TIRANE - Pasi shiti 15 milionë eurobono dhe 3.5 miliardë lekë obligacione dyvjeçare të martën, qeveria do të shesë të martën e javës së ardhshme rreth 11 miliardë lekë bono thesari me afat maturimi 12 dhe 3 mujor.

Për bonot 12 mujore, shuma e shpallur për shitje është 8.6 miliardë lekë, nga të cilat shuma që i takon Bankës së Shqipërisë është 1 miliard lekë. Për bonot 3 mujore, shuma e shpallur për shitje është 2.3 miliardë lekë, nga të cilat rreth 2 miliardë i takojnë Bankës së Shqipërisë. Bankat e nivelit të dytë pothuajse kanë hequr dorë nga kreditimi i ekonomisë dhe e kanë përqendruar investimin e fondeve të lira në blerjen e letrave me vlerë të qeverisë.

Në këto kushte, Financat nuk e kanë pasur të vështirë të shesin bono thesari me interesa të ulëta, ndërkohë që deficiti buxhetor është rritur ndjeshëm në 7 muajt e parë të vitit për shkak të rendimentit të ulët të të ardhurave dhe rritjes së lartë të shpenzimeve, sidomos në periudhën parazgjedhore. Gjatë korrikut qeveria Berisha, ka kryer njerin pas tjetrit, një numër të madh ankandesh të letrave me vlerë, që nuk ishin planifikuar më parë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 24.08.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)