ANKARA, 30 nëntor /ATSH-ANA-MPA/- Si një prelud për mbajtjen e Këshillit të Lartë të Bashkëpunimit Greko-turk, më 5-6 dhjetor në Athinë, ishte takimi i nënkryetarit të qeverisë greke dhe ministër i Jashtëm, Evangjelos Venizelos me homologun e tij turk, Mevlut Çavushoglu, në Ankara.
Mospajtimet ishin të pritshme dhe të rëndësishme, posaçërisht për problemin qipriot dhe kërkimeve në Mesdheun Lindor.
Venizelos nënvizoi se bisedimet për problemin qipriot "u ndërprenë sepse ndodhet në zhvillim e sipër një nënvlerësim i të drejtave sovrane të Republikës së Qipros".
Çavushoglu e cilësoi bashkëpunimin tripalësh Greqi-Qipro-Egjipt dhe Greqi-Qipro-Izrael si zhvillime që "përshkallëzojnë tensionin", mirëpo i pyetur rreth një pjesëmarrjeje të mundshme të Turqisë, tha se kjo do të diskutohet në takimin e Këshillit të Lartë të Bashkëpunimit. "Greqia është shtet sovran dhe nuk mund të kemi kundërshtime për bisedimet dhe bashkëpunimin me shtete të tjerë. Mirëpo nuk mund të ketë fuqi asnjë kufizim në Mesdheun Lindor, ku nuk do të marrë pjesë Turqia. Gjëra të tilla e përshkallëzojnë tensionin. Duhet të vazhdojë predispozicioni i mirë. Këto çështje do të diskutohen gjatë takimit të këshillit të nivelit të lartë të bashkëpunimit, më 5-6 dhjetor", tha ai.
Nga ana e vet, Venizelos deklaroi se "në një periudhë krizash të shumëfishta në Lindjen e Mesme dhe të Mesdheut, marrëdhëniet greko-turke kanë rëndësi kolosale, sepse Greqia dhe Turqia mund të funksionojnë si aks stabiliteti, paqeje dhe prospriteti më gjerë në rajon. Mirëpo, që të ndodhë kjo në gjithë dimensionin e vet, duhet të përballohet problemi qipriot. Zgjidhja e problemit të Qipros është çelësi për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe greko-turke, por edhe të luajmë rolin që ftohemi të luajmë si dy vende me prezencë të gjatë në NATO. Greqia më tej si vend anëtar i BE dhe Turqia si vend kandidat për anëtarësim"./ a.jor.