Anjeza Muharremi, meditim dhe
transformim përmes ngjyrave

Anjeza Muharremi, meditim dhe<br />transformim përmes ngjyrave
Meditim dhe transformim janë dy shqetësime të përditëshme të individit në shoqëritë e zhvilluara, por në mënyrë të qenësishme ato kanë prekur dukshëm edhe individin në shoqëritë në zhvillim, ashtu siç janë dhe shoqëritë bashkëkohëse shqiptare. Pse them shoqëritë shqiptare? Sepse kushdo që i njeh nga afër do të mendojë se vërtet ato janë dy shoqëri edhe pse flasin të njëjtën gjuhë.

Dhe kjo për disa arsye, por më kryesoret mendoj se janë mënyra e manaxhimit të jetës dhe fenomeni i kuptueshmërisë së ligjeve të saj dhe, këto në disa periudha të historisë së tyre. Anjeza Muharremi është një piktore e re shqiptare nga Kosova, që i tregoi publikut shqiptar të Shqipërisë vizionin e vet figurativ, i cili i përket disa cekjeve në format ekpresivizmit abstrakt, edhe pse diku në sferën e madhe të dydimensionaleve të saj shfaqet në formë sekrete imazhi i ndonjë objekti hapësinor.

Ajo është shprehur në formë të përgjithëshme, detajit nuk i ka dhënë vend dhe ka arritur të krijojë imazhin vetjak të pikturës së saj, e cila duhet thënë se i përket formave tradicionale të pikturës së shfaqur në Evropë në dhjetëvjeçarët e parë të shek. XX.

Natyrisht me këtë dua të theksoj se gjuha figurative e piktores është një gjuhë e trajtuar dhe e njohur nga memoria e historisë së artit, por imazhi i çdo artisti në kohën e prodhuar ka veti individuale, që vetëm kur e kalon cakun e riciklimit dhe vetëm kur nuk është i njohur nga kujtesa historike, kthehet në kulturë, kthehet në pasuri. Prandaj kjo me shtyn të them se Muharremi është ende në kërkimet e detyrueshme të formimit vetjak dhe ende në kërkimin e riciklimit imazheve abstrakte dhe ekspresiv.

Cekje të tilla figurative u duken të shpeshta dhe vazhdueshëm gjatë shekullit të XX, por krijimtaria e shumë piktorëve po tregon se dhe në shekullin e ri, në mënyrë shumë masive po riciklohet edhe nga piktorët e rinj. Arsyet e këtij riciklimi janë të disa llojeve, por dy më qëndroret janë si: e para lidhet me anën e jashtëme të shprehjes figurative, kur një piktor e gjen abstraksionizmin si rrugën më shpejtë  dhe ekspresive për të justifikuar idetë e tij.

Ai këtë e bën duke luajtur emocionalisht me elementet e artit dhe kryesisht me ngjyrën, të cilën e njeh mirë dhe e ndjeson në mënyrë natyrale. Ngjyra është ajo që thjeshtësisht shpërthen dhe shkon drejt e te mënyrat abstraksioniste të shprehjes figurative. E dyta lidhet me anën e brendëshmë të një artisti, i cili ka vetëm këtë edukim, që transferon emocionalist imazhe të shprehjeve në abstragimin ekspresiv.

Si e para si e dyta lidhen edhe me kohësinë tonë dhe në mënyrë krejt kuptimpolote janë të ndryshme me kohën kur lëvizje të tilla figurative u shfaqën më shumë se një shekull më parë. Kujtimet historike të kohës kur mënyra të tilla u cilësuan "izma", lindën prej grupimeve të artitëve mjeshtëror dhe inteligjent me qëllime të vlerësimit të individualitetit krijues përmes kundërshtive bazike ndaj një arti pasqyrues, realist apo figurativ.

Ato ishin lëvizje të lira dhe të furishme, zhvilloheshin në transformim të përditshmëm si rrjedhojë e transformimeve të përgjithëshme kulturore, të cilat sollën formimin e qendrave të artit si  qytete arti. Në këto qendra arti i Van Gogh, i Sezanne dhe Gogen ishte arti i mjeshtrave tradicionalë dhe pika e transformimit kulturor figurativ.

