Pas afro tre vitesh sulmuesi anësor Anis Mehmeti është rikthyer në kombëtaren shqiptare të futbollit. Ishte marsi i vitit 2023 kur trajneri Sylvinho e afroi për herë të parë Mehmetin në ekip, duke e aktivizuar në tre takime. Pas sfidës së fituar 1-3 kundër Ishujve Faroe në udhëtim, aty ku Mehmeti luajti 15 minuta, trajneri brazilian nuk 'u kujtua' më për të.
Dëmtimet e shumta në sulmin e Kombëtares (Daku, Manaj) dhe forma jo e mirë e Brojës kanë bërë që Sylvinho të gjejë sërish shpëtimin te Mehmeti. Rikthimi i tij pas afro tre vitesh nuk është rastësi, pasi këtë periudhë 25-vjeçari ia ka dalë të kalojë nga Bristol City për te Ipswich, duke qenë favorit që edicionin e ri të jetë pjesë e Premier League në Angli.
Gjatë kësaj kohe, Mehmeti ka shënuar 26 gola me ekipet e tij, teksa është në formë të shkëlqyer sportive, duke shënuar 11 gola këtë edicion. Veç golave ai ka dhënë edhe tetë asistime, ndërsa në fushë duket sikur 'vallëzon'.
I pyetur për rikthimin e Mehmetit, trajneri Sylvinho tha se ai e sheh atë si një sulmues krahu që rri pranë portës.
"Mehmeti për mua është një sulmues krahu, apo edhe fantazist, por për mua është në krah. Të dy (bashkë me Muçin) janë sulmues që gjejnë portën. Në kushtet kur nuk kemi 'pyka', duhet të përshtatemi", tha mes të tjerash trajneri i Kombëtares.
Komente





