Administrata Zgjedhore pas çdo procesi elektoral në Shqipëri vihet në shënjestër për cenim të standardeve, përfshirë tensionet apo vonesa të pajustifikueshme në daljen e rezultatit, në një kohë kur partitë kanë kontrollin absolut mbi të.
Për t’u dhënë fund këtyre problematikave, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, e përsërit apelin për depolitizim total të komisioneve zgjedhore, pasi nuk garantohen standardet e profesionalizmit dhe paanshmërisë.
“Përbërja partiake e komisioneve të dyta dhe të treta nuk garanton integritet të plotë të administrimit të procesit zgjedhor dhe profesionalizëm. Ndaj është domosdoshmëri, që administrimi zgjedhor në nivelin e dytë dhe të tretë të mos jete vetëm në duart e partive politike. Do duhet që Kuvendi i Shqipërisë, e më së pari partitë politike e veçanërisht dy partitë kryesore politike, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike të adresojnë këtë çështje me prioritet të lartë”, tha Celibashi.
Në një kohë kur për këtë pritet një ‘dritë jeshile’ nga komisioni bipartizan i reformës zgjedhore, Celibashi thotë se ka sinjale pozitive për një tjetër nismë: krijimin e një qendre të përhershme për trajnimet zgjedhore.
“Kemi patur diskutime dhe me përfaqësues të partive politke dhe kemi kuptuar si prej atyre të opozitës dhe të mazhorancës duket që ka mbështetje për këtë ide për të krijuar një strukturë e cila në mënyrë të përhershme do jetë kompetente dhe përgjegjëse për zhvillimin e trajnimeve zgjedhore dhe edukimin zgjedhor në Shqipëri”, u shpreh Celibashi.
Vetë OSBE-ODIHR ka rekomanduar vazhdimisht uljen e ndikimit politik në komisionet e administrimit zgjedhor dhe numërimit të votave.
Komente