Në këto qendra ndjehej rritja industriale, rritja a kapaciteteve ushtarake dhe shfryrja e tyre drejt luftës, shfaqja e filozofive të reja religjioze, formimi i shkollave joakademike të artit, rritja e numrit të popullsisë, diferencimi i thellë klasor e financiar, dukja e krizave ekonomike rajonale dhe globale, të cilat së bashku shkaktuan kriza të mëdha të identitetit njerëzor dhe e atrofizuan kapacitetin e mundësive aktive të shoqërive të shumëllojshme si në perëndim ashtu dhe në lindje, edhe pse në forma të kundërta dhe të ndryshme.

E djeshmja e një drejtimi artistik historik nuk ka lidhje me riciklimin e tij në ditët e sotme, vetëm se shtresëzon përdoruesit. Nësë burimi i ekzistencës së pikturës është vetëm njeriu dhe akti i tij i krijimit, kjo do të thotë se piktura sosjen e saj do ta ketë me sosjen e njeriut. Nëse mendojmë se teknologjia ka avancime të jashtëzakonëshme në prodhimin e imazheve, kjo do të thotë se piktura si gjini tradicionale ka shumë arsye objektive për të rezistuar dhe ekzistuar si një gjini e formave arkaike, por shumë të çmuara dhe të sofistikuara.

Nëse akademitë shqiptare si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri kanë evidenca të vazhdueshme në krijimtarinë e pikturës tradicionale, kjo tregon se kërkesat e brendëshme të njeriut për të bërë pikturë janë po njëlloj aktive dhe të domosdoshme për vet ekzistencën e pikturës.

Lloji i pikturës së Anjeza Muharremit është një nga dëshmitë e arsyeve të më sipërme, që do të thotë se ajo procedon me pikturën, shprehet me ekspresivizëm, ideon "shqetësimet individuale", të cilat i përzgjedh prej së përgjithëshmes njerëzore dhe ekzekuton me mënyrat që i ka përjetuar gjatë edukimit të saj në Akademinë e Prishtinës, e cila e ka ende të fuqishme mendësinë tradicionale të një pikture ekspresiviste abstrakte.

Ajo ende i jep një vend të dukshëm dhe me përmasa shumë të mëdha kësaj fryme edhe pse drejtimet e reja që përbëjnë sot artin bashkëkohor apo artin e formimit vizual kanë zënë vend prej kohësh. Filozofia dhe programet e kësaj akademie i japin shumë rëndësi elementeve të parë të artit dhe edukimit evidentues te artistët si individë të rinj të pikturës.

Anjeza Muharremi është produkt i kësaj fryme dhe e kësaj shkolle, ku piktura e saj i mbetet shumë besnik metodave të dydimesionalit abstrakt. Kjo e ka bërë piktoren të jetë konformiste me ngjyrën dhe ti japë asaj rëndësinë e parë. E gjitha kjo rrjedhon imazhe, të cilave ajo i ka vënë një titull përgjithësues "Meditim dhe Transformim" edhe pse këtë proces vendimtar të njeriut ia ka lënë mjedisit koloristik.

Një mjedis i tillë jepet në disa cikle, ku dominojnë ata që kanë një ndërthurje ndërmjet objektit figurativ, i cili përcaktohet nga një linjë e plotë dhe konstatuese, me sfondin, i cili është bartësi ku zhvillohet loja personale e ngjyrave. Kjo ndodh edhe në ciklin kur piktorja dëshiron t'i japë rëndësi marrëdhënies së tokësores me jashtëtokëoren apo kozmosit.

A do jetë publiku i shek. XXI i memorizuar me imazhe të tilla? Koha në vazhdim do të jetë faktori bazë i përcaktimeve të tilla, por një gjë e dimë se imazhet e artit bashkëkohor kanë ndikim esencial dhe memorizues historik.

Shkrimi u botua suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print)17.13.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Këngëtarja italiane Giusy Ferreri koncert në Tiranë: E lumtur që rikthehem, të rinjtë të jenë autentikë

Këngëtarja italiane Giusy Ferreri koncert në Tiranë: E lumtur që rikthehem, të rinjtë të jenë autentikë