Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale kanë qenë mbrëmjen e sotme temë diskutimi në emisionin 'Repolitix' me gazetarin Denis Minga në Report Tv.

Avokati Leonard Karaj bëri një deklaratë të fortë gjatë fjalës së tij, ku se nëse ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale do të miratohen, do të jetë më mirë që SPAK të mbyllet.

Kjo pasi sipas tij, vetëm njëra prej pikave të ndryshimeve, që parashikon 'jo arrest me burg për veprat penale që dënohen nën 5 vite', favorizon të gjithë zyrtarët e korruptuar. Karaj tha se të gjitha veprat penale që shkojnë në SPAK nga radhët e funksionarëve publikë, shkojnë kryesisht për shpërdorim detyre, që dënohet maksimalisht 7 vite dhe përmes gjykimit të shkurtuar shkon në më pak se 5 vite.

"Ne kemi vuajtur realisht nga një sistem gjyqësor, ku avokatin e kemi përdorur si rreckë. S'e kemi konsideruar fare, sepse ka qenë mentalitet tipikisht komunist. Edhe arroganca, ti e ke sot në GJKKO. Bën ai zotëria një rregullore pa pyetur askënd që e përdor atë rregullore dhe e vazhdon në kokfortësi idioteske. Nesër dalin ata që u kapën të shtunën, dalin nga burgu se i kaluan 72 orët. Nëse unë do flisja si avokat, unë do të thoja që ky është një kod perëndimor, me nuanca të forta amerikane. Pra të drejtat e njeriut janë në standardin më të lartë të mundshëm.

Pyetja që unë ngre është që nëse ne do shkojmë në këtë standard, do të duhet që ne të jemi të gjithë danez, suedez, norvegjez. Pra ti po bën një kod për në Danimarkë. Nëse do miratohet kështu siç është ky kod, po them 'mbylleni nesër SPAK'. Madje ysht edhe ndërkombëtarët, që ta bëjnë vetë ata meqënëse është investim i tyre. Sepse e para fare, 'jo arrest me burg për veprat nën 5 vite'. Pjesa më e madhe e veprave penale që shkojnë në SPAK, ato që kanë funksionarë publikë, jo ato që janë kriminalitet, shkojnë kryesisht për shpërdorim detyre", tha mes të tjerash avokati Karaj.

Nga ana tjetër, këshilltari i PS në Bashkinë e Tiranës, Alfred Muharremi, tha se ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale e vendosin theksin te parimi i prezumimit të pafajësisë.

Muharremi tha se ajo që i pëlqen dhe i intereson më shumë ndër ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale është që marrja në pyetje e të pandehurit duhet të regjistrohet.

Muharremi tha se kjo do të pamundësojë ndryshimin e deklaratave, si nga ana e organeve shtetërore ashtu edhe nga ana e të pandehurve, siç sipas tij ka ndodhur më parë.

"Ke gra të cilat kanë fëmijë nën moshën 6-vjeç dhe janë me arrest me burg. Unë di raste që ka pasur. Mua e vetmja gjë që më pëlqen është përgjegjësia sociale e këtyre ndryshimeve të kodit, ku i vendos shumë theksin ndaj një parimi që është kushtetues dhe që përgjithësisht nga sistemi gjyqësor dhe i Prokurorisë, pavarësisht edhe Reformës së Drejtësisë, ka qenë prezumimi i pafajësisë. Ky është një nga ndryshimet që prezumimi i pafajësisë forcon akoma edhe më shumë rolin e saj dhe e bën edhe më të standardizuar edhe rolin e të gjithë funksioneve.

Duke qenë se unë kam mbuluar anën sociale, kemi pasur raste që kanë qëndruar në burg vetëm për një zënkë brenda, mes 2 bashkëmoshatarëve në dhomat e qelisë, pa u dëgjuar e drejta e këtij individi. Mirë që nuk mbështeteshe nga kushtet social-ekonomike që kishte individi, por nuk mbështetej as në avokatë, që duhet të ishin avokatë normalisht dhe Gjykatat nuk i dëgjonin.

Mua ajo që më intereson më shumë është që marrja në pyetje të regjistrohet dhe të rishikohen të gjithë elementët e këtij intervistimi që kanë bërë ndaj të pandehurit, që nesër të mos ketë ndryshim të deklaratave siç ka ndodhur më parë që ça ka thënë sot nuk e ka thënë të nesërmen. Kanë ndodhur edhe këto, thjeshtë për të kapur atë elementin statistikor që unë kam arritur që të faktojë një vepër penale", tha mes të tjerash Muharremi.


Lajmi kryesor:

Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale/ Ish-prokurori: Zhvillim pozitiv, 'arresti me burg' në Shqipëri është përdorur në mënyrë të tepruar! Avokati: I japin fund një kulture abuzive