Anisa, imazh i ri i policisë rrugore
rrefen pasionin për uniformën

Anisa, imazh i ri i policisë rrugore<br />rrefen pasionin për uniformën
TIRANE- “E kam pasur me shumë pasion këtë profesion, e kam pasur ëndërr që të arrija të bëja diçka për qytetarët, t’i vija atyre në ndihmë të paktën me aq mundësi sa kam. Këtë gjë e kam ëndërruar prej kohësh dhe më në fund e arrita”
 
Rekrutimi i femrave në radhët e policisë, tashmë nuk përbën më një gjë të jashtëzakonshme, por në qarkullimin rrugor, kanë qenë të rralla rastet kur shikonim një të tillë. Me nismën e fundit që u kërkua për ndryshimin e imazhit të policisë rrugore, shumë vajza dhe djem të rinj u zgjodhën nga komisariatet e Tiranës, ku mes tyre është edhe Anisa Zani, e cila vetëm 21 vjeçe, ashtu si të gjithë kolegët e saj, është ngarkuar me një detyrë madhore, që ka qenë e vështirë për t’u realizuar për gjithë këto vite tranzicioni.

Për Anisën, policia ka qenë një ëndërr, për realizimin e të cilës e ka ndihmuar familja dhe sot e mbron me zell dhe me përkushtim. Përzgjedhja e saj për të hyrë në policinë rrugore u bë dy javë më parë, duke bërë që Anisa të kalonte nga policia e rendit, në atë të qarkullimit rrugor. Në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com”, Anisa shpjegon vështirësitë, problemet dhe mbresat që ajo ka për këtë punë.

Anisa, mund të na tregoni fillimet e tua në polici?
Që kur kam qenë 18 vjeçe kam konkurruar për police, plotësova një formular dhe pastaj zhvillova një test, i cili ka qenë me shkrim. Por, para testit, duhej të plotësohej dokumentacioni, pasi unë kam aplikuar nga Gjirokastra. Pas përfundimit të dokumenteve të plota kam ardhur në Tiranë dhe kam bërë një test, i cili ka pasur 100 pyetje. Pasi, dilnin përgjigjet e testit me shkrim kam bërë testin fizik, i cili ka qenë një ndër normat që duhet të plotësoje, për të arritur më tej. Pas testit fizik ka qenë testi psikologjik, i cili është bërë nga profesorë të Akademisë së Rendit dhe kemi marrë disa pyetje.

Pasi merrje përgjigjen e testit psikologjik duhet të bëje të gjitha analizat e nevojshme mjekësore. Kur kam mbaruar të gjitha këto, kam filluar shkollën, në prill e cila ka qenë teori 6 muaj dhe pas teorisë nisa praktikën, e cila ka qenë gjithashtu 6 muaj ku përfshiheshin rendi, qarkullimi, SPZ, etj. E gjithë kjo procedurë ka pasur një dosje, e cila duhej të plotësohej dhe pasi plotësohej kjo dosje vazhdoje direkt në polici. Kur mbarova të gjithë procedurën për marrjen e njohurive, Më erdha në Tiranë, kërkova të punoja këtu, për shkak të shkollës së lartë që po ndjek dhe mundësitë janë më të shumta.
 
Pse zgjodhe pikërisht këtë profesion, si police?
Sepse e kam pasur me shumë pasion këtë profesion, e kam pasur ëndërr që të arrija të bëja diçka për qytetarët, t’i vija atyre në ndihmë të paktën me aq mundësi sa kam. Këtë gjë e kam ëndërruar prej kohësh dhe më në fund e arrita.
 
Po, pas përfundimit të shkollës së policisë, çfarë bëtë?
Pas përfundimit të shkollës kam vazhduar punë në komisariatin nr.2 në Tiranë, te rendi, me patrullat. Ka qenë diçka e bukur, për mua si eksperiencë e parë.
 
Si janë marrëdhëniet tuaja me kolegët?
Kolegët kanë qenë gjithmonë shumë të afrueshëm dhe më kanë mbështetur për çdo gjë që kam pasur nevojë. Kjo edhe për shkak se fillimet e punës, gjithmonë janë të vështira dhe teoria është shumë ndryshe nga praktika. Por, kolegët kanë arritur që të më japin atë eksperiencën e tyre, më kanë këshilluar sesi të veproj me qytetarët, si të kisha një komunikim sa më të hapur me ta, etj.
 
Po problemet e kësaj pune? Si i keni krijuar marrëdhëniet me qytetarët?
Kjo punë ka edhe probleme, pasi njerëzit në momentet që kanë kërkuar ndihmën e policisë, kanë qenë të acaruar, por nëqoftëse arrin të komunikosh me ta ose ta psikologjisësh për atë moment se çfarë problemi ka, ta dëgjosh me vëmendje, ta kuptosh, të jesh asnjanëse, të dëgjosh të dyja palët, mendoj se në të shumtën e rasteve mund të mos kesh probleme. Mënyra e komunikimit ka të bëjë shumë, pasi nuk e di se çfarë tipi mund të jetë personi që ke përballë.
 
