Trajneri i kombëtares polake të futbollit, Jan Urban, ka publikuar listën me 25 futbollistët që do ketë të gatshëm për ndeshjen kundër Shqipërisë e cila luhet në Varshavë me 26 mars dhe vlen për gjysmëfinalen play-off të Kupës së Botës 2026.

Bie në sy se polakët kanë një mesfushë të dendur me dhjetë futbollistë, disa prej të cilëve me tipare sulmuese. Tetë janë mbrojtës dhe vetëm tre sulmues, me veteranin Robert Lewandowski që duket se do jetë titullar kundër ekipit të Sylvinhos.

Polonia vjen në përballjen me Shqipërinë dukshëm e dobësuar, pasi Nicola Zalewski u skualifikua për këtë ndeshje. Problemi më i madh për ekipin polak është mungesa e portierit Łukasz Skorupski, i cili ka një problem në kofshë dhe nuk do të kthehet deri në maj. Mungesa tjetër në skuadër është sulmuesi Adam Buksa.

Ekipi fitues në këtë duel do përballet në finalen play-off (31 mars) me fituesin e çiftit Ukrainë - Suedi, ku do diskutohet bileta për në finalet e Kupës së Botës 2026 që do zhvillohen nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Lista e plotë e Polonisë.

Portierët: Bartłomiej Drągowski (Widzew Lodz), Kamil Grabara (VfL Wolfsburg), Mateusz Kochalski (Qarabag FK), Bartosz Mrozek (Lech Poznań).

Mbrojtësit: Jan Bednarek (FC Porto), Bartosz Bereszyński (Palermo FC), Matty Cash (Aston Villa FC), Tomasz Kędziora (PAOK FC), Jakub Kiwior (FC Porto), Arkadiusz Pyrka (FC St. Pauli), Przemysław Wiśniewski (Widzew Lodz), Jan Ziółkowski (AS Roma).

Mesfushorët: Kamil Grosicki (Pogoń Szczecin), Jakub Kamiński (1. FC Köln), Jakub Moder (Feyenoord Rotterdam), Oskar Pietuszewski (FC Porto), Filip Rózga (Sturm Graz), Michał Skóra (KAA Gent), Bartosz Slisz (Broendby IF), Sebastian Szymański (Stade Rennais FC), Nicola Zalewski (Atalanta BC), Piotr Zieliński (Inter Milan).

Sulmuesit: Robert Lewandowski (FC Barcelona), Krzysztof Piątek (Al-Duhail SC), Karol Świderski (Panathinaikos AO).

Lista e Polonisë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:20
Zbuloi futbollistët e ftuar për ndeshjen kundër Shqipërisë, Jan Urban: Duel jashtëzakonisht i vështirë, ekipi i Sylvinhos nuk pëson gola

1774027284_janurban.JPG

Trajneri i kombëtares polake të futbollit, Jan Urban, zbardhi këtë të premte listën me 25 futbollistët e ftuar për ndeshjen kundër Shqipërisë, e cila vlen për play-off-in e Kupës së Botës 2026 dhe luhet më 26 mars në Varshavë.

63-vjeçari foli për mediet në Poloni duke thënë se sfida kundër Shqipërisë do jetë jashtëzakonisht e vështirë.

"E kemi analizuar Shqipërinë dhe kemi njohuri të shumta për futbollistët e saj. Duhet theksuar se bëhet fjalë për një ekip shumë të mirë dhe me stabilitet.

Trajneri Sylvinho është në krye të skuadrës për tre vite. Për më tepër, ata kanë arritur të fitojnë një grup kualifikues ndaj Polonisë dhe Republikës së Çekisë, si dhe kanë regjistruar një fitore në udhëtim ndaj Serbisë”, deklaroi Urban.

Ai ka folur edhe për stilin e lojës së Shqipërisë, duke e përshkruar si të organizuar dhe të disiplinuar në aspektin mbrojtës.

“Shqipëria ka futbollistë cilësorë që aktivizohen në ekipe të mira. Ata luajnë me një model të ngjashëm me futbollin italian. Mbrohen mirë dhe pësojnë pak gola. Ndoshta nuk shënojnë shumë, pasi janë të përkushtuar në aspektin mbrojtës. Na pret një sfidë jashtëzakonisht e vështirë. Nuk mund ta nënvlerësojmë kundërshtarin apo të mendojmë se fitorja është e sigurt. Do të jetë një përballje shumë e fortë”, u shpreh trajneri i Polonisë.

Fituesi i këtij dueli do të përballet me fituesin e ndeshjes Ukrainë - Suedi, ndërsa finalja e play-off-it luhet më 31 mars.