Durrës/ Anija me mbetje ende në radë, Prokuroria sqaron vonesat: Derisa të sigurohen kushtet e duhura! Kërkesë disa institucioneve që të vënë në dispozicion laboratorë për analizat

DURRËS- Anija me mbetjet e dyshuara të rrezikshme në Portin e Durrësit do të vijojë të qëndrojë në radë, ndërsa pritet që të nisin procedurat për ankorim në Port. Prokuroria e Durrësit ka dalë me një njoftim, ku sqaron se anija do qëndrojë në radë deri kur të sigurohet vendi i përshtatshëm për ankorim.

Në njoftim sqarohet se vonimi për ankorimin lidhet me "kompleksitetin e çështjes, si volumi i sendeve objekt sekuestrimi, llojit të sendit dhe veçanërisht nevojës për të garantuar sigurinë mjedisore dhe fizike te tyre". Ndërkohë, deri në finalizimin e sekuestros për 102 konteinerët që dyshohet se mbartin mbetje të rrezikshme, anija do të monitorohet nga Policia e Shtetit.

Ndërkohë, Prokuroria thotë se analizat e lëndës së dyshuar të rrezikshme do të bëhen në laboratorë vendas dhe për këtë janë në diskutime me Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave, Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, që të vendosin në dispozicion laboratorë dhe ekspertë.

"Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, duke marrë parasysh interesin e madh publik në lidhje me procedimin penal nr.1596.2024 dhe ekzekutimin e urdhrit të sekuestros të konteinerëve, bën me dije se institucionet e ngarkuara për ekzekutimin e urdhrit të sekuestros, datë 27.10.2024 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, kanë organizuar punën dhe janë në fazë ekzekutimi të tij.

Ata kanë njoftuar zyrtarisht Prokurorinë në lidhje me masat që kanë marrë, ndërsa vonesat lidhen me kompleksitetin e çështjes, si volumi i sendeve objekt sekuestrimi, llojit të sendit dhe veçanërisht nevojës për të garantuar sigurinë mjedisore dhe fizike te tyre. Deri në momentin e finalizimit të procesit të sekuestros, anija do të vijojë të qëndrojë në Radë nën monitorimin e Policisë së Shtetit.

Gjithashtu, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, i është drejtuar disa institucioneve publike shqiptare, si Fakulteti  i Gjeologjisë dhe i Minierave, Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, për të vendosur në dispozicion laboratorë dhe ekspertë për kryerjen e analizave të materialit që ndodhet në kontenierët objekt sekuestrimi.

Për shkak të interesit të lartë publik që mbart kjo çështje, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës do të vijojë të mbajë të informuar opinionin publik në lidhje me hapat e mëtejshëm", njofton prokuroria. 

Autoriteti Portual ende nuk e ka përcaktuar vendin se ku do të futet dhe qëndrojë anija “Moliva”. Më herët (31 Tetor), përgjigja e Autoritetit Portual për Prokurorinë kishte qenë se nuk dispononin kushtet për ankorimin e anijes, monitorimin e saj dhe çështjet e sigurisë për ambientet ku do vendoseshin kontejnerët.

Mbetje teknologjike të industrisë së uzinës së shkrirjes së çelikut në Elbasan duhet të mbahen në vende të sigurta sipas urdhrit të Prokurorisë së Rrethit. Anija ndodhet 1,5 milje nga porti, në radën e jashtme.

Pritet të caktohet nëse anija do futet brenda kalatës së portit ku do krijohen kushtet për ruajtje, apo jashtë ambienteve të saj dhe në një magazinim të sigurt dhe mbikëqyrje me kamera.

Kontejnerët u nisën nga ky por më 4 korrik të këtij viti, me destinacion Tajlandën dhe Singaporin, por pas alarmit të dhënë nga “Rrjeti i Bazelit”, e njohur si organizata BAN, u ndaluan dhe kthyen mbrapsht në destinacion me anijet transportuese të kompanisë “Maersk”.

Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet prej 21 Gushtit dhe ende është nën proces aktiv, teksa më 26 Tetor ka kërkuar kryerjen e analizave të mbetjeve, nëse janë toksike apo të rrezikshme dhe mbajtjen e tyre në ambiente të sigurta, me plumbçe të mbyllura, të ruhen me Polici dhe me monitorim kamerash. Anija mbërriti afër portit më 28 Tetor, në pritje të ankorimit. Këto mbetje kishin dalë nga ambientet e kompanisë "Kurum" dhe të transportuara nga shoqëria "Sokolaj sh.p.k", ndaj të cilave gjithashtu po kryhen hetime.

Njoftimi i Prokurorisë

A.Q/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    10 Dhjetor, 10:15

    Në përplasjen Veliaj-Berisha kujt i jepni të drejtë?



×

Lajmi i fundit

Scholz dhe Vuçiç takohen në Gjermani, bisedime për litiumin

Scholz dhe Vuçiç takohen në Gjermani, bisedime për litiumin