Sa kohë keni që jeni transferuar në policinë e qarkullimit rrugor?
Kam dy javë që jam transferuar nga policia e rendit në qarkullimin rrugor. Shefi i qarkullimit dhe shefi i komisariatit erdhën në komisariatin nr.2, ku unë punoja, dhe përzgjodhën disa të rinj. Mes tyre u përzgjodha dhe unë. Më shumë të rinjtë përzgjidheshin nga gjatësia dhe imazhi.
Si ju duket ky vendim për zëvendësimin e policëve?
Zëvendësimi i policisë rrugore me djem dhe vajza të reja, mendoj se ishte një vendim shumë i vlefshëm, pasi i dha një imazh të ri policisë rrugore, sepse të rinjtë janë tepër të përkushtuar pas punës dhe punojnë me pasion me qëllim që gjithmonë t’i shërbejnë qytetarëve dhe ata të ndihen të kënaqur. Qëllimi ynë është që të ndërgjegjësojmë qytetarët në mënyrë që ata të respektojnë sinjalistikën rrugore, të ecin në vijat e bardha, të bëjnë kujdes. Dhe ne vetë i kemi ndihmuar ata personalisht. Por, shumë e rëndësishme është edhe puna me drejtuesit e mjeteve dhe për këtë arsye duhet treguar shumë kujdes.

Që në fillim, i gjithë grupi i ri, kemi dhënë këshilla për drejtuesit e mjeteve për rripin e sigurimit, që duhet të vendosin, për respektimin e sinjalistikave rrugore, me parkimet kemi bërë gjithashtu shumë kujdes. Domethënë po punojmë që në Tiranë të ketë një qarkullim të rrjedhshëm, të mos ketë probleme trafiku dhe që prezenca jonë të jetë sa më dinjitoze. Me kaq pak kohë, mendoj se ne kemi arritur të bëjmë shumë punë dhe do të vazhdojmë akoma më shumë në mënyrë që të gjithë qytetarët ta ndjejnë sa më afër punonjësin e policisë.

Si ka qenë dita e parë e punës në komisariatin e policisë rrugore?
Kur kamë ardhur në këtë pozicion në momentet e para nuk jam ndjerë shumë mirë, pasi kolegët ishin të rinj, ambienti i ri, eprorë të rinj domethënë isha mësuar me një punë tjetër. Ditët e para të kësaj pune kanë qenë tepër të vështira, ndërsa tani me ndihmën e kolegëve, me ndihmën e eprorëve kam arritur të ambientohem me punën.

Anisa, si shihen femrat në qarkullimin rrugor?
Femrat në qarkullimin rrugor janë shumë të pakta dhe qytetarët në një farë mënyre nuk janë mësuar që të shohin femra, e ndoshta ndonjëherë drejtues mjetesh shfaqin forma arrogance ndaj nesh, megjithatë ne jemi të vendosur që gjithçka të ndryshojë për mirë. Aktualisht, mënyra e komunikimit ka arritur të ndryshojë, sepse me femrat flasin më ndryshe dhe në disa raste kemi marrë përgëzime për punën dhe qytetarët janë shprehur “Sa mirë që pamë dhe femra në qarkullimin rrugor”.

A jeni ndjerë ndonjëherë e paragjykuar nga kjo punë?
Femrat shpesh paragjykohen në këtë profesion. Ka pasur disa persona të cilët thonë se kjo punë nuk është për femra, pasi ke të bësh me njerëz të ndryshëm dhe në njëfarë mënyre të ofendojnë. Por, ka dhe nga ata persona të cilët të japin kurajo për të vazhdar përpara. Kjo e dyta na ndihmon më shumë, me qëllim që ne të realizojmë detyrat tona.

Ju, kush ju kurajon më tepër në këtë profesion?
Mua personalisht më kanë mbështetur shumë në këtë punë. Një mbështetje të madhe e kam marrë nga familja, duke qenë që nuk është një profesion i thjeshtë për femrat. Por gjithashtu edhe shoqëria ime ka qenë një mbështetje e madhe për mua. Por, mbi të gjitha ka qenë pasioni për këtë punë që më ka shtyrë të vazhdoja përpara.

A do t’ia këshillonit një femre tjetër të bëhet police?
Atëherë, nëqoftëse ka përkushtimin e duhur dhe pasionin për ta ndjekur këtë profesion sigurisht që do të këshilloja çdo femër që ta vazhdonte, pasi me të vërtetë është një profesion i bukur, pavarësisht problemeve dhe vështirësisë... Bukuria e këtij profesioni qëndron pikërisht tek vështirësia.

Mendoni se policia për femrat është një zgjedhje, edhe për shkak të mungesës së arsimit, apo të një profesioni tjetër.
Jo. Unë vazhdoj shkollën e lartë për një tjetër degë. Po ashtu edhe shumë kolegë të mi, me të cilët kemi filluar në të njëjtën kohë punën, sidomos këtu në rrugore, janë me arsim të lartë. Është dashuria për këtë profesion që na ka mbledhur e që na mban në punë.

Anisa, çfarë do të thotë për një police krijimi i një familje? Sa e vështirë është kjo?
Të kesh një familje duke qenë police është shumë e vështirë sepse mund të ketë ditë që oraret mund të jenë të zgjatura, mund të ketë evenimente, të cilat duan kohë. Familja kërkon një përkushtim dhe kjo punë deri diku nuk të lejon që të kesh përkushtim të plotë ndaj familjes. Megjithatë unë në të ardhmen do të mundohem që ta mbaj dhe punën dhe familjen që do të krijoj. Për mua familja është mbi të gjitha, por as punën nuk do ta humbas.
 

Shkrimi u publikua sot (05.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, a duhet hetimet të shkojnë përtej mjekëve?



×

Lajmi i fundit

Çfarë pritet nga zgjedhjet në Mbretërinë e Bashkuar?

Çfarë pritet nga zgjedhjet në Mbretërinë e Bashkuar?