Anjeza Shahini: Risi
brenda një identiteti

Anjeza Shahini: Risi<br />brenda një identiteti
Zëri i saj potent dhe plot identitet na dërgon larg me klipin “Ujë në shkretëtirë”!

Kjo është vajza e cila pushtoi muzikën shqiptare që në daljen e saj të parë, duke sjellë risi në tregun muzikor jo vetëm për zërin e fuqishëm të saj, por edhe për muzikën që ajo sjell.

Kjo është këngëtarja Anjeza Shahini, e cila në një intervistë për “Shqiptarja.com” rrëfen rikthimin e saj në muzikë me një baladë të stilit “triphop”, një stil i lindur vonë që shumë artistë nuk e kanë eksploruar, bashkëpunimin për projektin më të fundit, si dhe disa detaje mbi jetën e saj private dhe familjare.  
 
Keni promovuar projektin tuaj të ri muzikor “Ujë në shkretëtirë”. Cilat janë detajet që do të na zbuloni nga ky klip?

Ky projekt në fakt ka nisur herët. Bashkë me kompozitorin e këngës, nisëm punën për të realizuar klipin dhe që në fillim të këtij viti, çdo detaj ka marrë kohën e vet. Pas daljes së klipit, jam e kënaqur që çdo gjë erdhi ashtu siç e kishim dëshiruar edhe në videoklip.
 
Pse zgjodhët pikërisht pragun e pranverës për të sjellë një këngë të re?

Në fakt e nisëm në kohë të ftohtë dhe në mendje kemi patur ato ditët e freskëta me pak diell, të kondicionuar edhe nga teksti ndoshta. Sidoqoftë, e kisha planifikuar një prurje të re këtë fillim viti dhe më vjen mire që përkoi pikërisht me ditët e para të marsit.
 
A mund ta klasifikojmë këtë këngë në zhanrin e baladës?

Po,kënga është një baladë. Në gjuhë teknike mund të them që është një baladë e gërshetuar mes soul, R&B dhe electronic që ndryshe klasifikohet në stilin "Triphop", një stil me origjinë irlandeze e që është njohur në muzikën ndërkombëtare vetëm pas viteve ‘90.
 
Kush janë bashkëpuntorët në këtë projekt?

Kompozitori i këngës është Mario Deda, e nisëm bashkë këtë projekt, të planifikuar prej kohësh, e me siguri do të vazhdojë gjatë. Olti Curri ka shkruar tekstin, videoklipi është realizuar nga studio produksioni ID, të veçantë, me një profil tepër të identifikueshëm në realizimin e spoteve dhe videoklipeve. Veshja e Atelie Tatjana Isaj ka qenë pjesë e gjithë videos, përshtatur me konceptin e këngës dhe Besa Islami është kujdesur për make-up in. Është mirë të punosh me profesionistë, pasi të falin siguri dhe qetësi, aq më tepër kur janë edhe miq të mirë.
 
Tashmë prej kohësh jeni bërë kryefjala e lajmeve rozë për lidhjen tuaj. Të vjen mirë për këtë?

Asnjëherë nuk kam dashur të bëhem kryefjalë në faqet rozë të gazetave, pasi shpesh ato keqinterpretohen dhe mua më pëlqen ta ruaj privatësinë. Edhe në rastin tim, nuk janë dhënë shumë saktë informacionet. U nxituan duke spiunuar nëpër shokë, duke marrë foto nga “facebook-u” i dikujt tjetër, modifikuar nga një foto me shumë vetë në tavolinë në një me dy vetë, dhe u bë lajmi pa më pyetur aspak. Kjo pjesë, më ka shqetësuar në fakt, por për sa kohë unë jam koshiente për profesionin që kam zgjedhur e mirëkuptoj dhe për fat, gazetat nuk gabuan thellë.
 
Cila ka qenë dhurata që keni marrë për “Shën Valentin”?

Për “Shën Valentin” nuk shkëmbyem dhurata, atë ditë kam qenë duke xhiruar, por dhurata e fundit që kam marrë është bileta për të parë koncertin e  grupit "One Republic" në një nga sallat më të njohura në Londër "Royal Albert Hall".
 
Jeni shprehur se jeni shumë të lidhur me nënën dhe motrat. Ju mungojnë këshillat kur si keni afër?


Më shumë se sa këshillat, mami im ka batuta shumë të bukura, ka të njëjtat ankesa dhe unë jam personi me të cilën i pëlqen më shumë të grindet. Mirëpo sa herë iki, më thotë; Po tani me kë të zihem unë? E njohim shumë mirë njëra-tjetrën dhe e kemi të vështirë kur rrimë larg njëra-tjetrës, por prandaj dhe jemi tre motra, secila merr kohën e vet për të fituar kujdesin e mamës.
 
Çfarë ju gëzon më shumë në jetë?

Unë gëzohem edhe me gjëra apo ndodhi të vogla, nuk më duhet shumë për të parë të bukurat e jetës, i gëzohem sa të mundem.
 
Ju pëlqejnë udhëtimet?

I adhuroj udhëtimet! Më duket sikur sa herë njoh një vend të ri, njihem më shumë me jetën.
 
E veçanta e klipeve tuaja është origjinaliteti. Është zgjedhja juaj apo dikush ju ndjek në çdo dalje?

U bënë disa vite që unë bëj pjesë në muzikë, dhe tashmë besoj që kam krijuar një identitet në këtë fushë. Çdo gjë ka ardhur natyrshëm, përshtatur me stilin e muzikës dhe për këtë jam kujdesur vetë, por jo pa ndihmën e familjes, miqëve të mirë me të cilët konsultohem shumë, por edhe të bashkëpuntorëve. Gjithësesi, besoj që brenda Anjezës, ka ende shumë cilësi që nuk kanë dalë në pah.
 
Veç klipit, cilat janë projektet që do t’iu ndjekin gjatë këtij viti?

Nuk dua të premtoj, shohim e bëjmë. Unë do të përpiqem t’u dhuroj sa më shumë fansave të mi.

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të gazetës "Shqiptarja.com"
(b.t/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

E zezë apo indiane? Trump vë në dyshim identitetin racor të Harris, reagon Shtëpia e Bardhë

E zezë apo indiane? Trump vë në dyshim identitetin racor të Harris, reagon Shtëpia e Bardhë