serioze në njohuritë bazë edhe të gjuhës shqipe.

Ata që janë kundër këtij vendimi thonë se sigurisht anglishtja është një gjuhë mjaft e rëndësishme, por për ta, kjo nuk do të thotë që ajo të bëhet prioritet sa kohë që nxënësit tanë ka probleme me Gjuhën Shqipe.

“Sigurisht që është mirë ta zotërosh anglishten pasi po kthehet në një gjuhë ndërkombëtare, por unë nuk jam dakord që ajo të bëhet prioritet, përpara Gjuhës Shqipe. Ajo nuk mund të bëhet provim i detyruar, duke zënë kështu më shumë vend se Gjuha Shqipe, pasi dihet se në shkollat e mesme Letërsia është e bashkuar me Gjuhën Shqipe. Pra realisht edhe si orë, një nxënësi i bie të bëjë më shumë orë mësimi anglishteje se sa Gjuhë Shqipe, gjë që për mua nuk është e drejtë”, - shprehet një prej mësuesve të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në një prej gjimnazve më me emër të Tiranës.

Por për një tjetër mësues po në Tiranë, nisma për futjen e anglishtes si provim i detyruar është një nismë shumë e mirë, sa kohë që testi do të jetë brenda programit që ata bëjnë në arsimin parauniversitar. “Unë jam dakord që anglishtja të jetë lëndë me detyrim, sa kohë që testi do të jetë brenda kurrikulës që ata kanë bërë gjatë viteve të gjimnazit”, - na thotë ai.

Vendimi është marrë, por tashmë pritet nëse edhe qeveria e re do t’i marrë në konsideratë, apo do të ketë reformim.

Shkrimi u publikua sot (15.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria do të zhvillojë Industrinë Ushtarake, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Begaj pret ministrin e Mjedisit të Maqedonisë së Veriut: Thellim i marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve

Begaj pret ministrin e Mjedisit të Maqedonisë së Veriut: Thellim i marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve