Jetojmë në një kohë kur stresi dhe ankthi duket se janë bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë sonë. Ritmi i shpejtë i jetës, përgjegjësitë e shumta dhe pasiguria ndikojnë shpesh në qetësinë mendore, cilësinë e gjumit dhe shëndetin e sistemit nervor. Por, a e kuptojmë gjithmonë kur jemi të stresuar dhe kur ankthi fillon të ndikojë në jetën tonë? Si mund t’i dallojmë këto dy gjendje, cilat janë simptomat që nuk duhet të neglizhojmë dhe çfarë mund të bëjmë për të ruajtur ekuilibrin nervor?
Në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv, ndalemi te lidhja mes trurit, stresit dhe ankthit, duke u fokusuar edhe te roli që mund të kenë bimët mjekësore në relaksimin e organizmit. Cilat bimë rekomandohen, cilat kombinime çajrash mund të ndihmojnë në qetësim dhe çfarë duhet të kemi parasysh për përdorimin e tyre të sigurt? Së bashku me specialistin e bimëve mjekësore, Ylli Merja, do të flasim për mënyrat natyrale të mbështetjes së sistemit nervor dhe këshillat që mund të na ndihmojnë të përballojmë më mirë stresin dhe ankthin.
Dallimi midis stresit dhe ankthit
“Stresi është një reagim natyror i organizmit ndaj një situate të jashtme që kërkon përgjigje. Ai shkakton tension dhe lodhje, por zakonisht zvogëlohet kur largohet shkaktari. Në këtë rast, truri aktivizon mekanizmin mbrojtës të njohur si reagimi ‘lufto ose largohu’. Në këtë proces marrin pjesë hipotalamusi, hipofiza dhe gjëndrat mbiveshkore, të cilat çlirojnë hormone si adrenalina, noradrenalina dhe kortizoli. Adrenalina përshpejton rrahjet e zemrës, rrit vigjilencën dhe ndikon në frymëmarrje. Noradrenalina shton gatishmërinë e organizmit për veprim, ndërsa kortizoli ndihmon në mobilizimin e energjisë dhe përshtatjen ndaj stresit. Për sa i përket kohëzgjatjes, stresi mund të jetë akut, pra afatshkurtër, ose afatgjatë, kur vazhdon për javë apo muaj. Ndërsa ankthi është një gjendje shqetësimi, frike dhe pasigurie për një rrezik të mundshëm, edhe kur nuk ekziston një kërcënim i menjëhershëm. Ankthi mund të bëhet pjesë e përditshmërisë, por kur është i tepruar dhe i vazhdueshëm, mund të kthehet në një problem shëndetësor”, thekson Ylli Merja.
Cilat janë shkaqet kryesore të stresit dhe ankthit?
Stresi dhe ankthi mund të shkaktohen nga një sërë faktorësh, të cilët lidhen me gjendjen emocionale, shëndetin fizik dhe mënyrën e jetesës.
- Faktorët psikologjikë dhe shoqërorë: ngarkesa në punë, problemet familjare, vështirësitë ekonomike, shqetësimet për të ardhmen dhe humbja e njerëzve të afërt.
- Faktorët fizikë dhe biologjikë: mungesa e gjumit, lodhja kronike, ndryshimet hormonale, çrregullimet e tiroides, mungesat e mikronutrientëve dhe predispozita gjenetike.
- Faktorët që lidhen me stilin e jetesës: konsumimi i tepërt i kafeinës, përdorimi i alkoolit, mungesa e aktivitetit fizik, qëndrimi i pamjaftueshëm në ajër të pastër dhe përdorimi i disa medikamenteve.
Simptomat e stresit dhe ankthit që nuk duhen neglizhuar
“Simptomat ndahen në dy kategori: psikologjike dhe fizike. Simptomat psikologjike përfshijnë frikën, nervozizmin, vështirësitë në përqendrim, mendimet negative, pagjumësinë, pasigurinë, sulmet e panikut dhe lodhjen mendore. Ndërsa simptomat fizike mund të përfshijnë rrahje të shpejta të zemrës, djersitje, dridhje të duarve, tension muskulor, dhimbje koke, frymëmarrje të shpejtë, probleme me tretjen dhe ndjesi dobësie”, shpjegon Merja.
Këshilla për të ulur stresin dhe ankthin
Për të ndihmuar organizmin të përballojë më mirë stresin e përditshëm, rëndësi të veçantë kanë zakonet e shëndetshme dhe kujdesi ndaj vetes.
- Ecni çdo ditë në ajër të pastër për 30–40 minuta.
- Pini ujë rregullisht gjatë ditës dhe kufizoni konsumimin e tepërt të kafesë.
- Synoni të flini 7–8 orë në natë.
- Para gjumit, praktikoni frymëmarrjen e ngadaltë dhe të kontrolluar.
- Mbani kontakte me familjarët dhe miqtë që ju ofrojnë mbështetje emocionale.
- Kufizoni përdorimin e telefonit para gjumit dhe, në vend të tij, zgjidhni leximin e një libri.
- Kaloni kohë në natyrë dhe përfitoni nga ajri i pastër dhe drita natyrale.
- Ushqehuni në mënyrë të larmishme, duke përfshirë fruta dhe perime.
- Përdorni çajra qetësues me nga një gotë qumësht në mbrëmje.
- Nëse ankthi vazhdon, ndikon në jetën e përditshme ose shoqërohet me simptoma shqetësuese, konsultohuni me mjekun.
Bimët mjekësore që përdoren për qetësimin e sistemit nervor
Sipas specialistit të bimëve mjekësore, Ylli Merja, natyra ofron bimë të ndryshme që përdoren tradicionalisht për relaksim dhe përmirësimin e gjumit. Megjithatë, efektet e tyre mund të ndryshojnë nga një person te tjetri dhe përdorimi duhet të bëhet me kujdes.
Një përzierje çaji për relaksim dhe qetësim të sistemit nervor
Ndër bimët që përdoren tradicionalisht për përgatitjen e çajrave qetësues përmenden bari i bletës, kamomili, lulja e blirit, pasiflora dhe livando.
Për rastet e pagjumësisë
Merja përmend kombinimin e valerianës me barin e bletës, si një nga përzierjet bimore që përdoren tradicionalisht për të ndihmuar relaksimin dhe gjumin.
Ushqime që mbështesin funksionimin e sistemit nervor
Në këshillat e tij, Merja përmend edhe ushqime dhe përbërës të ndryshëm, si arrat, boronicat, lëngu i shegës, shafrani dhe vaji i lirit, të cilët mund të përfshihen në një regjim ushqimor të larmishëm.
Kujdesi për sistemin nervor fillon me zakonet e përditshme. Gjumi cilësor, aktiviteti fizik, ushqyerja e ekuilibruar dhe menaxhimi i stresit janë hapa të rëndësishëm për mirëqenien mendore dhe fizike. Kur ankthi bëhet i vazhdueshëm ose vështirëson jetën e përditshme, kërkimi i ndihmës profesionale mbetet zgjedhja më e mirë.












Komente
Komento