Anijet me mbetje toksike u ankoruan në Singapor, e para mbërrin në fund të shtatorit në Itali, e dyta më vonë! Do kthehen në Shqipëri

Anijet me mbetje toksike u ankoruan në Singapor, e para mbërrin në fund të shtatorit në Itali, e dyta më vonë! Do kthehen në Shqipëri

Anija e 'Maersk' dhe portet e Tajlandës e Durrësit

Ndërsa autoritetet shqiptare kanë deklaruar se po hetojnë ngarkesën me mbi 800 tonë mbetje toksike që dyshohet se është nisur nga ambientet e kompanisë “KURUM”, nëpërmjet një tjetër shoqërie tregtare “Sokolaj” sh.p.k, me destinacion dërgimin dhe shitjen e tyre në Tajlandë, duket se kjo ngarkesë me të paktën 100 kontenierë, do mbetet “peng” e procedurave dhe rrugës detare.

Konfirmohet se ngarkesa do kthehet e gjitha mbrapsht, në destinacionin nga dhe u nis, me të njëjtin itinerar. Madje një nga anijet është rrugës dhe mbërrin në fund të muajit shtator në portin italian të Goia Tauro, andej nga ishte tranziti i parë pas daljes më 4 Korrik nga Porti i Durrësit. Kurse anija e dytë do mbërrijë më vonë, por nuk jepen data të sakta dhe dinamikë.

Lajmin e publikon “Bloomberg” në një tjetër raportim rreth ngjarjes, duke marrë informacione dhe reagime nga palët e përfshira.

Vetë kompania e transportit ndërkombëtar ndërujor “A.P. Moller-Maersk A/S”, që transportonte këtë ngarkesë drejt aksit Singapor-Tajland, pra në Azinë Juglindore, konfirmon se pas komunikimit me “Basel Network” që denoncuan të parët mbetjet toksike, do e kthejë ngarkesën në destinacionin nga dhe u nis.

“Rreth 40 kontejnerë që grupet mjedisore pretendojnë se mbajnë mbetje toksike pluhuri do të transferohen të hënën (sot) në një anije “MSC Mediterranean Shipping Company SA”, që do t'i dërgojë ato në Evropë, sipas faqes së internetit të gjurmimit të ngarkesave detare të MSC”, shkruan “Bloomberg”.

Pra kjo ngarkesë nuk mbërriti në Tajlandë, por u shkarkua në Singapor. “Maersk” sqaroi se “po punon edhe me autoritetet e Singaporit dhe MSC për të kthyer ngarkesën në Shqipëri”. Për momentin, “kontejnerët janë vendosur të mbërrijnë në portin Gioia Tauro të Italisë në fund të shtatorit, sipas të dhënave të gjurmimit”.

Kurse 60 kontejnerë të tjerë me mbeturina të dyshuara që janë aktualisht në bordin e një anijeje tjetër kontejnerësh të “Maersk”, raportohet se “mbërritën më vonë në Singapor” dhe pas procedurave “do të kthehen gjithashtu në Evropë”.

Zbarkimi në Singapor vjen pasi Tajlanda e refuzoi ngarkesën në fjalë që prej datës 9 Gusht, kur autoritetet bënë edhe deklarata zyrtare.

Zyrtarët e Singaporit thanë se ata "po lehtësojnë kthimin e këtyre kontejnerëve" sipas Konventës së Bazelit të Kombeve të Bashkuara, një pakt global i nënshkruar nga shumë ekonomi të zhvilluara, e cila kërkon që vendet të japin pëlqimin për mbetjet në rrugën e tyre.

"Ne kemi marrë informacion në lidhje me transportin nga dy anije Maersk të disa kontejnerëve që raportohet se përmbajnë mbetje të rrezikshme të padeklaruara", thanë përfaqësues nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Autoriteti Detar dhe Portual i Singaporit, në një deklaratë të përbashkët për “Bloomberg”.

Zyrtarët kanë punuar për të ndaluar dërgesën që kur "Basel Action Network", një organizatë jofitimprurëse me bazë në SHBA që gjurmon tregtinë toksike, informoi Tajlandën në fillim të këtij muaji (5 Gusht), se kontejnerët që ajo beson se janë të mbushura me pluhur potencialisht të dëmshëm të furrës me hark elektrik, po shkonin në portin e saj.

Dy ditë më pas “Bloomberg” publikoi lajmin, ndërsa nisi marrja e masave dhe hetimet. Pati alarm edhe për zbarkim në portin Cape Town të Afrikës së Jugut, por “Maersk” tha më 11 Gusht se anijet nuk ishin autorizuar të zbarkonin aty dhe do vijonin rrugën. Madje një prej anijeve, “Compton”, fiku edhe sinjalin e GPS.

Pluhuri i furrës, i cili kërkon trajtim, është një mbetje e rrezikshme që zakonisht vjen nga riciklimi i skrapit të çelikut, dhe përmban okside metalike toksike si kadmiumi dhe kromi, që janë të dëmshëm për shëndetin dhe mjedisin.

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare