Ani, shqiptari që ngriti flamurin
grek si nxënësi më i mirë i shkollës

Ani, shqiptari që ngriti flamurin <br />grek si nxënësi më i mirë i shkollës
ATHINË - Joan Mëhilli, është 15 vjeç. Eshtë lindur dhe rritur në Greqi, në Athinë. Prindërit e tij u larguan andej që në fillimet e demokracisë, dhe sikurse çdo emigrant shqiptar i atyre viteve, me shumë mundim dhe shumë punë, ngritën atje jetën e tyre. Për të arritur në atë që konsiderohet “integrimi i emigrantëve” dhe përfshirja e tyre në jetën komunitare.
E pikërisht në vitin 1997 vjen në jetë Joani. Sot, ka nënshtetësinë greke, por në asnjë rast nuk e mohon që është shqiptar. Muajin e kaluar, komuniteti shqiptar në Athinë, u krenua me gjimnazistin me origjinë shqiptare, i cili, u përzgjodh nga gjithë gjimnazistët dhe mësuesit e tij, për të mbajtur flamurin grek në paradën e përvitshme të shkollës, në të gjitha lëndët, një gjimnazist me nota të shkëlqyera.
Ani, di shqip. Edhe pse është rritur në Greqi. Di të shkruajë dhe të lexojë. Në pak raste me vështirësi, por sikurse na tregon ai vetë, në familje, të gjithë flasin shqip. Ani thotë se vëllai i tij i vogël ka pak vështirësi në të lexuar për gjuhën shqipe, por komunikimin herë me gabime e herë jo, e bëjnë në gjuhën shqipe, edhe pse në fakt, nuk kanë ndjekur ndonjë kurs të saj.

- Ani, kush të përzgjodhi për të mbajtur flamurin në gjimnazin e shkollës?
- Kjo është një ngjarje e përvitshme. Nga nxënësit e shkollës por edhe stafi i mësuesve, bëhet përzgjedhja e nxënësit më të mirë për të mbajtur gjatë paradës flamurin grek. Unë, isha ai që kisha notat më të mira, ndaj edhe u përzgjodha për të mbajtur flamurin.

- Po ndërkohë, u gëzuan shokët e shkollës, apo ndonjë që kundërshtoi që ti të mbaje flamurin meqë je shqiptar?
- Jo jo, sa u bë lajmërimi që unë do të mbaja flamurin gjatë ceremonisë, të gjithë shokët dhe shoqet në klasë më uruan. Madje shumë prej tyre më përqafuan që nga klasa do ta mbaja unë. Kishte të tjerë që më dhanë dorën. Të njëjtën gjë bënë edhe mësuesit, të cilët më uruan një e nga një. Ishte një ditë shumë e gëzuar për mua.

- Po shqiptarët? A ka nxënës të tjerë shqiptarë në gjimnazin ku studion ti?
- Po ka. Shumica e tyre më uruan për këtë. Disave në fakt edhe nuk u pëlqeu kjo gjë. Thjesht nuk reaguan. Por lidhjet e mia me ta nuk janë prekur aspak nga kjo gjë. Ne vazhdojmë të jemi miq.

- Kishe emocione atë ditë që mbajte flamurin? Sepse shumë vite më parë ka pasur reagime pse shqiptarët të mbanin flamurin?
- Jo, unë nuk e di këtë gjë. Atë ditë që mbajta flamurin, të gjithë, nxënësit grekë por edhe ata shqiptarë, më duartrokitën fort dhe thërrisnin të gëzuar. Nuk e kisha shumë mendjen, vetëm i dëgjoja, se edhe unë kisha emocione. Pavarësisht se unë jam shqiptar dhe këtë e them, dhe të gjithë e dinë, unë jam rritur me këta shokë dhe nuk shikoj asnjë dallim apo ndryshim nga të gjithë nxënësit e tjerë.
Sa për emocionet, po kisha emocione. Ajo do të mbetet në kujtesën time, një nga ditët e mia më të lumtura. Sepse arrita që me shumë studim, punë dhe djersë, të dilja shkëlqyer në diçka të vështirë, po të mendosh edhe më shumë, se kisha vështirësi akoma më të mëdha duke qenë se jam shqiptar.

- Por u ndjeve krenar që puna u shpërblye. Po ashtu edhe familja...
- Po, u ndjeva shumë krenar që u paraqita ashtu sikurse duhej. Dhe i uroj të gjithë nxënësve shqiptarë që të arrijnë atë që duan. Dhe u uroj në veçanti të gjithë nxënësve shqiptarë që jetojnë në Greqi të përpiqen dhe të studiojnë gjithmonë sepse mund të arrijnë edhe ata, te kjo që arrita edhe unë. Unë e ngrita flamurin për të gjithë, për nxënësit grekë dhe për ata shqiptarë.

- Duke qenë se ke dalë me nota të shkëlqyera, dhe pas pak vitesh do të nisësh universitetin, e ke menduar se çfarë dëshiron të bëhesh?
- Akoma nuk e di se çfarë dua të bëhem...E vetmja gjë e sigurt është se dua të vazhdoj studimet e larta dhe të bëhem dikush që mund të ndihmojë njerëzit. Më pëlqen mjeksia, të jem doktor, por edhe shkencëtar për gjëra të reja. Jam shumë i dhënë pas tyre, sidomos pas hapësirës me intrigon shumë. Dua që gjithmonë të kërkoj diçka më shumë. Dhe jam i sigurt se do ta arrijë. Kemi filluar të diskutojmë edhe në familje për këtë. Prindërit kanë edhe ata idenë e tyre. Por gjithsesi, në fund, unë do të vendos vetë se çfarë do të bëhem.

(aq/shqiptarja.com)












  • Sondazhi i ditës:

    6 muaj mungesë në Kuvend për shkak të arrestit, a duhet t'i hiqet mandati Berishës?



×

Lajmi i fundit

Mali i Zi heton për krime lufte ish-prokurorin special

Mali i Zi heton për krime lufte ish-prokurorin special